Nëse është ky shteti i Kosovës, nëse ne jemi bijtë e saj dhe nëse e duam shtetin tonë, atëherë shtrohet pyetja logjike: përse po e djegim Kosovën, përse qytetarët tanë (një pjesë e pandërgjegjshme), ka marrë shkrepësen në dorë dhe po i vë flakën mezhdave, shkurreve, amullive të mbetura, mbeturinave plastike, pyjeve madje po vë në rrezik serioz edhe djegien e shtëpive si dhe jetën e qytetarëve tanë!
Ky veprim sa primitiv, aq edhe i çoroditur, këta piromanë janë bërë të pa mëshirshëm ndaj natyrës, bukurive, humusit të Kosovës dhe qytetarëve të saj, duke rrezikuar të djegin edhe shtëpitë dhe ushqimin e bagëtive, rrezikojnë pasurinë, bizneset etj. Jo pak raste janë shënuar, kur zjarri i është vënë (me qëllim apo jo), edhe sektorit të bizneseve si markete të ndryshme, punëtorive të vogla e të mesme e kështu me radhë, mbase për të mbuluar falimentimet, zhvatjet apo humbjet me zjarr!…
Kudo që kaloje, tym që të futej brenda në makinë dhe sa s’të ngulfatëte. Tym që të futej në oborr, në shtëpi, tym që zinte rrezet e diellit dhe errësonte qiellin e Kosovës. Flitej se persona të pandërgjegjshëm, pyjeve ua futin flakën me qëllim në mënyrë që më pastaj ta presin masën drunore për ta kthyer atë në lekë përfitimi!, ky veprim kriminal, ky krim i pafalshëm që po djeg tokën, pyjet, bimët dhe gjallesat tjera të Kosovës, duhet ndaluar, duhet dënuar dhe ndëshkuar rëndë. Duke qenë të vetëdijshëm s; sa vite duhen që të rigjenerohet pylli, shkurret, humusi dhe gjallesat e tokës së Kosovës? Ky dëm i pariparueshëm që po shkaktohet nga piromanë të ndryshëm, Kosovën po e dëmton më shumë se flakët e luftës që vendi ka përjetuar decenie më parë! Kosova është djegur me zjarr e flakë shumë herë, është bërë shkrumb e hi, por është djegur nga pushtuesi, qytetari i ndershëm me të drejt shtron pyetjen:
Nga kush po digjet sot Kosova, ku është ndërgjegjësimi ynë qytetarë, ku janë organet e rendit, a duhet që çdo qytetari të Kosovës të ia vemi nga një polic tek kokja, deri kur kështu???
Piromania e të çmendurve ishte njeri nga segmentet që po djeg Kosovën, segmenti tjetër është papunësia e madhe në Kosovë, në veçanti rinia që ka mbaruar e po mbaron shkollimin e po sorollatet rrugëve të atdheut me shpresa të thyera për një vend pune, për një jetë e perspektivë më të mirë, me pasiguri nën sqetull, me ambient dhe urbanizëm të degraduar, me prona, shtëpi e banesa të uzurpuara e tjetërsuara, me shëmti që të zë syri kudo, hedhje mbeturinash vend e pa vend, vend i kazinove dhe kabareve, vend i bredhjeve të bandave keqbërëse, vend i bredhjeve të qenve endacakë e agresivë, prerja dhe masakrimi i pyjeve, shëmtimi i gjelbërimit, ndotja e lumenjve, hedhja e mbetjeve etj. Kosova është shndërruar në shtet të kanoçeve, shisheve të plastikës, gomave të harxhuara makinash, teneqe të ndryshkura, xhama të thyer, hekurishte e karroceri makinash të ngrëna nga ndryshku i kohës, medikamente të skaduara, fasha, pelena dhe gjilpëra të përdorura, mbetje kafshësh hedhur gjithandej. Kosova me shtylla elektriku të kalbura dhe telave të rrymës shtrirë për dhe, me puse e lumenj të kontaminuar, me shpërthime kanalizimesh ku fekalet vërshojnë qytetet, fshatrat, fushat, luadhet, arat etj.
Në segmente të caktuara, ka rrugë që kanë filluar të shtrohen e ndërtohen, me katër e dy shirita, por që kanë mbetur në vendnumëro për shumë vite, duke krijuar tollovi në komunikacion, baltë gjatë dimrit, pluhur gjatë verës, grumbuj gurësh, dheu, makinash që nuk punojnë por “rrezitën” buzë rrugësh, kompani ndërtim që kanë “fituar” tender e kanë vu manifakturë mbi këto rrugë që nuk po përfundojnë dot për kaq vite si: Skenderaj- Kamaran, Prishtinë -Podujevë, Prishtinë -Pejë, Ferizaj, Kaçanik, Prishtinë- Mitrovicë e dhjetar tjera. Fatkeqësisht edhe ato që i kanë “përfunduar”, ende pa kaluar viti, janë qarë e shembur.
Quo Vadis Kosovë!
Të gjitha këto për pasojë, kanë krijuar ambient dhe kushte që shumë nga insektet infektuese, në mesin e tyre edhe mushkonja të shumta të cilat mund të jenë bartëse të sëmundjeve të rrezikshme për qytetarët tan. Këtë e kam vërejtur jo më larg se para dy javësh në vendlindjen time; insektet të bezdisshme për gjatë gjithë rrjedhës së kanalizimit në Prekaz të Epërm deri tek ai i Ulët, aty ka shpërthyer kanalizimi i fekaleve që nga Atavat deri tek Prekazi i ulët. Tërë luadhet (me një gjatësi gati 4 km), janë kontaminuar nga vërshimi i fekaleve, vend ku kullosin bagëtia e fshatit, qumështin e të cilave e përdorin qytetarët tanë, fëmijët tanë? Në sa fshatra dhe qytete të Kosovës është e njëjta gjendje A ka shtet, kush i mirëmban këto kanalizime që kanë vërshuar ara dhe luadhe, që kanë krijuar vatra insektesh, që kanë kontaminuar ujin e të gjitha puseve të mëparshme, duke e bërë të pa pijshëm madje as rrobat nuk guxojnë të pastrohen më atë uji që dikur ishte bilur, ishte i pijshëm, uji me të cilin jemi rritur!
Kam parë me sytë e mi, edhe njerëz të papërgjegjshëm, më mirë me thënë idiot, të cilët në shtëpitë e tyre mbushin thasët me mbeturina, dhe në kalim e sipër i hedhin nga dritarja e makinës; buzë arave, buzë luadheve, buzë asfaltit e kudo! Si sakatohet vendi kështu, a është Kosova vendi ynë, pse e përdhunoni kaq rëndë e pa mëshirë atdheun ju o të pandërgjegjshëm e turpi ju mbuloftë!
Mendoni se këtë vend do ta trashëgojnë pas nesh bijtë dhe bijat, nipërit dhe mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat tona, Kosova nuk është e huaja, është e jona, ta ruajmë e mos ta djegim e vrasim me dorën tonë!
- 4.2019