Ministri Shala nis marrëveshjen për investime me shtetin e Katarit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, i ka propozuar Qeverisë së Kosovës aprovimin e nismës së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për negocim dhe përgatitjen e një marrëveshje në mes shtetit të Kosovës dhe të Katarit për promovimin dhe mbrojtjen reciproke të investimeve. Ministri Shala ka theksuar se qëllimi i kësaj marrëveshje është thellimi i bashkëpunimin ekonomik  ndërmjet dy shteteve. “Me qëllim të nxitjes dhe krijimit të kushteve të favorshme për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve ku secila palë kontraktuese promovon dhe inkurajon brenda territorit të saj investime nga investitorët e palës tjetër kontraktuese dhe në të njëjtën mënyrë do të pranojë këto investime në territorin e saj në përputhje me ligjet dhe rregullat e saj”, theksoi Shala. Sipas ministrit, kjo marrëveshje do të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Katarit, që do të ndikojë në rritjen e bashkëpunimit reciprok, përfitues, tregtar, ekonomik dhe njëkohësisht do t’u japë investitorëve të dy vendeve siguri dhe garanci se investimet e tyre do të mbrohen dhe do të trajtohen në mënyrë të plotë sipas ligjit. “Investimet reciproke do t’i ndihmojnë ekonomitë e dy vendeve, veçanërisht Kosovën e cila tashmë është në rrugën e zhvillimit të gjithanshëm”, ka deklaruar ministri Shala.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi Komunal i Vitisë mbajti mbledhjen e 11-të të rregullt

Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Vitisë, e njëmbëdhjeta me radhë, janë shqyrtuar …