Thuhet se politika është fusha ku fillon e ku diskursi publik helmohet dhe vdes një herë e mirë. Mënyra se si zhvillohet debati politik dhe jo vetëm politik, por debati publik në përgjithësi në botën shqiptare, lë të kuptosh se jo vetëm që atmosfera e diskursit publik është helmuar, por në të vërtetë, debati publik — në kuptimin e vërtetë të fjalës — ka vdekur. Kjo vdekje e debatit publik që ka filluar me përfaqsuesit e politikës, nuk mbaron tek politika, por ka përfshirë tani mbarë shoqërinë shqiptare, ndërkohë që atmosfera e debatit publik është e helmuar – kur me qëllim për të shtypur kundërshtarin – jo vetëm politikani ngrihet kundër politikanit, por edhe shkrimtari kundër shkrimtarit, gazetari kundër gazetarit, opinionisti kundër opinionistit, avokati kundër avokatit, mjeku kundër mjekut, e ashtu me radhë. Duket sikur shoqëria shqiptare po përjeton një konflikt të përherëshëm mbijetese. Madje edhe emërat më të njohur të kulturës dhe letrave të Kombit, janë çuar peshë kundër njëri tjetërit, në vend që të jenë shembull i një debati normal politik e publik në pëgjithësi. Një shembull që do ti shërbente zgidhjes së problemeve më të mëdha dhe të shumta me të cilat përballet Kombi shqiptar. Fatkeqësisht, në të gjithë këtë atmosferë të një debati publik të helmuar, viktima e parë e këtij diskursi të dështuar politik është gjithmonë e VËRTETA.
Shkas për këtë shënim u bë një lajm që lexova të hënën në mengjes në shtypin shqiptar, sipas të cilit, numri dy i qeverisë së Tiranës, Zëvendës Kryeministri i Shqipërisë, Erion Braçe në një status të postuar në internet, e cilësoi kundërshtarin e tij politik dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Bashën si, “idiotin e Tiranës”. Pa dashur të futem në polemikë me njërën ose tjetrën palë, ky karakterizim i Erion Braçes drejtuar Lulzim Bashës, më kujtoi titullin e një libri nga autori amerikan James Hoggan: “I’m Right and You’re an Idiot”, (“Unë kam të drejtë e ti je idiot”).
Më kujtoi gjithashtu protestat në Francë të disa muajve të fundit dhe mënyrën me të cilën qeveria dhe shoqëria franceze, në përgjithësi, kanë reaguar ndaj kërkesave të protestuesve. Si përfundim i protestave dhe pakënaqësive të shprehura rrugëve të Parisit, Presidenti Macron kishte ndërmarrë më heret një fushatë për të dëgjuar ankesat e francezëve anë e mbanë vendit, duke u takuar me kryetarët e bashkive dhe përfaqsues të tjerë të shoqërisë, për tu informuar më mire, për hallet e tyre. Si pjesë e kësaj fushate, Presidenti francez kishte në plan të mbante mbrëmë një fjalim drejtuar kombit për të njoftuar një sërë ndryshimesh politike që ka në plan të ndërmarrë qeveria e tij, bazuar në reagimet që kishte dëgjuar gjatë konsultimeve me publikun dhe në kërkesat e protestsuesve. Me fjalë të tjera, gjatë një periudhe dy mujore diskursi normal me publikun, janë realizuar rreth 10.000 debate anë e mbanë vendit dhe janë numëruar pothuaj dy milionë reagime në internet, sipas agjencisë franceze të lajmeve, AFP, të gjitha këto në lidhje me kërkesat dhe në përpjekje për të pasur një ide më të mirë për shqetësimet dhe për problemet me të cilat përballet Franca.
Nuk është e qartë nëse masat që do njoftoi Presidenti francez, Macron, si përgjigje ndaj kërkesave të protestuesve, do të shuajnë protestat e francezëve, por përpjekjet e tija për të dëgjuar edhe zërat kundërshtarë, tregon mënyrën se si, në një shoqëri normale, duhen trajtuar kërkesat dhe pakënaqsitë e popullit, pas protestave të gjata dhe të vazhdueshme. Agjencia e lajmeve, AFP, njofton se të pakën nga këndveshtrimi i pjesëmarrjes, debati politik i nxitur nga qeveria duket se, kryesisht, doli me sukses, ndonëse përfundimi mbetet për tu parë, pasi të Presidenti Macron të ketë njoftuar masat e qeverisë për daljen e vendit nga ky qorrsokak.
Edhe në Shqipëri kanë vazhduar protestat ndaj qeverisë, por në vend që të pakën të ketë një diskurs normal politik, për të dëgjuar shqetësimet e të gjitha palëve, përfshirë edhe opozitën politike, ashtu siç ndodhi në Francë dhe në vende të tjera që përballen me situata të tilla – në Shqipërinë tonë ndodhë e kundërta. Të dy palët, kundërshtojnë dialogun pasi në krye me udhëheqsit e tyre partiakë, janë ngujuar në llogoret e veta politike dhe sulmojnë njëra tjetrën me fjalët më të fëlliqta të fjalorit të gjuhës shqipe. Ndonëse të dy palët janë shqiptare, janë përfaqsues dhe si të tillë edhe përgjegjës për fatin e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm të atyre që përfaqëson partia e tyre — prap se prap — sjelljet e tyre lënë të kuptosh se kjo klasë politike, as si shqiptarë dhe as si politikanë, sikur nuk kanë gjë të përbashkët me njëri tjetrin, sidomos kur është fjala për interesat madhore të Kombit dhe të mirëqenjes së përditshme të qytetarëve. Në vend që të përpiqen të zgjidhin ose të pakën të minimizojnë konfliktet, politikanët shqiptarë, me veprat dhe sidomos me fjalët e tyre, duket se po e keqësojnë edhe më shumë situatën, në vend që ta përmirësojnë dhe më në fund ta zgjidhin dhe që qytetarët të vazhdojnë jetën normale.
Por le t’i kethehemi librit, “Unë kam të drejtë e ti je idiot”, të autorit James Hoggan: autori përpiqet të kuptoj se si dhe pse njerëz normal që konsiderohen krejtsisht të arsyeshëm, mbrojnë me këmbëngulje qëndrime krejtësisht të pa arsyeshme, duke e këthyer diskursin politik në një debat absolutisht të urrejtshëm ndaj kundërshtarëve politikë. Libri në të vërtetë është një forum mendimtarësh të njohur botërorë, të cilët eksplorojnë historinë dhe psikologjinë e diskursit politik dhe të metodave për tejkalimin e pengesave për një debat dhe komunkimin të vërtetë midis palëve me qëndrime të ndryshme. Si i tillë, ky libër është një vepër që, detyrimisht, duehj të lexohej nga politikanët si dhe nga mbështetsit dhe praktikuesit e një debati të mirëfiltë politikë, kudo.
Autori Hoggan shkruan se, “Objektivi diskursit të mirëfilltë politik e publik është që të inkurajohet pjesëmarrja dhe të zbardhet e vërteta dhe jo çkurajimi i opozitës ose që qellimisht t’u jepet një goditje shkatërrimtare kundërshtarëve”. Debati i sotëm publik, sipas tij, është një ndotje që në të vërtetë saboton dhe diskrediton diskursin e vërtetë politik, polarizon njerëzit dhe i pengon ata që të mendojnë qartë.
Sulmet kundër karakterit të kundërshtarëve, në vend që të përqëndrohen tek çështjet të një interesi dhe rëndësie të përgjithëshme, në të vërtetë, largojnë vëmendjen e publikut nga problemet aktuale të vendit, shkruan autori James Hoggan. “Kur qendrimet ekstreme të palëve përcaktojnë çështjet me rëndësi të debatit publik, atëherë problemet duken të pazgjidhëshme dhe qytetarët humbasin interesimin e tyre në proceset politike” të vendit, duke mos marrë pjesë aktive në politikë, shkruan Debra Tannen, njëra prej kontribueseve të librit të autorit James Hoggan, “Unë kam të Drejtë e ti je idiot”.
Autori merr frymëzim nga murgu dhe aktivisti i paqës, budisti vjetnamez Thich Nhat Hanh, i cili ka thënë: “Thuaj të vërtetën, por jo me qëllim për të ndëshkruar”, kundërshtarin. Prandaj, nuk do të thotë se njerëzit që nuk janë dakort me ne, kanë qëllime të këqia ndaj nesh. Si të tillë, ata nuk janë as idiotë as njerëz të këqi, është shprehur autori i librit “Unë kam të drejtë e ti je idiot”, James Hoggan.
Në fund, unë do i pyesja këta protagonistët shqiptarë, të cilët ndaj njëri tjetrit përdorin fjalët më të ndyra në fjalorin e gjuhës shqipe, përfshirë idiot – se në mungesë të një diskursi të mirëfilltë politik dhe publik dhe në përgjithësi objektiv, që respekton dhe toleron pikëpamjet e kundërshtarit – si mendojnë të zgjidhin problemet e mëdha dhe gjëndjen e vështirë në të cilën e kanë hedhur vendin? Ashtu si edhe në Francë, shpresoj që zërat e arsyes të bëjnë thirrje dhe të angazhohen për një Debat të Madh Kombëtar, për një përpjekje për të dalë nga ky qorrsokak.
Shpresoj që për të dalur nga kjo gjëndje e krijuar, të ketë një reflektim të thellë, jo vetëm personal dhe politik por edhe kombëtar nga ana e tyre — dhe të bëjnë një gjë të tillë duke mënjanuar armiqësitë dhe antagonizmat politike dhe partiake ndaj njëri tjetrit, me modesti dhe me respekt ndaj nevojës së madhe për zgjidhjen e problemeve të përbashkëta me të cilat përballen bashkatdhetarët vet, të cilët mund të kenë mendime të ndryshme për situatën në vend — ndoshta edhe prej një kundërshtari politik — por armiq nuk janë!