Lufta që bëri UÇK-ja është një luftë heroike, luftë për liri e pavarësi, për përparim e për dije, për nderë dhe dinjitet. Pa kryengritjen e armatosur të kësaj ushtrie, nuk do të kishim çlirim, nuk do të kishim Kosovë të Lirë, nuk do të kishim Kosovë Demokratike dhe nuk do të kishim Kosovë Sovrane. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte faktori kryesor e përcaktues i kësaj fitore. Kjo ushtri e çliroi Kosovën . Nga kjo ushtri ranë qindra djem e vajza të Kosovës. NATO-ja në krye me SHBA-të, ishte faktor ndihmues që e shpejtoi çlirimin përfundimtar. Falë gjitha këtyre edhe pas aprovimit të tri ligjeve në Parlamentin e Republikës së Kosovës me 14 dhjetor 2018 tani kemi edhe Ushtrinë e Kosovës, e cila do të jetë garantuese e sovranitetit të shtetit tonë.
Ushtria serbe kishte kohë që kishte planifikuar një skenar vrasës, një skenar të “Tokës së Djegur”, kundër banorëve të Kotlinës me rrethinë. Ata, vetëm prisnin momentin më të përshtatshëm, për zbatimin praktik të skenarit. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, që pësuan në Betejën e Gajres, më 28 shkurt, të betejës me 8 mars në Ivajë, të Kotlinës, më 9 mars, dhe të betejave të tjera; kuptohet, se ato do të hakmerren ndaj qytetarëve, këtë e kishte të qartë edhe Shtabi i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, sepse kjo kishte ndodhur edhe në shumë qytete e zona të luftës, kudo në Kosovë. Brigade 162 “Agim Bajrami” e UÇK-së, në këtë zonë, kishte pasur sukses në shumë beteja, kundër ushtrisë serbe. E dinim se kjo do të jetë, prova më e vështirë dhe njëherë beteja më e përgjakshme, që ushtria serbe, po planifikonte të ndërmerrte kundër popullatës shqiptare, në këto anë.
Beteja e Kotlinës, veç ishte në prag, për këtë, Shtabi i Brigadës 162 “Agim Bajrami”, po bënte përgatitjet e fundit, për ngritjen e fortifikimeve, dhe mbrojtjen e popullatës. Ushtarët e UÇK-së, ishin ditë e natë në istikame.
Ushtria serbe, jo rastësisht kishte zgjedhur, fshatrat malore shqiptare, ku ishin strehuar mijëra qytetarë, ata mendonin se me këtë, do ta shkatërronin tërësisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe do t’i shkatërronin në themel, shtëpitë që e ndihmonin UÇK-në. Ushtria serbe kishte angazhuar edhe një numër të bashkëpunëtorëve, ose atyre që kishin punuar dhe vazhdonin të punonin, për ushtrinë kriminale dhe pushtuese serbe. Sipas vëzhguesve të UÇK-së, dhe raportimit të tyre, në Shtabin e Brigadës, shihej se plani i tyre, për djegien e Kotlinës me rrethinë, ishte i përpunuar në detaje më të vogla, për sulmin që do ta merrnin, në emër; gjoja, për shkatërrimin e UÇK-së.
Lufta e 24 marsit 1999, ishte shenjë e hakmarrjes, për humbjet që ushtria serbe, kishte pësuar në betejën e 9 marsit 1999, në Kotlinë, ndërsa nga ana e pjesëtareve të UÇK-së, në këtë betejë, heroikisht kishte rënë komandanti i njësitit, Milaim Loku, dhe bashkëluftëtari i tij, Emërllah Kuqi, ndërsa, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe, kishin lënë shumë të vrarë, dhe dhjetëra të plagosur.
Për disfatat e njëpasnjëshme të ushtrisë serbe, një kontribut të veçantë, kishte dhënë edhe popullata, e cila ishte angazhuar në prapavijë dhe po e ndihmonte, me çdo çmim UÇK-në. Në betejën e 24 marsit, u zhvillua një luftë e përgjakshme, e cila kishte përfshirë një territor shumë të gjerë, dhe fshatrat: Gajre, Laç, Kotlinë, Ivajë, Shtrazë, Glloboçicë dhe Puset e Nikës. Kjo zonë, ishte e tëra në flakë, garantohej nga të gjitha anët, me të gjitha llojet e armëve, nga tanket, minahedhësit, raketahedhësit dhe lloje tjera të armëve, e tërë zona ishte në zjarr.
Ndërsa Njësitet e Brigadës 162 ”Agim Bajrami” goditnin caqet e pushtuesve dhe pozicionet e tyre, në tërë zonën e zjarrit, dhe kështu pengonin tentimet e tyre për tu future në pozicionet e UÇK-së. Shumë pjesëtarëve të ushtrisë serbe, u kishte hyrë frika, në palcë, kjo vinte si pasojë e vrasjeve të tyre, nga ana e UÇK-së dhe kjo përcillej me një pasiguri të madhe në mesin e ushtarëve serb.
Për të dalë nga kjo gjendje paniku e pasigurie, forcat serbe ndërmorën këtë operacion të fuqishëm, me këtë; ata synonin të arrinin tri objektiva:
- Të ngritin moralin e rënë, në mesin e ushtrisë serbe, në këtë zonë strategjike, dhe tentonin të mbanin situatën , gjoja, nën kontroll.
- Objektivi i dytë ishte që pas futjes së ushtrisë serbe, në fshatrat shqiptare, ta terrorizonin popullatën shqiptare të Kotlinës dhe të Kaçanikut, me rrethinë, me qëllim që populli shqiptar, të hiqte dorë, nga mbështetja dhe përkrahja që u jepte UÇK-së, bijve të tyre.
- Dhe objektivi i tretë ishte asgjësimi i UCK-së.
Për arritjen e këtyre objektivave, ushtria serbe kishte angazhuar forca të shumta artilerie, tankiste, njësi të blinduara dhe njësi këmbësorie.
Ushtria serbe, në mëngjesin e hershëm të 24 marsit 1999, filloi goditjen me të gjitha llojet e armëve, mbi Kotlinën dhe fshatrat përreth, duke djegur e shkatërruar shtëpitë, shkollën, e duke masakruar njerëz; gra fëmijë e pleq, madje, ata as kafshët nuk i kursyen.
Toka e djegur, ishte në skenarët e shtetit serb, që Kosova të mbetet pa asnjë shqiptarë. Ushtria serbe, si kudo në pjesët e tjera të Kosovës, po e zbatonte në praktikë, tokën e djegur, edhe në Komunën e Kaçanikut. Shtimi i forcave ushtarake, policore dhe paramilitare në terren, e dëshmonte qëllimin e tyre, asgjësimin e çdo gjëje shqiptare, por edhe frikën që kishin për UÇK-në. Raporti i forcave ndërluftuese, tani në terren ishte shumë i pabarabartë, e mos të flasim për llojet e armëve që përdoreshin forcat serbe, ndërsa njësitet e Brigadës 162 “Agim Bajrami” kishin vetëm armatim të lehtë por, nuk ishin vetëm armët ato të cilat bënin luftën dhe betejat e lavdishme, ishte morali dhe shpirti luftarak i ushtareve të UÇK-së, të cilët e dinin pse po luftonin dhe këtë e mbronin me betimin mbi flamur. mirëpo Komanda e operacionit të forcave serbe, nuk kishte llogaritur faktorët potencial që veprojnë në luftë. Mbi të gjitha, ajo nuk kishte mundur të parashikonte burimin e energjive që kishte një luftë e drejtë çlirimtare e popullore. Në betejën më të përgjakshme të komunës së Kaçanikut në Kotlinë dhe në mbrojtje të popullatës civile ranë 11 dëshmorë: Ismajil Kuçi, Sali Vlashi, Nexhadi Kuçi, Xhemajl Kuçi, Neshat Rexha, Sabit Loku, Sabri Loku, Mahi Loku, Cenë Loku, Adnan Loku, Izijah Loku, e 14 martirë: Garip Loku, Naser F. Loku, Vesel Vlashi, Idriz Kuçi, Zymer Loku, Minah Kuçi, Sherif Kuçi, Behran Loku, Agim Loku, Ismajl Loku, Ismet Loku, Danush Kuçi, Ibish Loku, Naser R. Loku, ku 24 marsi solli masivizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës jo vetëm në komunën e Kaçanikut, por kudo në Kosovë, asaj iu bashkuan e tërë rinia e aftë për luftë. Mirëpo, në ora 20:00 iu bashkangjit edhe fuqia botërore NATO në krye me SHBA-të.
Edhe 20 vjet pas betejës së 24 marsit, pas luftimeve të përgjakshme, pas qëndresës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sakrificës së popullatës së kësaj ane, fuqishëm po dëshmohet, roli i drejtë i UÇK-së dhe i popullit shqiptarë, që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Familje të nderuara të dëshmorëve të kombit dhe martirëve të kombit, ne përkujtojmë, 20 vjetorin e rënies heroike të prindërve, bijave dhe bijve tuaj më të mirë, që Kosovës i sollën dritë dhe lavdi në rrugën e saj të lirisë. Gjaku i dëshmorëve dhe heroizmi i tyre do të mbeten të përjetshme, vepra e tyre sakrifica dhe rënia në altarin e lirisë nuk do të harrohen kurrë, sepse Kosova din si t’i çmojë dëshmorët e kombit. Bashkëqytetarë të nderuar, shembull i dëshmorëve dhe i martirëve që po i përkujtojmë është i veçantë. Në jetën e tyre shohim historinë e shqiptarëve, në idealin e tyre kujtojmë përkushtimin për liri, në vdekjen e tyre mësojmë për pavdekësinë e njeriut.
– Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe Martirëve të Kombit,
– Respekt familjeve të tyre,
– Nderim Invalidëve dhe Veteranëve të Kombit.
– Respekt i përhershëm për SHBA-të dhe NATO.