Sot, në fshatrat Celinë, Fortesë e Brestoc të Komunës së Rahovecit janë mbajtur tubime përkujtimore për të shënuar 20-vjetorin e të vrarëve gjatë vitit 1999 në këto fshatra, të cilët u vranë barbarisht nga paramilitarët serb. Në këto tubime ka marrë pjesë edhe kryetari i komunës, Smajl Latifi, me bashkëpunëtorë dhe familjarë të të rënëve. “Sot e 20 vjet më parë, pushtuesi kriminal serb, duke mos kursyer asnjë person, vrau barbarisht martirë e dëshmorë shqiptarë në Celinë, Fortesë e Brestoc. Në Brestoc u vranë 49 shqiptarë, ku gjashtë prej tyre janë të pagjetur, qytetarë tanë u vranë dhe u masakruan veç pse ishin shqiptarë. Pastaj në Fortesë ishin 69 bashkëqytetarë tanë, të rinj e të moshuar, burra e gra, që mizorisht u privuan nga jeta. Njëjtë, okupatori serb veproi edhe në Celinë, duke vrarë 75 persona, në një masakër që tronditi gjithë botën. Sot i kujtojnë me nder, respekt e përulje të thellë të gjithë burrat, gratë, pleqtë e fëmijët që u ekzekutuan barbarisht nga makineria vrastare e pushtuesit serb. “Jeta, vepra dhe gjaku i të rënëve janë baza dhe themeli i lirisë së Kosovës. Presim që të vendoset drejtësia e vonuar dhe të marrin dënimin e merituar kriminelët që na lanë pa më të dashurit tanë”, ka thënë Latifi.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …