Mehdi Nebih Bytyçi (11.11.1963 -16.4.1999)

Mehdi Nebih Bytyçi (11.11.1963 -16.4.1999)

Arllati i Drenicës, luftës së UÇK-së i ka dhënë dëshmorët: Mehdi Bytyçi, Sylejman Bytyçi, Abedin Bujupi dhe Sami Gashi. Gjatë luftës forcat ushtarake dhe policore serbe kanë martirizuar 14 banorë të këtij fshati.

Mehdiu u lind më 11 nëntor të vitit 1963 në Arllat. Mësimet e para i mori në vendlindje. Tetëvjeçaren e ka kryer në Shkollën fillore “Hasan Prishtina në Tërpezë. Drejtimin e Bujqësisë e ka kryer në Gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit. Më pas regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, drejtimi klasor.

Ka marrë pjesë aktive në demonstratat e rinisë studentore të marsit dhe prillit të vitit 1981. Më 2 prill, së bashku me shoqen e klasës Hilmije Plakiqi e të tjerë ishte në ballë të demonstruesve. Është rrahur nga “milicët” për shkak të pjesëmarrjes në revoltë.

Ata kërkonin të dinin edhe për pjesëmarrjen në demonstrata të vëllait të tij, Halitit.Ka kryer shërbimin e obligueshëm ushtarak në Armatën Jugosllave, në Nashice të Kroacisë.

Prej vitit 1989 e deri në vitin 1995 ka punuar në arsim në vendlindjen e tij, ku ishte ngritur shkolla e plotë tetëvjeçare. Ka qenë punëtor i përkushtuar në arsimimin e gjeneratave. Gjatë kësaj periudhe kohore, Mehdiu së bashku me vëllain e tij, Halitin, po ashtu arsimtar e me mësues të tjerë, merr pjesë në aktivitete të ndryshme, të cilat kishin për qëllim refuzimin e pushtetit okupator serb.

Mehdiu shquhej për karakterin e tij të pathyeshëm. Ishte i afërt dhe shumë i dashur me shokët. Mbante kontakte edhe me Azem Sylën, të cilin e kishte mik të shtëpisë. Duke qenë në rrjedhë të zhvillimeve shoqërore e politike në vitet ’90 dhe duke vepruar në drejtim të çlirimit kombëtar, Mehdiu dhe vëllai i tij Haliti, sërish maltretohen nga policia serbe. Për shkak të presionit sistematik që po ushtronte regjimi okupator serb, në vitin 1995, Mehdiu largohet përkohësisht nga Kosova dhe vendoset në Gjermani, në cilësi të azilantit politik. Ka vepruar në Shtutgart ku edhe ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me veprimtarët, të cilët tashmë e kishin kuptuar se vetëm me luftë të armatosur mund të lirohej Kosova nga okupimi i Serbisë.

Në fund të vitit 1997, Mehdiu kthehet nga Gjermania në Kosovë. Ai tashmë ishte bindur se lufta për çlirimin e Kosovës do të fillonte të intensifikohej. Kishte biseduar me vëllain Halitin, të cilit i kishte bërë me dije se tashmë do të fillonte stina e armëve dhe e luftës kundër robërisë shekullore dhe nuk do të kthehej më në Gjermani. Asokohe ka kontaktuar edhe me Ferat Shalën, i cili ishte në radhët e organizuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Fillimisht sistem ohet në pikën Pëllumbi në Negroc. Pastaj Mehdiu me shokë zgjeron radhët e kësaj pike në kohën kur kishin filluar të vepronin edhe njësitet “Lumi” dhe “Çeliku”.

Së bashku me Rafet Sopin, Bedri Bajraktarin, Abedin Bujupin, Jahir Sopin, Sefedin Feratin, Destan Bytyçin e të tjerë, në pranverë të vitit 1998 formon pikëm “Pëllumbi” në fshatin Kizharekë. Komandant i pikës ishte caktuar Bedri Bajraktari.

Në akordim me njësitet e tjera, “Lumi” dhe “Çeliku”, njësiti “Pëllumbi” merr pjesë në zënien e Grykës së Llapushnikut më 9 maj 1998. Mehdiu ishte në radhën e parë të përpjekjeve për ta zënë Grykën. Nga njësitet ku vepronte Mehdiu morën pjesë në luftime edhe Hilmi Sopi, Fadil Gashi, Rafet Sopi, Destan Bytyçi, Nuhi Adem Bytyçi, Osman Krasniqi, Sylejman Bytyçi, Arben Bytyçi e të tjerë.

Pas zënies së Grykës, Mehdiu formoi pikën e UÇK -së edhe në Arllat, ndërsa koordinonte veprimet e mbrojtjes dhe të vëzhgimit prej Lagjes Bytyqi në Arllat deri në Llapushnik.

Edhe pas rënies së Grykës së Llapushnikut, më 26 korrik të vitit 1998, Mehdi Bytyçi vepron në të njëjtat pozicione, duke sulmuar befasisht policinë dhe ushtrinë serbe. Makineria pushtuese serbe kishte krijuar një pikë në lagjen Bujupi të Arllatit, afër rrugës nga ku bombardonte fshatrat: Negroc, Arllat, Tërpezë Berishë etj.

Mehdiu, së bashku me Sylejman Bytyçin, Sami Gashin, Sylejman Bytyçin, Arben Bytyçin e të tjerë ka kryer shumë sulme kundër pozicioneve serbe, të cilët gjatë tërë dimrit kishin qëndruar nëpër pikat afër magjistrales në relacionin Komaran, Kijevë, Klinë.

Në nëntor të vitit 1998, Mehdiu së bashku me Shaban Sylën e luftëtarë të tjerë ndërmerr një sulm kundër forcave serbe të cilat ishin pozicionuar në shtëpinë e Ahmet Bujupit të Arllatit.

Me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, Mehdi Bytyçi caktohet Komandant toge në Lagjen Bytyçi, ku ishte njëra ndër pikat më të forta për të mos lejuar depërtimin e këmbësorisë serbe drejt fshatrave të Rrafshnaltës, ku emetonte program Radio-Kosova e lirë e agjencia Kosovapress, ku ndodhej Pallati i Qeverisë së Përkohshme, Shtabi i Përgjithshëm dhe njësitet speciale.

Lagjja Bytyçi e Arllatit dhe fshati Tërpezë, sidomos pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars të vitit 1999, ishte përballur me breshërinë e pandërprerë të forcave armike. Përveç mbrojtjes me heroizëm dhe dinjitet të pikave, Mehdi Bytyçi me bashkëluftëtarët sulmonte forcat serbe edhe prapa shpine.

Më 9 prill të vitit 1999, Mehdi Bytyçi, Sami Gashi, Arben Bytyçi, Osman Krasniqi, përballë vendit ku është ngritur lapidari për dëshmorët Mehdi e Sylejman Bytyçi, sulmuan policinë serbe, me ç’rast çarmatosin një polic serb, ndërsa vrasin një tjetër.

Më 16 prill të vitit 1999, forcat e këmbësorisë serbe, të pozicionuara te Lagja e Xhamisë, herët në mëngjes fillojnë granatimin e Lagjes Bytyçi, e cila po qëndronte e patundur. Sulmi mbi popullatën civile kishte ngjallur panik, por edhe banorët e lagjes, të mësuar në kushte dhe rrethana lufte, përnjëherë evakuohen drejt fshatit Berishë. Mehdiu me togun e tij fillon mbrojtjen e pozicioneve, në kohën kur serbët tashmë ishin afruar me këmbësori. Lufta po zhvillohej nga shtëpia në shtëpi, ballë për ballë kundër forcave serbe.

Forcave të Lagjes Bytyçi iu kishte shkuar në ndihmë edhe njësiti special “Arbri”, të cilin e komandonte Rekfi Mazreku.

Serbët kishin depërtuar deri te shtëpitë e Jollëve dhe te shtëpia e Qerim Osman Bytyqit. Përleshja ishte zhvilluar në distancë tejet të afërt. Mehdiu po sulmonte serbët që po hapnin zjarr nga shtëpia e Qerim Bytyçit. Në shkëmbim të zjarrit të pandërprerë, Mehdiu goditet për vdekje dhe mbetet te dyert e oborrit të Qerim Osmanit. Bashkëluftëtarët po bënin përpjekje ta tërhiqnin, por ishte e kotë, meqë serbët ishin me qindra. Në sulmet ballë për ballë plagoset rëndë edhe pjesëtari i Njësitit Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, bashkëluftëtari i pandarë i Mehdiut, Sylejman Bytyçi, të cilin e tërheqin luftëtarët, Mentor Morina, Osman Gashi, Arben Bytyçi e të tjerë. Sylejmani vdes nga plagët, dy javë më vonë.

Në mbrëmje, vëllai i Mehdiut, Haliti depërton te Shtëpia e Qerim Osmanit dhe e tërheq trupin e vëllait, të cilin me bashkëluftëtarët e nis në drejtim të Kleçkës, për ta varrosur në Kompleksin e varrezave të Dëshmorëve. Ndërkohë Sylejman Bytyçin të plagosur rëndë e dërgojnë në spitalin e Divjakës.

Më 17 prill, në kushte dhe rrethana të luftimeve të pandërprera, bëhet varrimi i dëshmorit të lirisë Mehdi Bytyçi, i cili kishte lënë, bashkëshorten, Ganimeten, bijtë: Arlindin, Arbanin, Granitin, babain, Nebihun, nënë Selën, vëllezërit: Halitin, Veliun, Nafiun dhe Pajazitin, motrat: Manën, Mihanen, Gjylën, dhe Fetijen.

Pas rënies së dëshmorit Mehdi Bytyçi, pushkën e tij e mori vëllai, Nafiu, i cili me luftëtarët e UÇK-së luftoi deri në çlirimin e Kosovës nga okupatori serb më 11 qershor 1999.

Familja Bytyçi ka marrë mirënjohje nga Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e QPK-së, nga drejtoria e Radios-Kosova e lirë si dhe nga shoqatat e luftës. Emrat e dëshmorëve Mehdi Bytyçi dhe Sylejman Bytyçi janë përjetësuar në Pllakën përkujtimore, e cila ndodhet te lagja Bytyçi, në magjistralen Komaran – Kijevë, ndërsa shkolla e fshatit mban emrin e dëshmorit, Mehdi Bytyçi. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …