Nuk e kam kuptuar kurrë dhe vazhdoj të mos e kuptoj, se si, kaq haptas dhe pa e ndjerë në vete mëkatin politik, që në disa raste nuk është vetëm i tillë, njerëzit e politikës sonë, kur ka qenë fjala për lidhjet me Kosovën dhe ndërthurjen e mendimit të përbashkët, më lehtë e kanë gjetur të bashkëpunojnë me njerëz të cilët, në një kohë jo shumë të largët, kanë qenë ndër figurat kryesore dhe të rëndësishme, të shërbimit të fshehtë serb.
Megjithëse aty ka pasur intelektualë të klasit të parë dhe atdhetarë përtej çdo niveli, e, megjithëse përsëri ka të tillë, politika shqiptare në Tiranën zyrtare e ka pasur më të lehtë, apo është detyruar, të zgjedhë dhe të afrojë “mëkatarët” shqiptarë të Kosovës.
Jam i bindur se shumë njerëz mund ta quajnë këtë si një paranojë e kotë, që nuk ka edhe aq lidhje me të vërtetën dhe që sillet si një fantazmë mbi politikën e Tiranës zyrtare.
Le ta shohim:
Në vitin 1990, sapo u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës, ajo, menjëherë krijoi edhe shërbimin e saj të fshehtë informativ. Në krye të këtij shërbimi u vendos Mehmet Loci, njëra ndër figurat më të njohura të shërbimit informativ serb, drejtues i këtij shërbimi në Pejë.
Rreth vetes dhe në bashkëpunim me dy figura politike të LDK-së, me Rexhep Gjergjin dhe Anton Kolën, ata krijuan një grupim të rrezikshëm me figura të njohura udbashe si Ibush Kllokoqi, shefi i shërbimit të fshehtë serb në Prishtinë, Ejup Bajgora, Selim Brosha, Lutfi Ajvazi, Fadil Kajtazi, të cilët, gjatë luftës, duke u prirë nga nënkryetari i LDK-së, Ekrem Kryeziu i Prizrenit, krijuan grupin për hetimin e “krimeve” të luftëtarëve të UÇK-së, dokumentimin e tyre dhe, të dhënat e tyre i përcollën drejt dosjeve të tashme serbe në Gjykatën Speciale.
Mehmet Loci, nga njëri prej t burgosurve politikë, të torturuar prej tij, është shprehur se “ishte një spiun i frikshëm, i fortë, ishte shtazë e uritur, i pangopshëm, që kishte Serbinë atdhe. Ai njihej edhe si “Hitleri prej Peje”.
Mehmet Loci do të bëhej shumë shpejt, pas majit të vitit 1992, njëra ndër figurat lidhëse mes bashkëpunimit të heshtur, por efektiv, mes Shërbimit Informativ të shtetit Shqiptar dhe atij të krijuar nga LDK-ja, e që në fakt ishte një zgjatim i forcës serbe në Prishtinë, që po zgjatej edhe drejt Tiranës.
Në fillimin e vitit 1992, menjëherë pas ardhjes në pushtet të PD-së dhe ngritjes së strukturave të para të shërbimit të ri inteligjent, i cili iu besua një njeriu të afërt me Berishën, por që më pas ishte i përfshirë edhe në afera të tjera; në Tiranë, gjithnjë e më afër qeverisë, sidomos Gazidedes, u shfaq një shqiptaro-maqedonas, me emrin Petrit Ame. Për pak kohë ai u shndërrua në një mik të afërt të Gazidedes, dhe u bë “eminenca gri” e tij. Shteti shqiptar, edhe pas informacioneve që mori, se ky njeri, i burgosur më parë në Belgjikë, për trafik droge dhe pjesë e grupimeve mafioze, ishte njëkohësisht edhe një ndër miqtë e afërt të Arkanit, Zheljko Raznjatoviç, i njohur si kreu i paraushtarakëve serbë, emrat e të cilëve i gjen në të gjitha krimet serbe të fund shekullit të shkuar, përsëri e bëri njeri të afërt dhe i besoi pjesë të rëndësishme të kontrabandës së karburanteve përmes Malit të Zi, e më pas edhe të trafiqeve të tjera.
Petrit Ame dhe, vëllai i tij, Flamuri, janë dibranë të pjesës së shtetit maqedon. Ame, Petrit, përmes veprimtarive të paligjshme në disa shtete të Evropës, ishte pasuruar, por edhe i mbuluar nga problemet me drejtësinë. Para fillimit të luftës në Kosovë ai ishte gjithnjë i pranishëm në mjedise ku ishin edhe politikanë të lartë shqiptarë dhe, duke patur mbështetjen e Shërbimit Informativ, trafikun e drogës dhe të armëve e bënte përmes doganës së Bllacës.
Në skenën politike e më pak mediale shqiptare emri i Petrit Ames u bë i njohur, kur, jo rastëssht, u bë publik një takim i papërgënjeshtruar kurrë i Arkanit ( Zheljko Raznjatoviç), ish shef i paramilitarëve serbë me ish shefin e Shërbimit Informativ Kombëtar, Gazidede. Ndërmjetësi i këtij takimi jo rastësisht ishte pikërisht Petrit Ame.
Ame dhe Arkan kishin qenë në të njëjtin burg në një shtet evropian, Belgjikë – Bruksel , dhe aty ishin bërë vëllezër gjaku.
Në rrugëtimin politik të 30 viteve pluralizëm, gjithnjë nën idenë se koha e shkuar kishte qenë hermetikisht e mbyllur, vërshimi jo i rastësishëm i një grupimi tejet proserb në Shqipëri ose i lidhur me rrjetet mafioze të kohës, bënë që politika shqiptare ta quante të natyrshme dhe ta pranonte këtë prani, që shtohej dhe që përmes formave të ndryshme mediale e shtetërore, ndikonte dhe vazhdon të ndikojë në politikën e shtetit shqiptar.
Përzgjedhja që është bërë ka qenë në mjaft raste miope, e lidhur me interesa që flakën jashtë ose mënjanuan mendje të shëndosha kombëtare, duke u bërë rrugë hapjeve të gabuara, të pajustifikuara dhe shpesh herë anormale.
Lista e njerëzve të lidhur me shërbimin e fshehtë serb që determinoi në shtetin shqiptar ka qenë e lartë, duke u nisur që nga janari i vitit 1991, kur erdhën emisarët e parë dhe që sollën financimet e para serioze për opozitën e deri tani, kur shefi i tashmë i qeverisë bën të njëjtat rrugëtime të habitshme politike, megjithëse lehtësisht mund të jetë në atë që ai e quan “habitati i tij politik“.
Për disa vite, shefi në hije i qeverisë Berisha do të ishte një njeri fantazmë e botës politike të shërbimit të fshehtë serb dhe nipi i drejtuesit të këtij shërbimi, Stanishiqit. Damir Fazlliq, i cili vinte nga bota e errët, do të shpallej në Kuvendin e Shqipërisë si miku personal i familjes Berisha, i paprekshëm, lëvizës i milionave euro në botën e dyshimtë të financës, ku dilnin pranë tij tre njerëz, Argita Berisha, Lulzim Basha dhe kunati i tij.
Fazliçi do të ishte për disa vite njeriu më i fuqishëm në pas-skenën e politikës, që vendoste edhe kandidatët për kryetarë bashkiakë dhe që, përmes tij mund të bëheshe i pasur. Është rasti më flagrant se si nipi i shefit t krimeve në Kosovë shtrihej në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, si të ishte në zyrën e dajës së tij.
Të afrosh pranë vetes, qoftë si këshilltarë politikë apo si drejtues institucionesh figura që, në njërën këmbë a tjetrën, kanë qenë a janë të lidhur me botën e shërbimeve informative të nëntokës serbe, nuk është modernitet dhe as largim i asaj që quhej luftë e klasave. Jo rrallë prej tyre kanë ardhur dje ksenofobe dhe qëndrime paternaliste të politikës, janë krijuar shtjella të paqëndrueshme dhe janë bërë si të domosdoshëm të politikës sonë.
Shumë vetëve u është dukur e habitshme kur , disa muaj më parë, Baton Haxhiu, këshilltari i tashëm, zyrtar e ndoshta jo zyrtar, i shefit të qeverisë, Edi Rama, iu drejtua presidentit të vendit me emrin e tij të lindjes, krejt thjeshtë, Ilir.
Por, përmes rreshtave të asaj letre kishte shumë më tepër gjëra të panjohura dhe të rëndueshme se sa kaq. Pra, se sa ajo që qëndron mes dy njerëzve , të cilët, ia kanë lejuar vetes të i drejtohen njëri tjetrit me emër. Me shumë pak finesë ai dëshmonte se vetë ideja e krijimit të LSI-së kishte qenë e tija, se ai i kishte gjetur sloganin; më tej se pas propozimit për president kishte qenë vetë ai, Haxhiu etj, gjëra që më pas kurrë nuk u përgënjeshtruan.
Po ashtu, Baton Haxhiu, njëri ndër gazetarët e paktë që në pragun e fillimit të luftës u takua fshehtas me shefin e Shërbimit Informativ të Serbisë, Stanishiqin e njohur, më parë se të dalë Rama me idetë e tij, del ai, dëshmon ai lëvizjet qeveritare, etj.
Kohë më parë Rama kishte vendosur që këshilltari i tij për rajonin të ishte Shkelzen Maliqi, i cili është njeri i ditur, por edhe i biri i Mehmet Maliqit, ish ministrit ë brendshëm të Kosovës, organizator i planit „Bistrica“, përmes së cilit u vranë nacionalisti, Hasan Remniku dhe grupi i tij.
Në qeverinë e tashme ministre e Arsimit është zonja Besa Shahini. Mund të jetë tejet e aftë dhe këtë e di më mirë ai që e ka vendosur. Por, njëkohsisht ajo është edhe mbesa e kryeshefit të UDB-së në Prishtinë, Ibush Kllokoqi, i cili ka qenë ndër më sadistët në burgosjet e shqiptarëve.
Dhe, pas gjithë këtyre lëvizjeve, herë të hapura dhe herë të mbuluara nën petkun e njerëzve intelektualë, kanë lëvizur milionat e botës së zezë financiare, të cilat kanë ushqyer partitë dhe drejtuesit e tyre, duke krijuar kështu një oligarki t rrezikshme, t gatshme që për një pasuri të re, të nxjerrin në ankand gjithë çka më të dashur dhe më të vyer ky vend. A po bien edhe tani këmborët e kësaj përplasje, kur, në të njëjtën ditë, në të njëjtën orë dhe me të njëjtat skenarë, opozita e tri vendeve , Mali i Zi, Serbi dhe Shqipëri, proteston dhe kërkon ringjalljen e viteve të errët?