Më 16 mars të vitit 1962, prindërve Zenullah e Zejnie Jasharit, nga fshati Strofc i komunës së Vushtrrisë, u lindi fëmija i katërt, të cilin e pagëzuan me emrin Jashar. Mahmuti, Kosumi dhe Jonuzi, ishin tre vëllezërit më të mëdhenj të Jasharit, kurse Tefiku, Faiku dhe Mahmuti i ri, më të vegjël se ai. Në vitin 1970, familja e dëshmorit Jashar Jashari përjetoi një tragjedi të rëndë, e cila mori jetën e dy vëllezërve të mëdhenj të tij, Mahmutit e Kosumit, në vendin e tyre të punës. Ata gjetën vdekjen të helmuar me gaz metani, në një gropë thëngjilli.
Shkollimin fillor, Jashari e kreu në fshatin e lindjes, Strofc. Shkollën e mesme e vazhdoi në Kastriot (ish-Obiliq). Sikurse në shkollën fillore, ashtu edhe në atë të mesmen, ishte dalluar për nga suksesi i mirë, i cili do t’ia mundësojë regjistrimin në akademinë e atëhershme ushtarake në Mostar të Bosnjë-Hercegovinës. Mirëpo, për shkak të zbatimit të politikës diskriminuese ndaj të rinjve shqiptarë, pas një viti të studimit në Mostar, ky kadet shqiptar u largua nga akademia. Me të kthyer në vendlindje, arriti të inkuadrohet në punë, në Minierën Sipërfaqësore në Bardh të Madh afër Kastriotit. Në këtë minierë punoi deri në kohën e zbatimit të masave të dhunshme të pushtuesit serb në këtë ndërmarrje, në fillim të viteve 90, kur ai u përjashtua nga puna, sikurse edhe shumë kolegë të tij shqiptarë.
I shtrënguar nga nevojat ekonomike, por edhe për shkak të fushatës së përndjekjes serbe kundër tij, me pretekst të kërkimit të armëve, në fillim të viteve 90, Jashari emigroi në vendet perëndimore, përkatësisht në Gjermani. Në mërgim, me punën dhe djersën e tij të pakursyeshme, ndihmoi familjen e tij, prindërit dhe vëllezërit në Strofc. Atje, me bashkëshorten, Sevdinë, krijoi familjen e ngushtë, të cilëve u lindën gjashtë fëmijët: Vlora, Vlorenti, Bashkimja, Mërgimja, Kushtrimi dhe Luljeta.
Krahas ndihmës për familjen, Jashari nuk e hiqte dot nga vëmendja, për asnjë çast, fatin e Kosovës së robëruar dhe të kombit të ndarë. Prandaj, që me kohë kishte rënë në kontakt me veprimtarë të çështjes kombëtare, që vepronin në kuadrin e lëvizjes politike në Perëndim. Gjatë kohës së qëndrimit në Gjermani, zhvilloi aktivitet të dendur kombëtar, duke marrë pjesë në tubimet e organizuara me bashkatdhetarë e në manifestime të shumta protestuese kundër kolonializmit serb në Kosovë. Në edukimin e tij politik e atdhetar, një rol të veçantë po luante daja Avni Klinaku, i dënuar politik dhe veprimtar i çështjes kombëtare.
Organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe fillimi i luftës në Kosovë, Jasharin e gjeti të gatshëm për sakrificën që po kërkonte liria e Kosovës. Prandaj, nuk ishte i rastit fakti se ai qe ndër të parët çlirimtarë, të cilët menjëherë pas epopesë së Prekazit e të komandantit legjendar Adem Jashari, nga Perëndimi u kthye në Kosovë. Vendosmërinë e tij për t’u kthyer në Kosovë, si ushtar i saj, e kishte deklaruar në një tubim me bashkatdhetarët, në qytetin Hagen të Gjermanisë, në përkrahje të luftës së UÇK-së. Ai ishte shprehur se vendimi për t’u futur në frontin e luftës së UÇK-së ishte punë e kryer. Shembulli i tij personal kishte shtuar frymën mobilizuese te mërgimtarët tanë në këtë qytet e në vendet e tjera të Gjermanisë, duke thyer hamendjen e shumë të rinjve për t’iu përgjigjur kushtrimit të luftës për liri. Në gjysmën e parë të muajit mars të vitit 1998, Jashari niset nga Gjermania për në Shqipëri, ku do t’i bëjë stërvitjet e nevojshme ushtarake, në bazën e atëhershme stërvitore të ngritur nga LKÇK-ja, në kuadrin e kazermës së ushtrisë shqiptare, në afërsi të Tiranës, ku vepronte edhe eprori dhe komandanti i mëvonshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Shehu. Me rastin e nisjes për në Shqipëri, në Gjermani Jashari ishte përcjellë nga veprimtarët Nebih Fazliu, Driton Hasani, Avni Geci, Sami Sejdiu e të tjerë.
Pas stërvitjeve ushtarake në Shqipëri, Jashari, së bashku me 23 luftëtarë të tjerë të armatosur, në zonën e Kukësit depërton në Kosovë me ç’rast arrin në Likovc të Drenicës, ku në atë kohë ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ai merr përsipër detyrën ushtarake për formimin e njësiteve të UÇK-së në fshatrat e trevës së Artakollit dhe së bashku me shokët e luftës, ndër të cilët edhe Selami Neziri nga fshati Sllatinë e Vitisë, Mehmet Isufi, nga Vushtrria, Blerim Zhabari, nga Çeltina e Vushtrrisë, Agron Xhemajli, nga fshati Shkabaj i Kastriotit, Bekimi, nga Rahoveci, Blerimi nga Prishtina, Ali Baba nga Shipoli i Mitrovicës e të tjerë, ato ditë arrin në fshatin e tij të lindjes, në Strofc. Në këtë fshat formoi njësitin ushtarak, të cilin ai do ta komandojë deri pas përfundimit të ofensivave të forcave serbe në vjeshtë të vitit 1998. Në prill të vitit 1998, në këtë trevë, Jashari kontakton edhe luftëtarët, Fatmir Humolli, Arif Krasniqi, Hashim Krasniqi, Ramadan Krasniqi e të tjerë dhe në bashkëpunim me ta i rreket çështjes për shtrirjen dhe organizimin e formacioneve të UÇK-së në tërë trevën e Artakollit. Ato ditë, në fshatin Trimor (ish-Zhilivodë) të Vushtrrisë, në shtëpinë e Hashim Krasniqit ishte vendosur shtabi vendor i Artakollit, ku në saje të angazhimit të palodhshëm edhe të dëshmorit Jashar Jashari, i cili do të veprojë me emrin e luftës Komandant Duraku, u bë shpërndarja e kontingjentit të parë të armatimit për luftëtarët. Në fshatin Trimor, ato ditë, po ashtu ishte hapur edhe qendra stërvitore e njësiteve të UÇK-së.
Një organizim i tillë ushtarak pasoi edhe në fshatrat Strofc, Burim (ish-Bivolak) e Gurakuq (ish-Gllavotin). Në formimin e njësiteve të UÇK-së në këto fshatra u angazhuan Hashim Saraçi, Xhevdet Klinaku e Sami Saraçi, nga Burimi; Agim Saraçi, Shaban Haliti në Gurakuq e Rrahim Tahiri në Strofc. Pas këtij organizimi, pozicionet e UÇK-së u shtrinë përgjatë vijës së frontit që përfshinte fshatrat rrëzë Çyçavicës, Mirash (ish-Mihaliq), Gurakuq, Hamidi, Lajthishtë, Hade, Bardhi i Madh. Përballë këtyre pozicioneve, forcat serbe ndodheshin të përqendruara në fshatrat serbe, Prelluzhë e Plemetin. Ato tashmë vetëm mund të granatonin nga largësia, në drejtim të fshatrave shqiptare, por nuk mund të depërtonin në to, sepse gjokset e luftëtarëve të lirisë, në radhët e të cilëve bënte pjesë edhe dëshmori Jashar Jashari, ishin bërë bedem i pathyeshëm. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte rreshtuar edhe vëllai më i madh i Jasharit, Januzi, i cili, më 18 prill të vitit 1999, ra dëshmor, si pjesëtar i Batalionit të Parë të Brigadës 142 të UÇK-së.
Dëshmori Jashar Jashari, si pjesëtar i njësitit për intervenim të shpejtë, kishte marrë pjesë edhe në aksionin e parë të sulmit kundër forcave serbe në fshatin Hamidi, në qershor të vitit 1998. Në këtë aksion, ku ndër të tjerë shquhen edhe luftëtarët Arif Krasniqi, Sami Saraçi, e Abedin Kelmendi, vriten 4 militarë serbë dhe rrëmbehet edhe armatimi i armikut.
Shtrirja dhe masivizimi i UÇK-së, në verë të vitit 1998, kërkonte edhe armatim të nevojshëm, mungesa e të cilit përbënte një pengesë serioze për luftëtarët e lirisë. Për të plotësuar nevojat e këtyre luftëtarëve të pajisjes me armatim, komandant Duraku organizoi shkuarjen e disa grupeve të luftëtarëve në Shqipëri për të sjellë nga atje armë dhe pajisje të tjera ushtarake. Në muajin gusht të vitit 1998, shkoi edhe vetë në Shqipëri, ku u angazhua për organizimin edhe më të mirë të këtij segmenti të logjistikës së UÇK-së. Angazhimi i tij në këtë detyrë ishte i një rëndësie të veçantë, sepse ai kishte njohuri të nevojshme, sidomos për pajisjet komunikuese, në të cilën lëmë kishte studiuar në Akademinë Ushtarake të Mostarit. Ndërkohë, dëshmori Jashar Jashari, për të siguruar mjete të ndërlidhjes, shkon në Gjermani, me ç’rast një kohë të caktuar do të qëndrojë edhe në familjen e ngushtë, e cila po ndiente mungesën e tij. Nga atje, ai solli në Shqipëri pajisjet e siguruara. Aktivitetin në këtë segment të logjistikës e vazhdoi deri në pranverë të vitit 1999, kur më 29 mars, së bashku me 45 luftëtarë të tjerë mësyn të hyjë nga Shqipëria në Kosovë. Mirëpo, forcat serbe, të përqendruara në fortifikatat përgjatë kufirit, i kishin hetuar lëvizjet e çlirimtarëve dhe kishin organizuar pritë kundër tyre. Prita ishte ngritur te vendi i quajtur Livadhet e Qershisë në afërsi të fshatit Shishman. Me të filluar sulmi kundër tyre, luftëtarët e lirisë, në radhët e të cilëve ndodhej edhe komandant Duraku, bënë një rezistencë të denjë për çlirimtarët. Në këtë betejë, në altarin e lirisë, ra dëshmori Jashar Jashari. Në çastet e fundit të jetës, pasi kishte marrë plagë të rënda, atë kishte bërë përpjekje për ta tërhequr nga fusha e zjarrit, bashkëluftëtari i quajtur me emrin Esat, i cili po ashtu kishte marrë plagë. Pasi kishte vërejtur se po e lëshonte forca, dëshmori Jashar Jashari, këtij bashkëluftëtari ia dorëzon revolen dhe pasaportën e vet. Përkrah tij ranë edhe 13 bashkëluftëtarë të tjerë. Trupi i dëshmorit Jashar Jashari, pas përfundimit të luftës, u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve, në Bletajë.
Me emrin e dëshmorit Jashar Jashari është emërtuar kazerma e Batalionit 34 të Xhenios të Zonës së Katërt të Trupave të Mbrojtjes të TMK-së. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …