Albert Z. Zholi: XHA GAQOJA, shqiptari i Athinës me gjuhën e bashkimit

Albert Z. Zholi: XHA GAQOJA, shqiptari i Athinës me gjuhën e bashkimit

Të nesërmen e asaj nate që kanali televiziv ERT -2 shfaqi filmin “L’Amerika”, xha Gaqoja më telefonoi qysh në mëngjes:

-Përse po tallet bota me ne o bir?!…

Zëri i tij ishte revoltë e brendshme, ishte një zë i plagosur, ku çdo fjalë, sikur mbartte një shekull mbi shpinë. Dhe e nxirrte nga gjoksi i Xha Gaqos, për të satën herë, për të mos e dëgjuar përsëri askush .” Përse po tallet bota me ne o bir?!… Ishte zë ri i nipit të Koto Hoxhit mbetur në Athinë pas Luftës së Dytë Botërore…

Dhe askush nga veshët e botës, nuk e dëgjoi dhimbjen e xha Gaqos.

Dhe askush nuk i pa sytë e tij të lotuar, tek shihnin atë film, ku vendi i tij , njerëzit e tij, historia e atij vendi dhe atyre njerëzve, shkelej nga e qeshura e botës.

Dhe bota kënaqej e shlodhej me shqiptarët –majmunë, me shqiptarët –barbarë, me atë popull, që kishte një gjuhë Perëndie” e një histori gjaku.

Xha Gaqoja kish parë filmin “ La Amerika”, dhe shpirti i qe trazuar tek dhimbja e madhe …Ai ishte i mbushur i gjithi me poezi e me dhimbje malli. Me Naimin e Mjedën, Fishtën e Migjenin, Konicën e Agollin. Një minierë e vërtetë vjershërimi, që nuk e lë atdhetarizmin të shuhet.

Kur e dëgjova për herë të parë në një koktej të shtruar në ambasadën tonë në Athinë 1994, u befasova … “ Një antologji dashurie për Atdheun!”, mendova, kur ai i recitonte vjershëtorët e mëdhenj, si edhe vjershat e tij, me djegie shpirti, sikur të mos numëronte 85 vite jetë. Kur ai recitonte mijëra vargje të rilindësve tanë befasohesha. 70-vjet larg atdheut dhe dinte më shumë se ne që kapardiseshim në atdhe.

“ Epo nën pemën e fisit të patriotit të madh Koto Hoxhit është rritur, ndaj i ka lezet edhe fjala edhe vjersha” dhe në mend më erdhën disa vargje të mësuesit të madh:

“…Po e kam zemrën shkëmb,

këto plagë i kam si gjemb,

po të ishte tjetër komb,

do pëlcasë  të bënte bombë,

do shuhej edhe emri…”

-Shqipëria po vuan, or bir, ç’po bëjmë ne për të ?!Ç’po bëjmë?!!-më vinte zëri i xha Gaqos brenda telefonit. Unë dëgjoja dhe heshtja. Para atijë zëri nuk duhej fjala.

-Shqipëria po përçahet, i mungon gjuha e së mirës. I mungon gjuha e rilindësve. I mungon Feja e shqiptarizmës. Po shajmë e po pështyjmë. Po vjedhim e po vrasim. Kush na ka mallkuar ?!…Eeh, u bëmë loti i vetes e gazi i botës. Para zërit të xha Gaqos mua, fjala më fshihej nën gjuhë.

.,……………..

Tashmë ai ka ndërruar jetë dhe është në strehëzën e përjetshme, por sa herë shikoj politikanët shqiptarë në debatet e mbrëmjes, më duket sikur xha Gaqoja më thotë: “ Përse po tallet bota me ne o bir që duam të hyjmë në Evropë (si, vetëm me martesat e homoseksualëve?) kur jemi në zemër të saj ?!… Jemi në Europë dhe sillemi sikur jemi në Afrikë…Duhet bashkim…

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …