Letërsia hungareze është shumë e begatshme dhe mjaft e përkthyer në shumë gjuhë të botës. Mjerisht, shkrimtarët më të mëdhenj, me përmasa botërore të kësaj letërsie, ende nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe. Romani “Ararat” ndër më të lexuarit në botë, i shkrimtarit, Llajosh Zillahi, me sa dimë ne nuk është i përkthyer në gjuhën tonë. Deri tani nuk është përkthyer asnjë vepër e shkrimtarit, Jokai Mor, i cili në mesin e romaneve dhe novelave të shumta, ka shkruar edhe dy romane me tematikë nga jeta e shqiptarëve, romanin historik: “Trëndafili i bardhë”, i cili i kushtohet kryengritësit më të madh shqiptar të kohës së Perandorisë Otomane, Halil Patrona dhe romanin: “Ditët e fundit të jeniçerëve” me tematikë nga jeta e Ali Pashë Tepelenës. Ndër emrat shumë të njohur të kësaj letërsie mjihen, përveç Jokai Morit, e Zillahut edhe Shandor Petëfi, Moric Zhigmund, Adi Endre, Ferenc Deak, Jozhef Attilla Imre Kertesz, e shumë të tjerë.
Jokai Mor është njëri ndër romansierët më të njohur të Hungarisë, i njohur edhe në letërsinë botërore, i përkthyer në 25 gjuhë të botës. U lind më 19 shkurt të vitit 1825 në Komarom të ish-Austro-Hungarisë, tani lokalitet në Çeki. Rrjedh nga një familje fisnike e Jokajve, nga babai Jozhef dhe e ëma Marie Pulaj. Vdiq më 5 maj të vitit 1904, në Budapest. Ka qenë bashkëkohës dhe mik i poetit të madh hungarez, Shandor Petëfi. Si i ri ka marrë pjesë në Revolucionin e vitit 1848, të cilin e udhëhoqi, ideologu i njohur hungarez, Llajosh Koshuti. Asokohe martohet me Roza Benke Laborfalvin.
Veprat e tij më të njohura të shkrimtarit Jokai Mor janë: “Njeriu i Artë”, Zoti është Një”, “Zotërinjtë e varfër”, “Koha e artë e Erdelit”, “I biri i zemërfortit”, “Pashai i fundit i Budapestit”, “Diamanti i zi” “Ditët e fundit të jeniçerëve” e shumë të tjera. Pjesa dërrmuese e veprave të Jokai Morit janë romane historike, (shumë prej tyre janë realizuar në filma artistikë), ose me temë nga e kaluara e popullit hungarez, në luftën e tij për ekzistencë, për ruajtjen e gjuhës, trashëgimisë dhe kulturës, duke qenë se populli hungarez, gjatë dyndjes së madhe të popujve u ngulit në mesin popujve evropianë, dhe si i tillë prore ka qenë i rrezikuar nga fqinjët grabitçarë, ashtu sikur populli shqiptar. Një e treta e popullit hungarez jeton në shtetet fqinje, si në Rumani, Vojvodinë, Çeki, etj. Duke shkruar për historinë e përgjakshme dhe tronditëse të këtij populli në të kaluarën, shkrimtari, Moriz Zhigmund në romanin e tij “Bëhu i mirë deri në vdekje”, shkruan: “A nuk është e tmerrshme kjo, këtu jemi në mes të Evropës, këtu jetojmë, vuajmë, punojmë, gëzojmë e këndojmë dhe nuk kemi popull tjetër në botë që të na kuptojë, që ta kuptojë gjuhën tonë, as ndjenjat tona, as jetën tonë. Këtu jemi dënuar të jetojmë në vetmi, dhe nuk mund të mbështetemi te askush, vetëm armiq kemi në botë, miq, të afërt e shokë nuk kemi askund…”
Në Romanin: “Luani i Janinës”, të shkrimtarit të madh hungarez, Jokai Mor, i cili për herë të parë u botua në Hungari, trajtohen ngjarjet historike të kohës së Ali Pashë Tepelenës, të cilat janë shpalosur, në një histori emocionuese të kohës së romantizmit evropian. Rrëfimet plot mister që nga fillimi e deri në fund shpalosin të dhëna për kohën e Perandorisë turke në Ballkan, veçmas në Shqipërinë e në Greqinë e decenieve të para të shekullit 19-të, ku është vendosur ngjarja e romanit. Heroi i dramës së çuditshme dhe të tmerrshme, ose i një seri dramash, të shpalosura me një shpirt të tillë, me aftësi dhe gjallëri krijuese në këtë roman, është Ali Pasha i Janinës, sigurisht një nga figurat më të shkëlqyera që ka prodhuar historia turke në atë kohë. Autori me një anë flet për shumëllojshmërinë dhe monstruozitetet siç ishin konsideruar krimet e Aliut, por në anën tjetër vërehet edhe aftësia e tij e habitshme dhe guximi i shkëlqyer për t i bërë ballë Perandorisë ende më të fortë të botës. Pashai shqiptar mbrojti veten në ditët e të fundit të jetës në kështjellën e tij, duke luftuar me trimat e tij besnikë, gegë e toskë kundër gjithë fuqisë së Perandorisë Osmane. Kjo është një ngjarje e veçantë në histori. Me një hero të tillë, është e qartë se libri është stërmbushur edhe skena të jashtëzakonshme; por, edhe pse një roman ai përmban disa studime të shkëlqyera të karakterit oriental, turk, arvanitas, grek dhe shqiptar. Jokai Mor është vëzhgues absolutisht i paanshëm, i cili zbulon me mjeshtëri botën e Perandorisë Osmane të kohës, e cila rronte mes apatisë dhe brutalitetit. Autori nuk e ka vërejtur sa duhet elementin kombëtar të Ali Pashait, sidomos në vitet e fundit të sundimit të tij në Janinë, kur ai hapur pretendonte që me pashallëkun e tij ta krijonte Shqipërinë e katër vilajeteve.
Shumë prej elementëve romantikë të realitetit historik të kohës janë pasqyruar me mjeshtëri në këtë libër me imagjinatën e Jókai Morit. Perandoria Osmane dhe ngjarjet e përgjakshme historike, luftërat komplotet më Pallatin e Sulltanit dhe kudo në trojet e sarajet e pashallarëve të saj, janë përshkruar me realizëm. Pastaj luftërat dhe përpjekjet e popujve të Ballkanit e më gjerë për çlirim nga despotizmi i pashallarëve, veçmas nga ai i Ali Pashë Tepelenës, për të cilin shtypi i Evropës shkruante se Perandoria kishte dy Sulltanë, një në Stamboll, tjetri në Janinë duke i shtuar të gjitha këtyre dhe imagjinatën romantike të shkrimtarit, janë tërësia organike e romanit që rigjeneron në këtë vepër dhe që është njëra ndër më të mirat të romantizmit hungarez e evropian, mjerisht e panjohur deri tani për publikun lexues shqiptare Por thelbi i kësaj historie të mrekullueshme, që rrëfehet në këtë roman është ndërthurur ashtu sikur edhe në romanet e tjera të këtij autori me përmbajtje historike, si një ngjarje mjaft e besueshme, për botën turke të kohës dhe njohurinë çuditërisht të saktë të jetës turke, të cilën, Jokai Mor e ka shpalosur me një realizëm të jashtëzakonshëm. I tillë ka qenë ky shkrimtar edhe në romanin tjetër, “Trëndafili i Bardhë” ku po ashtu personazh kryesor ka komandantin e jeniçerëve, shqiptarin nga Hurpishti i Manastirit, Halil Patrona.
Ky roman është përkthyer katër vjet më parë, por përkthyesi nuk ka hasur në mirëkuptim të institucioneve tona arsimore e kulturore për ta financuar botimin e këtij romani, ndër më të realizuarit që janë shkruar për Ali Pashë Tepelenën nga shkrimtarë shqiptarë dhe të huaj.
Romani, “Luani i Janinës” është botuar për herë të parë në vitin 1854, në Hungari dhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Përkthyesi, Ahmet Qeriqi, ua ka ofruar për botim ministrive përkatëse në Kosovë dhe në Shqipëri, por nuk ka marrë përgjigje as pretimin për botim.
Duke ditur rëndësinë e këtij libri, veprimtarët që punojnë dhe aktualisht jetojnë në Zvicër: Osman Osmani, Skënder Hajdari, Fatmir Bajrami dhe Isuf Ismaili mundësuan daljen në dritë të këtij romani, i cili po i jepet për lexim lexuesve shqiptarë, 165 vjet pas botimit të parë në hungarisht.
Botuesi i librit, falënderon piktorin e mirënjohur, Agim Sulaj, i cili pranoi që portreti, të cilin e ka realizuar për Ali Pashë Tepelenën të vihet në ballinë të romanit të shkrimtarit, Jokai Mor. Ky portret përmbush në tërësi portretin letrar, psikologjinë, karakterin dhe temperamentin e personazhit të Ali Pashë Tepelenës, njëjtë sikur e ka realizuar edhe shkrimtari, Jokai Mor.
Romanin, Luani i Janinës ka 368 faqe, e botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola” në Prishtinë
Ahmet Qeriqi
17. 3. 2019