leoni

20-VJETORI I RËNIES HEROIKE TË DËSHMORËVE TË ATDHEUT, VISAR MUSTAFË HOTI DHE SAFET LATIF LATIFI

Në 20 vjetorin e rënies heroike të dëshmorëve Visar Hoti dhe Safet Latifi, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi ka thënë:  Të dashur familjarë të dëshmorëve, bashkëluftëtarë, ju që nderoni dëshmorët dhe vlerësoni luftën për çlirim, ju që jeni të gatshëm për të dhënë edhe sot dhe sa herë që kërkon Kosova djersën, punën dhe dijen tuaj në shërbim të idealit dhe qëllimit për të cilin u sakrifikuan breza të tërë atdhetarësh e luftëtarësh. Gjithnjë rikujtojmë se Visar Hoti dhe Safet Latifi u angazhuan në rrjedhat e veprimtarisë për liri, në një periudhë ku kërkohej përcaktim i qartë, rreshtim i drejtë dhe veprim i organizuar në rrugën e luftës së armatosur, si e vetmja rrugë e mbetur për çlirimin e atdheut. Kjo rrugë i këputi vargonjtë fizik të robërisë. hapi horizonte të reja në jetën tonë, po ashtu, mundësoi çlirimin shpirtëror nga mendësia e të qenit rob. Në themelet e kësaj Kosove i kemi vlerat e kombit, mundimet e panumërta, gjakun e trimave. E, Kosova falë luftës dhe sakrificave u shkëput nga kthetrat e grabitqarëve, e atyre që vranë, prenë dhe synuan të na shfarosin nga tokat tona. Visari dhe Safeti janë brezi i luftëtarëve që zgjodhën përballimin me të keqen deri në vetëmohim. Kur përkushtohesh kaq shumë në një moshë të re, siç bënë Safeti, Visari e të rinjtë si ata, në një periudhë ku vdekja të rrinte kudo, vërtet është nderë, kurajo dhe burrëri.

Të dashur të pranishëm!

Visar Hoti dallohej midis studentëve. Ishte i mprehtë dhe shquhej në aktivitete, jo vetëm në propagandë ose në shpërndarjen e Çlirimi-t, si veprimtar i organizuar që vepronte në kuadër të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, Ai arriti që të bashkoi për këtë qëllim edhe shumë shokë e bashkëmoshatarë të tij. Kjo ia shton peshën dhe vlerat Visarit, edhe si student i dalluar, por edhe si veprimtar ilegal. Visari u tregua luftëtar trim në betejat e 12 dhe 14 majit 1998, në betejat e korrikut 1998, në detyrën e furnizuesit me armë e municione, pastaj edhe në riorganizimin e UÇK-së pas ofensivës së shtatorit 1998. Më pas, Visari luajti rol në konsolidimin e Batalionit të Tretë të UÇK-së, e në betejën e fund-marsit 1999 në Gurin e Kuq, siç e kujtojmë ne Visarin atë ditë ku nga afërsia kryen aksionin e shkëlqyer me mortajë kundër forcave të shumta dhe makinerisë luftarake serbe që e ndali tanksin e ushtrisë serbe, e mu para hundëve të tyre, me mjeshtri arrin të fshihet, nuk u kap dot i gjallë dhe me zgjuarsinë e tij mbijetoi nën rrethim të plotë, derisa në mbrëmje u kthye në mesin tonë i shëndoshë si molla. Veprat e mira të Visarit u kurorëzuan me 18 prill 1999 ku bashkë me Safetin ranë trimërisht në Betejën e Zatriqit.

Të dashur familjarë, shokë e ju të pranishëm!

Safet Latifi natyrshëm u lidh që herët me veprimtarinë e fshehtë të LKÇK-së. Detyrat i kreu me vullnet, me guxim dhe me nderë. Gjatë periudhës përgatitore Safeti mbante lidhje të vazhdueshme me shokët, në komunën tonë, në Dobërdelan por edhe në me Gurbardhin e Malishevës e gjetiu. Ishte periudha kur në shtëpitë tona hynin e dilnin ilegalë që fshiheshin nga forcat serbe që i kërkonin me qiri. Ai mbante lidhje aktive me ne që bënim përpjekje ta ndërtonim shtratin ku do të shtrihej kryengritja e armatosur çlirimtare. Safetin e quanim Zenel. Asokohe për të tilla punë ecej në këmbë, me ndonjë traktor ose edhe me ndonjë veturë të rrallë. Safeti s’u ndalë deri në fillimin e luftës së armatosur dhe vazhdoi më pas, me pushkë në dorë në kuadër të UÇK, duke çarë me vendosmëri shtigjet e luftës dhe në këto përpjekje, s’mungoi asnjëherë. Ishte aty ku e kërkonte nevoja. Edhe pse i ri në moshë, ai la veprimtari të pasur, fillimisht në veprimtarinë e fshehtë të organizimit për luftë e më pas, edhe në luftën e hapur për çlirimin e atdheut. Safet Latifi luftoi: me 12 e 14 maj 1998, në korrik 1998, ishte luftëtar në Njësitin e Gatishmërisë së Përhershme Luftarake, njëkohësisht bëri edhe detyrën e furnizuesit me armë e municione nga Shqipëria në Kosovë. Pastaj, u angazhua në riorganizimin e UÇK-së pas goditjes që morëm nga ofensiva e pushtuesve, në shtatorin e vitit 1998. Pa u ndalur vazhdoi të kujdeset për armët e UÇK-së dhe për konsolidimin e Batalionit të Tretë të UÇK-së. AI përherë do të kujtohet për gjithë ato aktivitete që me nder i kreu gjatë tërë rrugëtimit të tij atdhetar. Së bashku me Visarin skalitën emrin e vet në bjeshkën e Zatriqit duke luftuar me trimëri deri në frymën e fundit, që të ketë rreze dielli për atdheun tonë. Vepra që lanë pas Safeti, Visari, Naseri, Sahiti, Jaha, Luli, Skenderi, Toni e Mici, Mensuri, Feimi, Milaimi, Eshrefedini dhe të gjithë dëshmorët e lirisë, na mëson që të përballemi me të keqen e për të mirën e Kosovës. Porosia e dëshmorëve na fton të bashkohemi, mos të nënshtrohemi dhe mos të lëshojmë pe para çfarëdo presioni a rreziku, pra, mos të flemë të qetë, kur është në pyetje interesi i përgjithshëm. Safeti dhe Visari e donin jetën, ata kishin ëndrrat dhe dëshirat e tyre, por mbi të gjitha ata gjithçka që patën, e bënë, për prindërit, vëllezërit, familjet tona, për fëmijët tanë. Sot, 20 vjet pas rënies së tyre, Kosova deh kombi ynë ka ecur, ka përparime, jemi shtet e kemi ushtrinë tonë, prandaj, obligohemi t’i ruajmë e çmojmë sakrificat e bëra, t’i shërbejmë shtetit, mos të lejojmë të preket sovraniteti dhe territori i Kosovës, e t’ia hapim Kosovës dyert e zhvillimit, përparimit dhe mirëqenies. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Visarin, Safetin dhe për të gjithë dëshmorët e atdheut!

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …