leoni

Bardhul Mahmuti

Bardhyl Mahmuti: Mohimi i gjenocidit duhet të dënohet me ligj

Pas ish-zëvendësministres së Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Vesna Mikiq edhe Ivan Teodosijeviq, ministër në Qeverinë e Kosovës mohon krimet serbe në Kosovë. Çështja e përgjegjësisë së këtij ministri dhe shkarkimit të tij, të cilën me të drejtë e shtrojnë edhe një numër gazetarësh, është njëra faqe e medaljes së kësaj problematike. Çështja thelbësore ka të bëjë me mungesën e dispozitave ligjore që do t’i sillte përpara përgjegjësisë penale të gjithë negacionistët e gjenocidit serb në Kosovë.

Gjenocidi në Kosovë është fakt dhe negacionizmi nuk është “opinion”, por tërësinë e qëndrimeve dhe shpjegimeve të dhëna për të mohuar dhe shkatërruar vërtetësinë e gjenocidit ose një krimi kundër njerëzimit dhe shndërrim i gënjeshtrës në sistem që ka për funksion shmangien nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë apo e tërthortë në kryerjen e gjenocidit.

Përpjekja për të arsyetuar negacionizmin e gjenocidit serb në Kosovë me të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin është forma më neveritëse, sepse përpiqet të ambalazhojë mohimin e krimit me një nga të drejtat themelore të njeriut.

Sikur të ishin sanksionuar me dispozita ligjore çështja e mohimit të gjenocidit serb në Kosovë as avokati Edvard Gashi e as kushdo qoftë nga avokatët e Serbisë nuk mund t’i shpëtonin përgjegjësisë.

Avokati, Edvard Gashi dhe të gjithë ata që përpiqen të arsyetojnë deklaratat fyese me të drejtën për të shprehur lirshëm mendimin duhet ta dinë se vrasja e 1392 fëmijëve shqiptarë, vrasja e 1739 grave shqiptare, vrasja e rreth 10.000 civilëve të tjerë shqiptarë të të gjitha moshave, dhunimi i mbi 20 mijë femrave shqiptare dhe zhdukja e mbi 1600 kufomave civile nuk janë si çështja e pronave për të bërë dallavere, por fakte që dëshmojnë se forcat serbe aplikuan gjenocidin fizik dhe biologjik në Kosovë.

Në shumicën e shteteve të demokracive perëndimore negacionizmi i krimit të gjenocidit dhe krimit kundër njerëzimit konsiderohet si fyerje më e rëndë që mund t’u bëhet viktimave të këtij krimi, familjarëve të tyre dhe tërë kombit ndaj të cilit është ushtruar krimi. Për këtë arsye edhe dënohet me ligj. Për ilustrim po përmend kodin penal të Zvicrës, shtet që nuk ishte i implikuar në asnjërën nga luftërat botërore.

Neni 261 bis i Kodit penal të Zvicrës, i miratuar edhe përmes votës së popullit në vitin 1994, ndër të tjera thekson: ai i cili publikisht përmes fjalës, shkrimit, fotografive, gjesteve, dhunës verbale, fyerjeve, kërcënime apo çfarëdo forme tjetër mohon, minimizon apo arsyeton një gjenocid ose akte tjera të krimeve kundër njerëzimit do të dënohet me burg ose me gjobë”.

Dështimi për të miratuar rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë më 27 mars 2015 nuk duhet të dekurajojë asnjë politikan të ndërgjegjshëm që të krijohen normat e domosdoshme juridike për të vënë drejtësia në vend.

Është momenti i duhur që institucionet e shtetit të Kosovës, deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe forcat politike duhet të flasin njëzëri për të miratuar ligjet që do të vënin bazën e ndëshkimit të atyre që mohojnë gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …