Kryetari Jashari dhe nënkryetari Lushtaku në aksion për shuarjen e zjarreve

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari dhe nënkryetari Nuredin Lushtaku, kanë qenë të pranishëm në aksionin e shërbimeve emergjente publike, mbrëmë në disa pjesë të fshatit Llaushë, në shuarjen e zjarreve që kishe përfshirë pyjet e fshatit. Lidhur me gjendjen e krijuar në territorin e komunës së Skenderajt, kryetari Jashari ka apeluar tek qytetarët të jenë vigjilentë dhe të kujdesshëm në këto situata.

“Të dashur qytetarë, Ditëve të fundit jemi ballafaquar me disa raste të zjarreve në territorin e komunës sonë. Gjendja mund të merr përmasa më shqetësuese se kaq, nëse nuk kontribuojmë secili në ruajtjen e pyjeve, arave dhe pasurive tjera natyrore. Ka pohime se faktori njeri, nga pakujdesia, është shkaktari kryesor i zjarrvënies. Por nuk dua të besoj në këto konstatime, ngase besoj se si qytetarë jemi të ndërgjegjshëm të vlerësojmë pasurinë tonë, sikundër rrezikun dhe dëmet e shumta që mund të shkaktojnë zjarret. Deri në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme së bashku me nënkryetarin Nuredin Lushtaku, ishim në disa pjesë të fshatit Llaushë, ku kam parë angazhim të pashoq të të gjithëve, pjesëtarëve të Ushtrisë së Kosovës, banorëve lokalë, ekipeve të Zjarrfikësve dhe shërbimeve tjera emergjente, duke bërë përpjekje të mëdha në shuarjen e zjarrit. Komuna e Skenderajt dhe mekanizmat tjerë të sigurisë e të mbrojtjes, kanë marrë gjitha veprimet e duhura, rreth koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta, në parandalimin e zjarreve. Megjithëkëtë, për të pasur sukses në këtë “luftë” me zjarret, duhet bashkëpunim i ngushtë dhe me qytetarë. Andaj, bëj apel tek te gjithë për vigjilencë dhe kujdes maksimal, për të evituar rrezikun nga i cili kanosemi ne si qenie njerëzore, pastaj bota shtazore, pyjet dhe pasuritë tjera natyrore”, ka qenë reagimi i kryetarit të Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …