Ky është titulli skandaloz i një shkrimi, botuar në gazetën më numrin më të madh të gënjeshtrave e sensacioneve në Kosovë, “Koha Ditore”. Titulli i këtij shkrimi me shkronja të mëdha është jo vetëm i përgjithësuar, por edhe racist e antikombëtar. Një titull të tillë vështirë se e gjen në mediet serbe apo në mediet e tjera me qëndrim antishqiptar. Mendoni pak, kur kexoni shkrimin se në Kosovë po i mbytkan femrat, me qëllim për t i privuar nga trashëgimia, njëjtë sikur në disa nga shoqëritë pagane në vende të ndryshme të botës, ku femrat e sapolindura vriteshin.
Autori apo autorja e shkrimit, nuk është cituar burimi, e ka ngatërruar me qëllim barazinë gjinore me trashëgiminë, sepse e drejta e trashëgimisë është e drejtë, qoftë sipas ligjeve, qoftë edhe sipas të drejtës zakonore shqiptare, meqë ndër ne tradicionalisht nuk merret as jepet trashëgimia. Nëse bija e një prindi nuk e merr trashëgiminë nga i ati, me rastin e martesës, këtë nuk e kërkon as biri i tij nga nusja, e cila vjen në shtëpi të burrit. Kjo është një zgjidhje e përgjithshme, jo vetëm ndër shqiptarë po kudo në botë.
Me shkrime të tilla pretendohet të baltoset tradita dokësore shqiptare, ndërkohë që gazeta nuk ka dhënë as edhe një rast konkret që vëllai ta ketë vrarë motrën, apo prindi të bijen për të mos ia dhënë trashëgiminë, e cila thjesht në parim as këkohet për veç në raste të veçanta. Edhe pse në titull shkruhet “Në Kosovë i mbysin femrat për t’i privuar nga trashëgimia”, nuk janë evidentuar rastet e tilla, madje nuk është evidentuar asnjë rast i vetëm. Edhe po të kishte ndonjë rast të tillë primitiv e vrastar, ai do të ishte një rast i veçantë i krimit që edhe mund të ndodh. Kjo nuk nënkupton se shqiptarët në Kosovë i mbysin femrat pët të mos iu dhënë trashëgiminë.