Jemi dëshmitarë se folklori ynë këtyre viteve ka një ngritje të dukshme dhe kjo padyshim na gëzon, si artdashës dhe si shoqëri.
…Për fat të keq, kohë më parë folklori ishte ngulfatur nga zhanret e ndryshme, si: turbo-tallava dhe orientalizma që nuk përkonin aspak me këngën shqipe?!
…Asokohe ishte pak më ndryshe, sepse mediet tona kishin rënë në duar të pushtuesit, i cili nuk lejonte të depërtonte kënga e mirëfilltë, por disa njerëz, me vetëdije apo pa të, punonin punën që i shkonte përshtat pushtuesit.
…Sot, duke qenë të lirë dhe duke mos pasu kurrëfarë censure, mund të këndojmë e vallëzojmë lirshëm, duke shprehur talentin tonë kudo gjithandej atdheut, por me keqardhje them se entuziazmin që e kishim atëherë, tani nuk e kemi.
…Kohëve të fundit janë hapur shumë radio e televizione kombëtare, private kabllore etj, që është një e mirë, sikur t’a rriste konkurrencën, por me sa po shohim, tani kanë filluar më shumë t’a dëmtojnë folklorin, se sa ta përsosin?! Sepse nëpër disa televizione kanë angazhuar njerëz jo profesionistë të cilët po i udhëheqin këto emisione të folklorit. Ata, edhe pse mundohen ta bëjnë punën e tyre sa më mirë, mund t’i sjellin dëm folklorit, sepse të krijojnë përshtypjen se nuk kanë fare skenar e regji, as skenografi të mirëfilltë dhe shpeshherë i ngjajnë një emisionit të mëngjesit siç ishte dikur në njerën nga Tv-të tona, “Hajt pak”?!
…Edhe rapsodët (jo të gjithë) duken të papërgjegjshëm dhe joserioz, sepse nuk e respektojnë sa duhet traditën dhe shkojnë të papërgatitur, pa veshje kombëtare të kompletuar, krejt laramanë, disa me kravata, me zinxhirë në qafë, në duar, me mjekra, me vëthë etj., si dhe për të qenë edhe më keq, pa plisa në kokë. Pra, nëse ne që merremi me folklor e shkelim traditën, atëherë çka presim nga të tjerët?!
…Shpesh ngjanë që pronarët e televizioneve janë edhe regjisorë. Ndodhë që këngëtari ka filluar këndimin, kurse fokusimi i kamerës qëndron krejt dikund tjetër, kështu që për shikuesin kalon një strofë e këngës ende pa e kuptuar kush po këndon?!
…Për dallim nga meshkujt, femrat janë paksa më të disiplinuara, më të përgatitura, si në veshje, dhe qëndrim në performansë.
…Si njeri që gjatë gjithë jetës jam marrë me këngën, apeloj që nëse nuk mund t’a ngrisim këngën aty ku e ka vendin, të paktën mos t’a dëmtojmë më shumë, sepse dëshira dhe mundësia janë dy gjëra që dallojnë.
…Që të jemi në shërbim të vlerave, duhet që këtë punë t’ua lëmë atyre që kanë dije e vullnet të na dhurojnë çaste argëtimi me këngë, valle, fjalë të urta, anekdota etj. dhe jo që të na detyrojnë t’a ndërrojmë kanalin televiziv.
…Dihet se emisione të përkryera nuk ka, por ka disa nga ato që prezantojnë vlera si: “Rrënjët tona” – RTK-Prishtinë, “Nga tradita” Tv top estrada-Tetovë dhe dy ish emisionet folklorike që e shuan aktivitetin e tyre për shkaqe të ndryshme si: “Rreth oxhakut” dhe “Konaku” nga Shkupi.
…Folklori ynë është ndër më të pasurit në botë dhe me shekuj u përballoi kohërave. Tani jo vetëm që duhet t’i përballoj kësaj kohe, por edhe të ngrifet në cilësi, sepse duhet të krijojmë kushte për një gjë të tillë, e jo të presim nga dikush jashtë nesh. Kur kjo të ndodhë, publiku do të rritet në numër, por edhe sponsorët do të jenë më të shumtë në përkrahje të vlerave.
Me shumë dashamirësi dhe respekt për Ju adhurues të folklorit: M.Mezini