Sanxhakut

Ismet Azizi: Ambiciet e italianëve, gjermanëve, kroatëve dhe serbëve për tokat e Sanxhakut

Shqiptarizim të popullsisë autoktone, joserbe, në Sanxhakun e Pazarit të Ri, qarqet reaksionare serbo – komuniste konsideronin kohën kur veshja kombëtare shqiptare, bartja në kokë e qeleshes (plisit), vazhdoi të bartet tashmë më lirshëm. Për herë të parë filloi vendosja e firmave të punëtorive dhe dyqaneve në gjuhën shqipe; pasoi zhvillimi i mësimit në gjuhën shqipe dhe vijimi i mësimit në shkolla në këtë gjuhë. Shqiptarizim me dhunë konsiderohej kur në Sanxhak gjuha zyrtare ishte shqipja, kur rrugët ishin emëruar me emra të figurave historike shqiptare, nëpër qytet valonin flamujt shqiptarë dhe harta e Shqipërisë Etnike.

Me mbështetjen e gjermanëve, më 6 gusht të vitit 1941, Këshilli i Komisionarëve miratoi Rregulloren për administratën në Kosovë. Është paraparë që këtë krahinë ta përbëjnë rrethet Mitrovica, Pazar e Ri, Vushtrri dhe Podujeva dhe se ajo do të jetë nën banovinën e Drinës, selia e së cilës do të jetë në Uzhicë. Shqiptarët do të duhet të delegojnë në banovinë përfaqësuesin e vet në rangun e ndihmësit të guvernatorit. Sipas dekretit, për krerët e rretheve do të emërohen anëtarët e etnicitetit që përbëjnë shumicën, ndërsa zëvendësit të jenë anëtarë të pakicës, me kusht që, të paktën, 25% e popullsisë së rrethit t’i takojë etnisë pakicë.

Lidhja Kombëtare Shqiptare rezistoi zbatimin e kësaj rregulloreje. Në një takim në Feldkomandanturën në Nish, më 16 dhe 17 nëntor të vitit 1941, përfaqësuesit e Lidhjes Kombëtare Shqiptare janë këshilluar që më nuk mund të diskutojnë për autonominë dhe se ata janë qytetarë serbë. Të dy palët arritën një marrëveshje për futjen e gjuhës shqipe në administratë, formimin e një administrate të veçantë financiare për rrethin e Mitrovicës dhe se xhandarmëria shqiptare nga 1 mars 1942, me të njëjtën përbërje dhe stafi ekzistues t’i bashkohet Rojës Kombëtare Serbe dhe të jetë pjesë integrale e saj.

Për t’iu dalë italianëve nga dora, ata në bisedime shpesh theksonin se zona italiane të interesit konsiderohen të gjitha territoret, ku popullsia shqiptare është shumicë, gjermanët urdhëruan qeverinë e Nediqit në dhjetor të vitit 1941, me rastin e sjelljes së rregullores për heqjen e banovinave dhe ndarjen e re territoriale, në këtë trevë të formohet një qark i veçantë, të cilit do t’i bashkëngjitet edhe rrethi i Studenicës me seli në Rashkë. Në rrethin e Studenicës nuk kishte asnjë banor shqiptar. Me këta 27 988 banorë të popullsisë serbe, dukshëm ndryshon struktura e popullsisë në territorin në fjalë. Dhënien e autonomisë kësaj pjese të Kosovës dhe Sanxhakut, gjermanët “de jure” do të pranonin ekzistimin e shumicës shqiptare, gjë që Italinë do ta sillte në pozitë të përtërijë kërkesën që këtë treve t’ia bashkëngjesë Shqipërisë. Tashmë, më 25 prill 1942, në Mitrovicë, dhe Pazar të Ri dhe më 26 prill në Vushtri dhe Podujevë, ka hyrë, në të vërtetë, numër simbolik, i anëtarëve të Gardës kuislingë të shtetit serb. Komandanti i xhandarmërisë shqiptare, Pajazit Boletini, është promovuar nga Millan Nediqit në rangun e majorit serb, dhe më vonë lejtnant kolonel, duke e emëruar atë komandant të qarkut të Gardës serbe të Shtetit. Dhe kështu, sipas autorit Rahiq: “Pushteti ishte i përzier deri me rastin e hyrjes së trupave komuniste në rajon”.

Bazuar në marrëveshjen gjermane – italiane, nga 23 prilli i vitit 1941 në zonën e pushtimit gjerman hynë: Priboji, Nova Varoshi, Senica dhe Pazari i R, ndërsa në zonën italiane territori i Plevlës, Bijelo Polës, Prijepolës dhe Tutinit. Gjermania, me një ndarje të tillë, vazhdoi të ruajë kontrollin mbi rrugët kryesore të Sanxhakut. Në anën tjetër, pjesa italiane është ndarë përsëri në dy pjesë, në dy federata të saj, ku federatës shqiptare i kanë takuar: Tutini, Rozhaja, Plava dhe Gucia, ndërsa asaj malazeze: Berana, Bijelo Pola dhe Plevla.

Menjëherë pas pushtimit të rretheve të Sanxhakut, është kryer lustracioni i plotë i personelit serb në sistemin administrativ dhe kështu në vend të tyre vinë myslimanët. Ky hap shkonte në favor të popullaritetit të regjimit të ustashëve në radhët e popullatës myslimane. Me gjithë kundërshtimet dhe kërkesat e myslimanëve, serbët u angazhuan, në masën sa ishte e mundur, që Sanxhaku t’i takojë autoriteteve pushtuese italiane. Për disponimin e myslimanëve ndaj idesë së bashkimit të Sanxhakut me Shtetin e Pavarur Kroat flet edhe ngjarja interesante që ka ndodhur në Senicë më 15 qershor 1941. Atëherë rryma pro ustashe, shfrytëzoi mos prezencën e gjermanëve dhe bënë puq duke e shkarkuan nga pushteti kryeshefin e rrethit që ishte me orientim pro shqiptar. Menjëherë pasoi një letër nga një pjesë e myslimanëve të Pazarit të Ri, të cilët kërkuan që rrethi i Dezhevës t’i bashkohet shtetit kroat.

Në anën tjetër, gjermanët qysh më 20 prill, në takimin me liderët shqiptarë të Kosovës dhe Dukagjinit, por edhe nga Dezheva, Shtavica dhe Senica, premtuan se do të krijojnë të ashtuquajturat “Shqipërinë e Vogël” si një kundërpeshë ndaj Shqipërisë së Madhe, e cila do të ishte në unionin me Italinë. Kjo krijesë pritej të përfshijë tre rrethet e përmendura në territorin e Sanxhakut dhe disa pjesë të Kosovës dhe Dukagjinit.

Shqiptarët, deri në fund të prillit, e morën pushtetin në të tre rrethet. Megjithatë, së shpejti ai akt shfuqizohet dhe Qarku i Mitrovicës, së bashku bashkë me atë të Dezhevës dhe Senicës, mbetën në Serbi, edhe pse shqiptarët vazhduan të mbanin pushtetin. Qarku i Shtavicës (Tutinit) iu aneksua Shqipërisë së Etnike. Pas kësaj, aspiratat territoriale të shqiptarëve janë mbështetur kryesisht nga Italia, duke premtuar zgjerimin e pushtetit shqiptar jashtë qarkut të Shtavicës, Dezhevës (Pazarit të Ri) dhe Senicës në atë të Milleshevës dhe madje edhe në pjesët e rrethit Kralevës. Megjithatë, qeverisja shqiptare nuk është zgjeruar përtej qarkut të Shtavicës dhe Dezhevës, tashmë, siç është thënë më herët, në Senicë pushteti është hequr në mes të qershorit. Autori Zhivkoviq, për ta diskretituar pushtetin dhe kreun politik shqiptar, i akuzon ata që i sollën, shqiptarët nga Kosova dhe Dukagjini, duke u përpjekur që “me forcë të arrijnë të realizojnë pretendimet e tyre territoriale, sidomos ato përgjatë luginës së Ibrit. Edhe pse qeveria kuislingë shqiptare në territorin e qarkut të Dezhevës dhe Shtavicës kanë kryer ndryshim të plotë të personelit dhe u kthyen marrëdhënieve feudale nga koha para vitit 1912, megjithatë, nuk e fitoi përkrahjen e plotë të popullsisë myslimane. Mandej, si arsye kryesore për këtë, siç thotë ai, ishte zbatimi i një politike agresive të shqiptarizimit të myslimanëve, të cilët u konsideruan si shqiptarë të serbizuar”.

Zgjerimi i Shqipërisë së etnike dhe i Shtetit të Pavarur Kroat, sidomos në territorin e Sanxhakut, ka shkaktuar dyshimet e Italisë, e cila e konsideronte këtë hapësirë si një korridor të përshtatshëm për të përhapur ndikimin e saj në Serbi. Prania e forcave të armatosura të Shtetit të Pavarur Kroat në rrethet veriore të Sanxhakut nga Roma u pa si një akt i armiqësisë së hapur. Prandaj, autoritetet okupuese italiane kanë kërkuar bisedime të reja me përfaqësuesit e Rajhut në Serbi, të cilat u mbajtën në Beograd në fillim të korrikut 1941. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, qeveria italiane mori kontrollin e Nova Varoshit, Prijepoles, Pribojit, dhe Senicës, ndërsa gjermanët e mbajtën rrethin e Dezhevës me Pazarin e Ri. Trupat kroate me këtë rast janë detyruar të evakuohen nga Sanxhaku, të cilin e kanë bërë deri më 5 shtator të vitit 1941, kur ushtria italiane, më në fund, i pushtoi këto zona.

Deri në kapitullimin e Italisë në shtator të vitit 1943, nuk do të ketë ndryshime të rëndësishme në territorin e Sanxhakut. Kryengritja kundër forcave pushtuese në Sanxhak filloi më 14 korrik 1941, me sulmin në Mojkovc. Sulmi u zhvillua nën ndikimin e kryengritjes së fortë (partizane) në territorin e Malit të Zi, masivizimi dhe energjia ka befasuar jo vetëm italianët, por edhe Partinë Komuniste të Jugosllavisë.

Sipas autorit Milutin Zhivkoviqi: “Shqiptarizimi me dhunë i popullsisë myslimane u pasqyrua me faktin se myslimanët u detyruan të veshin qeleshe (plisa) në vend të fesit, t’i shkruajnë firmat e punëtorive dhe dyqaneve në gjuhën shqipe, për të mësuar gjuhën shqipe dhe të vijojnë mësimin në këtë gjuhë. Gjuha zyrtare ishte shqiptare, një numër i madh i rrugëve është emëruar me emra të figurave historike shqiptare, nëpër qytet valonin flamujt shqiptarë dhe harta e Shqipërisë së Madhe etj.”

Për disa ditë, përkatësisht deri më 22 korrik të vitit 1941, kryengritësit partizanë morën Kolashinin, Andrijevicën, Beranën, Bijelo Polen dhe Mojkovcin, ndërsa Plevla dhe Prijepole ishin bllokuar. Qendër e këtij territorit ishte Bijelo Pole. Shumë shpejt u bë organizimi i qeverisjes, në të vërtetë vendosja e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Në këtë kohë lindën mosmarrëveshjet në mes kryengritësve. Shumë oficerë dhe përfaqësues të pushtetit të para luftës nuk mundën ta njohin fazën e parë të revolucionit komunist. Superioriteti ushtarak dhe organizimi më i mirë se ushtria e kryengritëse (partizanët), trupat italiane lehtë copëtuan rezistencën dhe kështu, më 10 gusht të gjithë këtë territor e ripushtuan, duke lënë pas “gjurmë të përgjakshme”. Më në fund, më 5 shtator italianët hynë në Nova Varosh, të cilën në atë mëngjes e kishin marrë forcat kroate, por shumë shpejt u larguan. Deri në mes të tetorit do të ketë aksione kryengritëse në këtë rajon, vatra e konfliktit do të transferohen në rrethet lindore të Sanxhakut.

Siç mund të shihet, kryengritja partizane në Sanxhak është zhvilluar plotësisht në mënyrë të pabarabartë. Përderisa në Bijello Pole ekzistonte brigada me 5,000 kryengritës, të cilët morën qytetin lehtë pa dijen dhe drejtimin e KQ të PKJ, në rrethin e Shtavicës dhe Dezhevës si dhe në trevën e Rozhajës, nuk ka pasur asnjë kryengritës. Partia Komuniste nuk ka ekzistuar në këtë trevë dhe gjendja do të mbetet e pandryshuar deri në vitin 1944. Treva e rrethit të Senicës, Prijepoles, Pribojit e Novo Varoshit, për shkak të mos organizimit dhe inkoherencës së kryengritësve, mbetën të përjashtuar nga kryengritja deri në ditën e fundit të gushtit të vitit 1941, atëherë kur trupat kroate filluan të largohen nga Sanxhaku. Për të parandaluar përhapjen së kryengritjes, italianët kanë përdorur një numër të llojllojshëm të njësive të parregullta myslimane (fjala është për milicinë myslimane) nga Sanxhaku dhe Kosova dhe Dukagjini, për të frikësuar dhe dëbuar serbët të identifikohen si bartës të kryengritjes. Këto grupe dogjën fshatrat pranë Rozhajës, Brodarevës, Plavës, Gucisë, Peshter dhe Tutin. Qarku i Shtavicës (Tutinit) në korrik u bë vend takimi për të gjitha llojet e grupeve plaçkitëse (autori aludon në milicinë myslimane për të cilën do të flasim më vonë), veprimtaria e tyre rezultoi në anarki të plotë në këtë trevë të varfër. Ato grupe kanë lëvizur në drejtim të Bjello Poles, por, janë ndaluar në malet e Koritës. Deri në fund të vitit, të gjithë serbët e këtij qarku ishin shpërngulur. I njëjti rast ndodhi edhe me Brodarevën. Patjeter duhet të thuhet se ka pasur disa raste, të cilat duhet vlerësuar lart, të ndihmës së myslimanëve në strehimin dhe mbrojtjen e serbëve nga dhuna dhe dëbimi. Pas mossuksesit të kryengritësve (partizanëve) që të depërtojnë në Peshter dhe të bashkohen me Serbinë në malet e Maqkovicë, aty u vendos fronti, i cili më nuk lëvizi. Për ta mbrojtur më lehtë rrethin e Senicës, pushteti kroat, armatosi popullsinë myslimane, duke i rreshtuar në formacionet e milicisë myslimane. Situata më e ndjeshme ishte në qarkun e Pazarit të Ri, ku serbët, në fund të korrikut dhe fillim të gushtit, filluan spontanisht të rezistojnë ndaj taksave feudale të agallarëve dhe bejlerëve myslimanë. Pastaj, ndodhin vrasjet e para, të cilat me vete tërheqin hakmarrjet e xhandarmërinë shqiptare nga Pazari i Ri, dhe dëbimin e parë të serbëve nga rrethi i Pazarit të Ri. Refugjatët janë vendosur në malin Goli, dhe në luginën e lumit Ibër, ku u bashkua me aradhet çetnike të krijuara rishtazi. Njësitë çetnike pastaj u hakmorën kundër popullatës myslimane, dhe krijohet uvertura e konflikteve shkatërruese të armatosura që do të ndodhin gjatë tetorit dhe nëntorit të vitit 1941 në të gjithë qarkun.

(Vijon: Sanxhaku Lindor rrezikohet nga sulmet dhe shfarosja çetnike)

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …