Salih Lajçi: Fjala e lamtumirës për heroinën, Fetnete Ramosaj

Salih Lajçi: Fjala e lamtumirës për heroinën, Fetnete Ramosaj

I nderuari baca Maxhun, e nderuara nëna Nushe, të nderuar familjarë Ramosaj, të nderuar bashkëluftëtarë, të nderuar familjarë të dëshmorëve, të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe të gjithë ju të pranishëm në këtë komemoracion, jemi këtu sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit Fetnete Ramosajt, njërës ndër eprorët dhe luftëtarët më të denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, veprimtares së pa kompromis të çështjes kombëtare që nga vitet e hershme të rinisë e deri në momentet e fundit të jetës.

Nga të gjitha personalitetet që kam njohur në luftë, Fetnetja është ndër personalitetet më të kompletuara. Ajo mori pjesë në përgatitjen e luftës, në bërjen e luftës dhe mbrojtjen e saj me krenari.

Nga kjo foltore, ajo skaliti me fjalët e saj luftën e UÇK-së, heroizmin e dëshmorëve dhe i dha dimension të merituar Epopesë së 24 Marsit dhe të gjitha fitoreve në betejat tjera ZOD-it.

Me punën e saj u bë institut në vete për prezantimin jo vetëm të heroizmit të luftës por edhe në dokumentimin e fakteve për krimet që bëri pushtuesi ndaj popullatës civile.

Zëri dhe qëndrimi i saj u bënë sinonim i prezantimit te luftimeve te çdoditshme ne Dukagjin, ku shpesh here u gjet krah per krah me komandantin e Zonës Ramush Haradinaj ne beteja vendimtare kundër forcave te armikut.

Rënien e bashkëluftëtarëve dhe dhimbjen për ta e kthente në forcë dhe motiv për beteja të reja.

Raportimet nga vijat e frontit i kishte të veçanta, ajo ishte repotere luftëtare, historiane dhe intelektuale që heroizmin e dëshmorëve e preku me duart e veta, prandaj gjaku i dëshmorëve u shndërrua në ngjyrë të penës së saj.

Edhe kur a kam takuar herën e fundit ndjeva forcën e saj në përballje me betejën e fundit në jetë.

Sot e kam vështirë t’i numëroj të gjitha që bëre dhe që ndjeve për lirinë e Kosovës, ti e nderuara luftëtare Fetnete Ramosaj.

Ishe ndër femrat e para në celulat e hershme të UÇK-së, ishe krah për krah më gratë dhe burrat më të devotshëm të atdheut. Do ta kemi vështirë ta plotësojmë mungesën  që lë.

Por e respektuara Fetnete, ti burrnesha e Dukagjinit, heroina e UÇK-së, ti heroina e fjalës së lirë, ti guximtare e së vërtetës, shumë e nderuara mike, e dashur për miqtë dhe e pakompromis për armiqtë, prehu e qetë pranë heronjve në Gllogjan, bashkëluftetarëve të tu, nami i të cilëve ishte nami yt.

Emri yt pasuron denjësisht fondin e artë të vlerave tona kombëtare.

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës së lirë.

Lavdi!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …