Mbahet gara komunale e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik në Ferizaj

Programi Nacional për Rininë i paralajmëruar muaj më parë nga vizita e Koordinatorit Nacional për Rininë, Kulturën dhe Sportin, Rexhep Hoti në Ferizaj, me ç’rast u prit në takim nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, nisi garën komunale në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik. Në ambientet e shkollës fillore “Tefik Çanga” dhe shkollës “Çesk Zadeja”, koordinatori Hoti bashkë me deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica dhe drejtorin e Arsimit, Afrim Llabjani takuan nxënësit pjesëmarrës në këto gara, mësimdhënësit e angazhuar në kuadër të këtij programi si dhe drejtuesit e shkollave përkatëse. Koordinatori Hoti u shpreh shumë i kënaqur me organizimin e garës në këtë komunë. “Komuna e Ferizajt ka dëshmuar se e ka zhvilluar garën me sukses garën në nivelin e shkollës sepse ka nxjerrë 1500 fitues në nivelin komunal. Me këtë program, ne po përmbushim një të drejtë kushtetuese për nxënësit duke ju ofruar mundësi për aktivitete brenda dhe jashtëkurrikulare. E ardhmja nuk ka kuptim pa e bërë nxënësin kryeagjendë. Është ndër programet e vetme në nivelin e qeverisë që ka mbështetjen e opozitës dhe pozitës dhe ka mbështetje të jashtëzakonshme”, tha Hoti. Edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica tha se një garë e tillë që i jep mundësinë për garë të gjithë nxënësve pa dallim do ta ketë mbështetjen institucionale si nismë e domosdoshme që do të prodhoj rezultate pozitive. “U ndjeva jashtëzakonisht i lumtur që pashë gjithë ata nxënës, prindër e mësimdhënës nën emocionet e garës. Programi Nacional për Rininë ka mobilizuar të gjitha komunat e Kosovës për t’u dhënë hapësirë të gjithë nxënësve të shprehin talentin e tyre. Një mobilizim i tillë dhe angazhim kaq i madh nuk është parë asnjëherë. Kjo është hera e parë që është ndërmarrë një vendim i qeverisë i cili po u ofron të gjithë nxënësve pa dallim të jenë pjesë e garës. Zotohem se programi i drejtuar nga z. Hoti do ta ketë mbështetjen institucionale sepse është një nismë e domosdoshme, e cila do të prodhojë rezultate shumë të mira” tha deputeti Reçica. Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani duke e vlerësuar këtë program jashtëzakonisht të rëndësishëm për ngritjen e kapaciteteve të nxënësve, shoqërorizimin e tyre si dhe mundësinë për shfaqjen e talentëve tha se në shkollat e Ferizajt interesimi i nxënësve për këtë program ka qenë jashtëzakonisht i lartë, manifestimi i së cilës edhe po tregohet sot në këtë organizim.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …