Opozita bën thirrje për protestën e 17 shkurtit

Tri partitë opozitare kanë mbajtur sot një tubim mobilizues në Sallën e Kuqe në Prishtinë, ku të pranishëm ishin aktivistë e mbështetës të opozitës si dhe qytetarë të shumtë. Të pranishmëve iu drejtua deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili tha se Serbia deri më tani nuk ka hasur në rezistencë të Qeverisë, por vetëm të opozitës së bashkuar. Sipas tij, me peticion, gaz lotsjellës, aksione dhe protesta, i është dhënë goditje e madhe Serbisë. “Asnjë qeveri nuk ka dhënë një goditje të tillë se sa ajo e 9 janarit. Zajednica ka vdekur dhe obligimi ynë është që ajo të ndalet”, u shpreh Kurti. Ai theksoi se planet e Serbisë do të ndalen nga rezistenca e opozitës së bashkuar, meqë kjo nuk po bëhet nga Qeveria. “Ne kemi ndërmarrë veprime radikale sepse jetojmë në një kohë ekstreme.  Zajednica ka vdekur, vetëm Thaçi e Mustafa duan që ajo të ngjallet. Kjo Qeveri duhet të shkojë”, tha deputeti, Kurti.

 Në vazhdim të tubimit mobilizues, ka folur edhe deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi. Ajo tha se në fillim shumë njerëz nuk besonin në rezistencën e opozitës. Por, sot pas gjashtë muajsh, sipas saj, i gjithë populli u bind që gazi është e vetmja mënyrë për t’i ndalë dy marrëveshjet që Qeveria e Kosovës ka nënshkruar me Serbinë dhe Malin e Zi. “Me 17 shkurt i gjithë populli do t’ia kthejë shpinën qeverisë dhe do ta bëjë të pa dukshme”, tha deputetja, Kadaj-Bujupi, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen opozitës më 17 shkurt në qendër të Prishtinës.

Ndërsa, Shyqri Bytyqi nga Nisma për Kosovën, tha se opozita ka arritur të mbrojë Republikën, duke qëndruar e bashkuar. “Protestën e solli jo vetëm angazhimi jonë por edhe qytetarët që e kuptuan se pas luftës së UÇK-së është momenti që secili qytetarë ka mundësi ta japi maksimumin për ta mbrojtur vendin e vet”, theksoi Bytyqi.

Kontrolloni gjithashtu

Arben Mustafa: Pesë propozimet e PDK-së për dalje nga kriza ekonomike

Arben Mustafa: Me Bedri Hamzën Kryeministër, pensionistët do të marrin 1000 euro më shumë brenda një viti

Koordinatori për Financa në Partinë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa ka deklaruar se në qeverinë …