Aleanca Kosova e Re vlerëson se emërimi i anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjëve (KQZ) është një çështje e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Vonesat e deritanishme për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga ana e Presidentit të Republikës së Kosovës kanë qenë të pa arsyeshme, në kundërshtim me funksionin kushtetues të tij, sepse i njëjti garanton funksionimin demokratik dhe kushtetues të Institucioneve të Republikës së Kosovës. Neni 139 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, është i qartë sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së dhe mënyrës së propozimit të tyre nga ana e grupeve parlamentare. Pas Vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin Nr. K079/18, datë 03.12.2018, që ka të bëjë me nenin 139.4 të Kushtetutës tani i mbetet Presidentit që të bëjë interpretimin lidhur me atë se çka konsiderohen grupe parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe se kush ka të drejtë të propozojë anëtarë të KQZ-së, në këtë situatë juridike në të cilën gjendemi.
Bazuar në logjikën e nenit 139 të Kushtetutës si dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr. KO119/14, datë 26.08.2014, Aleanca Kosova e Re (AKR), ka bërë propozimin e saj për anëtar të KQZ-së, duke pasur parasysh që është regjistruar në seancën konsitiuive të Kuvendit, si grup parlamentar së bashku me LDK-në dhe se si e tillë ka marrë pjesë në koalicion parazgjedhor dhe është regjistruar në fletëvotime, ashtu siç e përcakton edhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin Nr. KO119/14, datë 26.08.2014. Gjithnjë sipas këtij Aktgjykimi, grupe parlamentare njihen vetëm ato të cilat si të tilla dalin nga dokumentacioni i certifikuar i zgjedhjeve, në këtë rast në zgjedhjet e vitit 2017, LDK-AKR, kanë qenë të certifikuara në këtë mënyrë dhe po në këtë mënyrë edhe kanë marrë pjesë në seancën e parë (konstituive) të kësaj legjislature. Këtë logjikë të interpretimit, se grupet parlamentare, si të tilla dalin vetëm nga dokumentacioni i zgjedhjeve dhe seanca konstituive e Kuvendit, e dëshmojnë edhe veprimet e fundit të Presidentit të Republikës së Kosovës, si dhe ftesat e bëra nga ai, për grupet parlamentare, sipas mënyrës se si janë certifikuar në zgjedhje.
AKR, i rikujton presidentit që ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDK dhe si e tillë edhe është paraqitur në seancën konstituive. Kjo nënkupton që edhe AKR, si pjesë e këtij koalicioni parazgjedhor ka të drejtë të propozojë anëtarin e saj në KQZ, në emër të koalicionit parazgjedhor me LDK-në, gjë të cilën edhe e ka bërë, me shkresën dërguar Presidentit, me datë 27.12.2018, ku e propozuar për anëtare të KQZ-së nga AKR, si pjesë e koalicionit parazgjedhor është Znj. Myzejene Selmani.
Bazuar në logjikën e interpretimit të grupeve parlamentare, sipas seancës konstituive, Presidenti i Republikës së Kosovës duhet që të marrë për bazë propozimin e secilës parti, për emërim të anëtarëve të KQZ-së, që ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor, sikur është rasti i AKR-së dhe LDK-së. Grupet parlamentare nuk duhet të shihen sipas fuqisë aktuale në parlament por sipas Kushtetutës dhe Ligjit.
Bazuar në faktet e përmendura më sipër, AKR ka të drejtë kushtetuese të ketë anëtarin e saj në KQZ, sepse ka qenë pjesë e koalicionit parazgjedhor me LDK-në dhe në këtë mënyrë edhe është certifikuar në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të vitit 2017.
Secila praktikë tjetër që do të krijohet nga presidenti në emërimin e anëtarëve të KQZ-së, duke mos marrë parasysh kërkesat e subjekteve politike, sikur rasti i AKR-së, është një praktikë kundër kushtetuese dhe që bie në kundërshtim me vetë funksionin e Presidentit si dhe rolin e tij unifikues dhe garantues të funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.