11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija e fillimit të kryengritjes popullor kundër padrejtësive, shtypjes e shfrytëzimit

11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija e fillimit të kryengritjes popullor kundër padrejtësive, shtypjes e shfrytëzimit

Sa herë vjen 11 marsi, na kthen në kujtesë atë të kaluar të para 38 vitesh dhe përgjithësisht i kujtojmë zhvillimet sociale e politike, që u manifestuan në mars, prill, maj të vitit 1981. I përkujtojmë të rënët, vizitojmë familjarët e tyre, shihemi me ndonjë bashkëvuajtës burgu, evokojmë ndonjë kujtim. Dhe, kështu nga viti në vit edhe pas 38 viteve, në disa segmente ende vendnumërojmë, mjaftohemi me botimin e shkrimeve, vështrimeve, komenteve dhe ndonjë studimi, që megjithatë është ende larg nga studimi i mirëfilltë shkencor për historinë tonë më të re e cila filloi pikërisht më 11 mars të vitit 1981. Por kapituj  të historisë sonë kombëtare si ky nuk janë harruar as harrohen dot.

 11 marsi i vitit 1981 ishte shkëndija që paralajmëronte fillimin e zbrazjes së zemërimit popullor kundër padrejtësive, kundër shtypjes e shfrytëzimit nga Serbia e përgjithësisht nga RSFJ, kundër idesë së përshtatjes, kundër pretendimeve për krijimin e një kombi hibrid kosovar, kundër jugosllavizimit të qetë dhe përbashkësisë me popujt sllavë.

Kërkesat sociale që u manifestuan në mbrëmjen e 11 marsit, në “Mensën e Studentëve”, në Prishtinë për kushte më të mira jete, nuk ishin spontane por kulmim i natyrshëm i një zemërimi, i cili nuk mund të përmbahej më tej.

Defilimi i qindra studentëve në orët e mbrëmjes të asaj dite, u pasua me solidarizimin e mijëra qytetarëve, të cilët për afër katër orë rresht protestuan paqësisht nëpër sheshet e Prishtinës.

Alarmi i fillimit të manifestimit të zemërimit popullor kundër pabarazisë dhe padrejtësive tashmë ishte dhënë. Lëvizja e fshehtë e Rezistencës, e njohur në kuptimin përgjithësues si Lëvizje ilegale kishte filluar të mobilizonte radhët dhe të artikulonte përveç kërkesave sociale edhe kërkesa politike, meqë me të drejtë konstatohej se barazia e plotë e shqiptarëve në Kosovë e më gjerë nën okupimin jugosllav, do të arrihej me krijimin e një Republike të barabartë me republikat e tjera të Federatës jugosllave.

Zhvillimet që pasuan më 26 mars, të po atij viti, në kohën kur nëpër qendër të Prishtinës po defilonte Stafeta e Titos, (një manifestim i kultit politik gjithë-jugosllav), Njësitë speciale të Jugosllavisë, me lejen me aprovimin e më besnikëve të regjimit të Beogradit si: Azem vllasi, Xhavit Nimani, Ali Shukriu, Mehmet Cikuli- Maliqi e të tjerë, sulmuan brutalisht demonstruesit, duke përgjakur qindra prej tyre. Intervenimi brutal i policisë dhe ushtrisë jugosllave, më 1, 2 dhe 3 prill 1981, nxori në sipërfaqe fytyrën e vërtetë të fashizmit jugosllav dhe të bashkëpunëtorëve, të cilët i shërbenin asaj politike shoviniste antishqiptare. Revolta gjithë popullore, që pasoi më 2 dhe 3 prill, ia çjerri përfundimisht maskën politikës së ” përbashkësisë e barazisë së kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë”.

Përballë protestuesve në Prishtinë më 2 prill, krerët e Lëvizjes atdhetare e cila vepronte në fshehtësi kishin shpalosur programin kombëtarë të luftës për liri, drejtësi e barazi por edhe për aspiratën për bashkim kombëtar. Fjalimi i kreut të Lëvizjes së kohës, Hydajet Hyseni kishte mobilizuar masat e protestuesve, të cilët tanimë ishin bindur se Lëvizja kishte edhe kreun e saj dhe nuk ishte e rastit, ashtu sikur ishte paragjykuar.

Kulmimi i protestave me elemente të kryengritjes popullore u shënua  në Besi, lokalitet mes Prishtinës dhe Besianës, rrëmbimi i armëve dhe i municionit nga forcat rezerviste që po hynin në Kosovë nga Serbia dhe çarmatosja e shumë prej tyre, shënoi fillimin e kryengritjes. (Atë ditë Protestuesit kishin rrëmbyer rreth 130 armë automatike dhe mitralozë, mijëra fishekë e pajisje luftarake. Pak muaj më vonë ishin dënuar me burg të rëndë, prej 1 deri në 15 vjet, 38 pjesëmarrës, nxënës, studentë, punëtorë, mësues e fshatarë. Ishte kjo mesatarja më të lartë e dënimit të grupeve, prej vitit 1964).

Shtypi perëndimor dhe ai i Tiranës zyrtare konstatonin se në Kosovë kishte ndodhur njëra ndër gjakderdhjet më të pashembullta në Evropë, pas Luftës së Dytë Botërore. Në prill të vitit 1981 në Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Vushtri, Mitrovicë, Drenas: ishin martirizuar, Asllan Pireva, Naser Hajrizi, Xhelal Maliqi, Salih Abazi, Salih Mulaku, Ruzhdi Hyseni, Rizah Matoshi, Sherif Frangu, Nesimi Dervishdana, Ibrahim Krasniqi.  Në aksionin gjakatar kundër familjes së Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj të vitit 1981, kanë rënë trimërisht Tahir Meha me babanë të Nebihun, duke lënë të vrarë 5 policë dhe ushtarë jugosllavë dhe duke plagosur shumë të tjerë… (Ahmet Qeriqi)

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe

Ali Ahmeti uron 22 nëntorin: Deri dje e avansonim, sot duhet ta mbrojmë gjuhën shqipe

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka uruar të gjithë shqiptarët për …