Në emision javor: “Bisedë” në studion e TV-Diellit dhe në valët e Radios-Kosova e Lirë, ishte i ftuar veprimtari i Lëvizjes atdhetare, profesori i gjuhës shqipe, disa herë i burgosur politik, Binak Ulaj, i lindur në vitin 1944 në Vuthaj të Malit të Zi, në komunën e Plavës. Në Prishtinë ka kryer studimet në gjuhë dhe letërsi shqipe. Në vitet ’70-të ka qenë ndër themeluesit e Organizatës së quajtur, “Grupi Revolucionar i Kosovës”. Në vitet 1993-1996 ligjëroi gjuhën shqipe në Gjimnazin, “Xhevdet Doda”, në Prishtinë, prej 1996 deri në 2003 ishte edhe drejtor i asaj shkollë që për shumëçka ka bërë emër në Kosovë. Në vitet 2004-2009, ai drejtoi Zyrën e Përkthimit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe në 1996-2000 ai ishte nënkryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e në Prishtinë.
Binak Ulaj, fëmijërinë e rëndë dhe të mundimshme e kaloi në një trevë me histori të veçantë të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve, në një krahinë e cila 141 vjet më parë, me një Traktat ndërkombëtar, krejt padrejtësisht iu kishte dhënë Malit të Zi, por shqiptarët nuk u shkulën dot nga ato troje, edhe pse në kushte dhe rrethana të caktuara shumica syresh janë degdisur. Për ato troje është derdhur gjak jo vetëm i banorëve të Plavës e Gucisë por edhe shumë shqiptarë liridashës të viseve të tjera dhe janë troje amanet i të gjithë shqiptarëve…
Fillimisht, Binak Ulaj, në studion e TV-Diellit ka sjellë në kujtesë dromca të jetës në Vuthaj, në familjen kurdoherë në shënjestër të pushtuesit, pastaj shkollimi dhe përpjekja e paepur për t’ i bërë ballë rrebeshit të pamëshirshëm të kohës nën pushtim. Ai thotë se bijtë e bijat e Plavës e Gucisë morën pjesë në të gjitha përpjekjet e Kosovës për çlirim e bashkim. Nga kjo anë ishte veprimtarja, Ajshe Gjonbalaj, e burgosura politike e viteve 80- të shekullit të kaluar, e cila qe dënuar 13 vjet burg, e vetmja femër shqiptare së cilës iu shqiptua dënimi më i lartë me burg nga të gjitha femrat e dënuara për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 1981 dhe për veprimtari të organizuar kombëtare.
Ai ka shpjeguar hollësisht shkollimin e banorëve shqiptarë të kësaj treve në Kosovë, me qëllim për të ruajtur gjuhën e traditën kombit, si dhe mikpritjen që u ka bërë populli kudo në Kosovë, meqë në vendlindjen e tyre kishte vetëm shkollë fillore në gjuhën shqipe dhe dashuria për dije e shkollim ishe shumë e shprehur te malësorët, të cilët nuk hezitonin fare t’i dërgonin fëmijët për shkollim në Kosovë, pavarësisht kushteve të rënda ekzistenciale.
Ai thotë se frymëzimi dhe literatura që vinte nga Shqipëria, veprimtaria e organizuar atdhetare, leximi i veprave të rilindësve dhe shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë ndikuan në rizgjimin e ndjenjës kombëtare, e cila shprehej veçmas në Kosovë, ku popullata shumicë shqiptare i kishte rezistuar me shekuj pushtuesve. Ulaj përmend kohën kur punonte në fshatin,Vrellë të Burimit, aktivitetin atdhetar në demonstratën e tetorit të vitit 1968 në Prizren, ngritjen e flamurit edhe në Vuthaj në një dasmë më 12 tetor të po atij viti. Z. Ulaj ka sjellë në kujtesë edhe raste konkrete të dhunës së kishte ushtruar mbi shqiptarë regjimi i kohës sikur ishte vrasja e xhaxhait dhe babait të doktorit e veprimtarit të njohur, Jusuf Dedushaj dhe raste të tjera të vrasjeve tinëzare kundër shqiptarëve, në atë kohë.
Duke shpalosur veprimtarinë e fshehtë atdhetare, ai përmend shokun e tij, Idriz Zeqiraj i cili kishte kaluar kufirin dhe nga Shqipëria dërgonte literaturë në Kosovë, pastaj bashkëveprimin ilegal me veprimtarët e mirënjohur si: Kadri Osmani, Xhafer Shatri, Jashar Alia e shumë të tjerë.
Në përpjekjen për shënimin e një-vjetorit të demonstratave të vitit 1968, në vitin 1969 ishte dënuar me burg së bashku me disa veprimtarë për shkak se kishte shpërndarë afishe me Kadri Osmanin e shokë të tjerë, afishe të cilat i kishte shtypur me shaptilograf, Selami Elshani nga Mitrovica.
Veprimtari Binak Ulaj ka folur për kohën kur së bashku me veprimtarët e mirënjohur të Kosovës, Kadri Osmani, Xhafer Shatri, Mehmet Hajrizi, Jashar Alia, në fund të shtatorit të vitit 1973, kishin themeluar organizatën atdhetare të quajtur “Grupi Revolucionar i Kosovës” i cili më vonë kishte nxjerrë organin e vet të shtypit “Zërin e Kosovës”. Falë organizimit “në treshe”, dhe respektimit rigoroz të rregullave të konspiracionit, ishte zgjeruar veprimtaria, pavarësisht arrestimit të herëpashershëm të disave prej anëtarëve. Ndaj, ky grup, themeloi degët e veta në shumë qendra të Kosovës, por edhe në vise tjera shqiptare, ndër to edhe në Plavë e Guci, Në bazë të zgjerimit të suksesshëm dhe numrit të konsiderueshëm të anëtarëve, ku bënin pjesë edhe Kadri Zeka, i martirizuar së bashku me Jusuf e Bardhosh Gërvallen, në një atentat, në Gjermani, më 17 janar 1982, pastaj promotorët e Lëvizjes, Rexhep Mala e Nuhi Berisha, paraprijës të gueriles urbane në Kosovë, të cilët kishin rënë duke luftuar kundër forcave policore, natën ndërmjet 11 e 12 janarit të vitit 1984, Zija Shemsiu, i mbytur me tortura në burgun e Beogradit, më 5 maj 1985. Në këtë organizatë e cila më vonë u quajt Grupi Marksist-Leninist i Kosovës ishin edhe veprimtarët e paepur, Hydajet Hyseni, Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Nezir Myrtaj e shumë të tjerë, ishte edhe grupi paraprijës i demonstratave të vitit 1981, i cili në vitet 90-të do të kurorëzohet me themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Binak Ulaj në studion e TV Diellit dhe në valët e Radios-Kosova e Lirë ka folur edhe për jetën e kaluar nëpër burgje, fillimisht në vitin 1969, pastaj nga burg në burg prej vitit 1974 e deri në vitin 1979, izolimin tre muaj në pranverë të vitit 1981 si dhe izolimin dhe trajtimin blutal që i kishte bërë atij dhe rreth 300 të izoluarve të tjerë të burgosur më 29 mars të vitit 1989, kur regjimi i Milosheviqit kishte suprimuar autonominë e Kosovës.
Aktiviteti kombëtar revolucionar i Binak Ulajt, vitet e tëra nëpër burgjet e pushtueset mësimdhënia në shkolla, veçmas në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, në Prishtinë, ku ka punuar në vitet 90-të, veprimtaria intensive në dobi të kombit e atdheut, puna në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, qëndrimi i pa epur në rrugë të zhvillimit dhe përparimit të vendit janë tregues i një jete të tërë në shërbim të dijes përparimit dhe emancipimit arsimor e kombëtar.
Ai sot ndihet në masë i zhgënjyer me gjendjen e përgjithshme që po mbretëron në Kosovë, korrupsionin që ka përfshirë një pjesë të madhe të shoqërisë, mungesën e perspektivës për brezin e ri, migrimet e rinisë në kohën kur Kosova ka fituar lirinë e pavarësinë, keqpërdorimet e zyrtarëve, nepotizmin e shprehur dhe hendekun gjithnjë e më të thellë, mes shumë të pasurve e shumë të varfërve duke vënë në pikëpyetje klasën e mesme, e cila kudo në botën e zhvilluar e demokratike është klasë e qëndrueshme ekonomikisht.
( Bisedën, në studion e TV-Diellit me z. Binak Ulaj e zhvilloi, Ahmet Qeriqi)
Prishtinë
- 4. 2019