Ish- pjesëtaret e UÇK-së të Batalionit “Atlantiku” të cilët në ditët kur më së shumti atdheut i janë dashur burra e trima e kanë kaluar oqeanin dhe kanë zbritur fluturimthi në front të Koshares për të luftuar deri në çlirimin e Kosovës, sot kanë bërë nderime në Prekaz pranë varrit të komandantit legjendar, Adem Jashari. Kryetari i Skenderajt Bekim Jashari i cili i ka pritur ata e ka çmuar dhe vlerësuar lartë kontributin dhe rolin e tyre në luftën për liri.
“Dashurinë ndaj atdheut më mirë se burrat trima të Batalionit të famshëm “Atlantiku” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrallë kush e ka shfaqur. Duke iu përgjigjur kushtrimit të luftës për liri, ata, përveç familjeve, prapa vete kishin lënë një jetë të rehatshme dhe gjithçka tjetër që kishin krijuar me mund e djersë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ja ku jemi sot, bashkë me ju, të lirë e të pavarur, duke kujtuar kohërat e vështira nëpër të cilat kaloi populli ynë. Thonë rastësia është mbreti i botës. Dhe ishte krejtësisht e rastit që përsonalisht të takohesha me këta trima, që po vinin përtej oqeanit Atlantik. Atë takim e kujtoj sikur të kishte ndodhur dje, e jo para 20 viteve. Kujtim i bukur takimi në Durrës, në prillin e vitit 1999. Batalioni “Atlantiku” meriton dhe do ta ketë respektin e të gjithëve, për sakrificën dhe kontributin e jashtëzakonshëm në luftën çlirimtare të popullit të Kosovës. Kjo pritje, në nivelin më të lartë të Komunës sonë, është më e pakta që mund të kishin bërë për ju. Vëllezërit tuaj në Kosovë, nuk do ta harrojnë kurrë atë që keni bërë për vendin tuaj dhe tonin. Do të kujtoheni gjithmonë me dashuri dhe respekt të veçantë”, ka shkruar ai.