Më 29 Mars të vitit 1999 forcat ushtarake dhe policore edhe njëherë, iu kishin sulur Prekazit, për të vrarë, plaçkitur dhe djegur.
Ishte gati fundi i ditës, kur zakonisht nuk priteshin sulme armike, ishin tërhequr rojet dhe meqenëse ishte ditë Bajrami, një grup luftëtaresh ishin tubuar për te ngrëne dhe festuar.
Rreth orës 16, dikush kishte vërejtur lëvizje të forcave të armikut të cilat ishin të përcjella me mjete të blinduara nga fshati Polac në drejtim të Prekazit, saktësisht lagjes Kodra. Ata tashmë kishin arritur në logun e fshatit dhe kishin filluar pozicionimin.
Grupi i luftëtareve menjëherë u mobilizua dhe filluan të pozicionoheshin në mënyre që të dëbonin sulmin. Ishin rreth 10 pjesëtarë të UCK-së.
Pozicionet ishin shume afër me pozicionet e armikut dhe beteja dukej e ashpër. Ishte e qartë se rezistenca nuk do të mund të mbahej shumë gjatë duke pas parasysh armatimin e rëndë të cilin e përdorte armiku.
Me të dëgjuar krismat, grupet tjera të luftëtareve të cilët ndodheshin në pjesën e sipërme të lagjes Kodra i erdhën në ndihmë grupit. Nga lagja Lushtaku gjithashtu.
Tashmë luftëtaret u bënë më shumë në numër dhe nga pozicionet e ndryshme sulmonin forcat e pozicionuara te armikut. Kjo bëri që armiku të tërhiqet në drejtim të fshatit Polac, ku nuk kishte asnjë banorë.
Në ketë betejë ra heroikisht dëshmor, Avdullah Kodra dhe u plagosën rëndë
komandanti i kompanisë, Avdyl Kodra, dhe ushtari Hajdin Kodra, pjesë e brigadës 114.
Avdullah Kodra ishte djalë i ri, vetëm 18 vjeç, jetim pa nënë e baba. Nëna e tij ishte Kosova dhe liria e saj, për te cilën dha më të shtrenjtën, jetën e tij. Ai ishte bashkangjitur radhëve të UCK-së që nga janari i vitit 1998 dhe ishte betuar se nuk do të vdiste pa luftuar. Sot trupi i dëshmorit, Avdullah Kodra pushon në varrezat e luftëtareve, dëshmorë dhe heronj, në Marinë të Drenicës.
( Autori e këtij shkrimi, Avdyl Koda, është dëshmitar i gjallë i luftimeve të asaj dite, ish komandanti i kompanisë).