leoni

Klase shkollore

RKL: Sindikata arrogante dhe përbuzëse e arsimit, bën thirrje të “varrosë” tri javë mësim në varrin e paditurisë

E ashtuquajtura Sindikatë e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka njoftuar se nga raportet e arritura nga komunat e Kosovës, qenka vërejtur  se shumica absolute e shkollave, sot nuk kanë punuar dhe këtë “meritë” për faqe të zezë ia përshkruan vetes, edhe pse Ministria e Arsimit ka marrë vendim që tri javët e humbura të mësimit të zëvendësohen. Pavarësisht se edhe Gjykata përkatëse nuk ka miratuar kërkesën e SBASHK-ut për dëmtimin e procesit mësimor, krerët e kësaj sindikate shpërfillim edhe këtë vendim, pastaj në mënyrë të paturpshme dhe krejt të papërgjegjshme kërkojnë që nxënësit e Kosovës përdhunshëm  të humbin tri javë mësim. Ky precedent është i panjohur në botën e qytetëruar e të arsimuar, por ja që ndodh në Kosovë ku Shteti dhe ligji kanë vetëm fuqi morale e fakultative, por  jo edhe ekzekutive. Ndodh pikërisht në Kosovë, ku nxënësit tanë radhiten të parafundit fundit në botë, në testim i nxënies së njohurive, për shkak të punës së dobët dhe të papërgjegjshme të personelit arsimor.

Ky precedent i rrezikshëm tregon më së miri se në cilën rrugë po bëjnë përpjekje ta fundosin armimin  kokat e paarsimuara dhe të papërgjegjshme të kësaj sindikate, e cila kërkon rrënimin e arsimit, i cili  edhe ashtu është radhitur në radhën e fundit në botë.

Krerët e papërgjegjshëm të kësaj Sindikate, të manipuluar nga politikat e caktuara kanë gjetur kohë për ta goditur arsimin kombëtar, pikërisht kur Kosova radhitet e parafundit të testet ndërkombëtarë të vlerësimit të arsimit. Në kushte dhe rrethana  të tilla kur arsimtarët e ndershëm dhe të përgjegjshëm skuqen nga turpi, në krye të një Sindikate gjenden njerëz që pa pikët turpi e përgjegjësie kërkojnë që 400.000 nxënësve të vendit t u humbin tri javë mësim, madje edhe duke i kërcënuar drejtorët e arsimit, sikur të ishin policë, apo milicë të kohëve të shkuara.

Ky qëndrim i krerëve të kësaj sindikate, nuk tregon vetëm nivelin arrogant, aspak pedagogjik  të disa ish punëtorëve të arsimit, por për më keq ka edhe mjaft shumë mësimdhënës, të cilët kur bëhet fjalë për humbje të mësimit, apo ngritje të pagave, ia mbajnë ison Sindikatës, e cila fton të dënohen me mungesë të 15 njësive mësimore të gjithë nxënësit e Kosovës. Se në krye të sindikatës është qelbur peshku, kjo është e tejdukshme, por solidarizimi i arsimtarëve me këta krerë, është një hile e ligë që ata u bëjnë nxënësve të tyre, fëmijëve të tyre. Kjo tregon mungesë përgjegjësie, mungesë etike.

Si dhe sa  kanë fytyrë e faqe këta arsimtarë të kërkojnë nga nxënësit të mos mungojnë në mësim, apo t’ iu shkruajnë atyre mungesat në ditar, kur vetë kanë humbur tri javë mësim dhe nuk i japin përgjegjësi Shtetit,  i cili ua ka rritur rrogat, për mendimin tim krejt pa meritë. Por vetë shteti, Qeveria vetë  duke qenë uzurpatori i parasë publike është detyruar të lëshojë pe dhe mu për këtë nuk ka guxim të marrë masa për ruajtjen e integritetit të shkollës, të cilën e përbuzë dhe e shpërfillë një klan sindikal.

 

Kontrolloni gjithashtu

Ish-negociatorja, Edita Tahiri, dikur i nënshtrohej Serbisë në Bruksel, tani kërcënon me luftë

Edita Tahiri: Sulmi në Banjskë, pjesë e skenarit të Serbisë për destabilizimin e veriut

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut Kosovë-Serbi, ka komentuar zhvillimet dhe prapaskenat pas sulmit në Banjskë. …