MINISTRI BYTYQI PRITI UDHËHEQËSIT E UNIVERSITETIT TË INDIANAS NË SHBA

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka pritur në takim dekanin e Universitetit të Indianas në ShBA, Lemuel W. Watson dhe menaxherin e programit të Qendrës për Edukim Ndërkombëtar, Zhvillim dhe Hulumtim në këtë Universitet, Evan Mickey. Gjatë këtij takimi u bisedua për gjendjen në të gjitha nivelet e arsimit, veçanërisht në arsimin e lartë, bashkëpunimin e deritanishëm me Universitetin e Indianas dhe mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi. Ministri Bytyqi falënderoi udhëheqësit e Universitetit për mundësinë që ua kanë dhënë shumë studentëve dhe profesorëve përmes Programit të Transformimit të Lidershipit, me theks të veçantë profesorëve të Fakultetit të Edukimit, të cilët po dëshmojnë se praktikat të cilat i kanë marrë në Universitetin e Indianas janë praktika bashkëkohore të mësimdhënies. Gjatë takimit, u theksua edhe roli i Fakultetit të Edukimit në përgatitjen e mësimdhënësve para shërbimit dhe angazhimet që pritet të marrë ky fakultet në trajnimet e mësimdhënësve në shërbim. Në këtë takim, ministri Bytyqi dhe dekani Watson u dakorduan që shumë shpejt të fillohet një projekt i përbashkët, i cili lidhet me zhvillimin profesional të mësimdhënësve, që në fokus do të ketë nevojat e shkollës dhe të komunitetit dhe gjithë kjo do të bëhet pas një hulumtimi të përbashkët të nevojave për trajnime të mësimdhënësve. Dekani Watson falënderoi ministrin Bytyqi për gatishmërinë për bashkëpunim edhe mëtutje, ndërsa theksoi se Universiteti i Indianas është i gatshëm të ndihmojë në segmente të arsimit ku ka nevojë, por ta zgjerojë këtë bashkëpunim edhe me ministritë tjera për të kontribuar në zhvillimin të sistemit të edukimit në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …