Ditën e shtunë në Hotelin me 5 Yje “Plaza” Shoqata Kulturore Atdhetare Kulturore “Labëria”, “Nderi i Kombit” organizoi promovimin e librit “Portrete me penë” të Profesor Ago Nezhës. Në këtë promovim ajo që ra në sy ishte pjesëmarrja e gjerë e intelektualëve më në zë shqiptarë si historian, inxhinier, fizikanë, diplomat, pedagog, agronom, jurist, ekonomist, politikan, mjek, studiues, muzikant, skulptor, piktor, aktor, regjisor, kompozitor, etj… Edhe pse ishte ditë me shi, salla komode e konferencave te Hotel “Plaza” ishte tejmbushur . Ndryshe nga shumë promovime këtë radhë ra në sy prania e mediave vizive si “News 24”. “Fax news” e “Vizion Plus”. Me të vërtetë ndihesh mirë kur shikon personalitete nga të gjitha fushat që marrin pjesë në një promovim libri pasi duket sikur rëndësia e tij është zbehur në shoqërinë e sotme shqiptare. Kjo tregon se intelektualët tashmë sikur i janë larguar heshtjes, i janë larguar të qenit indiferent ndaj zhvillimeve në vend. Intelektualët po e kuptojnë se duhet thyer heshtja, duhet thyer indiferentizmi ndaj politikës që e ka çuar Shqipërinë në zgrip të reputacionit dhe personalitetit në arenën ndërkombëtare. “ Jetojmë në kohën ku ekzistojnë shumë dijetar, por ata që flasin janë të paktë. E do të vijë koha kur do të ekzistojnë pak dijetarë, e ata që do të flasin do të jenë të shumtë!”- thekson, dijetari Abdullah Ibën Mesudi. Pra “Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra, librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital!”-shprehet Thomas Jefferson. Zbavitja më e bukur për njeriun është leximi pasi libri është ngushëlluesi dhe nxitësi i njeriut për ecje drejt shtigjeve të reja!
Kur flasim për portretin
Për mendimin tim gjinia e portretit është një ndër gjinitë më të vështira në letërsi. Portreti është një ndërthurje mes publicistikës dhe letërsisë krijuese, një ndërthurje që lidh ekzakten në publicistikë me imagjinatën në letërsi, me figurat letrare. Në këtë gjini autori hulumton, kërkon, studion, gërmon, pyet, dialogon, sistemon, imagjinon, krahason, sheshon, shoshit, reflekton. Pra është një lidhje korrekte mes portretit fizik por kryesisht është një psiko-analizë e personazhit, një psiko-analizë e detajuar e botës së brendshme shpirtërore, jetës së tij, arritjeve, rezultateve, zhgënjimeve, personalitetit dhe vizionit. Portreti nuk e fal gabimin, as në kohë as në hapësirë. Nëse gabon tek portreti, personazhi apo ata që e njohin personazhin nuk ta falin, ose si autor prek dështimin. Portreti është si një thikë me dy presa për autorin, pasi as nuk mund të tejkalojë imagjinatën por as mund të “shtojë sheqer” në përshkrimet e tij pasi kjo gjini nuk i pranon mbivlerësimet, tifozllëkun, nënvleftësimet, entuziazmin, euforinë. Në portret autori duhet të jetë gjakftohtë pasi nëse portreti i del nga dora jo vetëm personazhi por edhe lexuesi do thartojë buzët për pasaktësinë. Portrete në përgjithësi në libër janë figura tejet të njohura në publik dhe nëse teprohet për lartësimin pa baza aty fillon dështimi i autorit. Portreti nuk është tregim ku autori ka dorë të lirë në imagjinatën e tij, por imagjinata zë vendin më të vogël dhe ka përgjegjësinë më të madhe. Në fund të fundit portreti është një mini-monografi për çdo personash që mbetet e përjetësuar dhe ku mund të bazohesh për një monografi në të ardhmen. Tek kjo përgjegjësi Prof. Ago Nezha ka matur me peshoren e Drejtësisë sensin real të masës. Kalon masa prishet cilësia. Kjo është merita kryesore e librit të Prof. Agos, sensi i masës i llogaritur si një matematicien korrekt për të lënë të hapur shtigjet për shkrime të tjera për personazhet e tij të rrallë, pa e tepruar në mbivlerësime dhe pa lënë mangët çka posedon personazhi i tij. Me një seriozitet dhe vullnet prej biografi prof. Ago Nezha në këtë libër ka hulumtuar në jetën e personazheve të veta edhe duke shkuar në disa raste dhe larg në historitë e tyre familjare, duke qëmtuar shumë fakte me domethënie të pasur dhe përgjithësisht të panjohura për publikun e gjerë, të cilat i ka vendosur me skrupulozitet në kontekstin e gjerë të historisë tonë kombëtare e shpesh edhe politike, duke u dhënë personazheve të veta një perspektivë logjike të shëndoshë e të qëndrueshme, dritë dhe emocion.
Aktiviteti
Aktivitetin e moderoi poeti e kineasti i mirënjohur tepelenas Petrit Ruka. Në fjalën e hapjes Ruka theksoi rëndësinë e librit, aq më tepër të librit me portrete të Prof. Ago Nezhës si një gjini e veçantë dhe plot përgjegjësi. Sipas Rukës libra të tillë janë të domosdoshëm për kohën pasi zbërthen karakteret e veçanta të personaliteteve të ndryshme shqiptare në fusha të ndryshme. Më pas ai lexoi përshëndetjen e Akademik Rexhep Qoses “Kryetar Nderi” i Shoqatës Labëria, i cili e kishte të pamundur të vinte në promovim për arsye shëndetësore. Ai, ftesës të Prof. Agos, i është përgjigjur me këto rreshta:
- I dashuri Ago,
Uroj të jesh mirë me zonjën dhe gjithë familjen tuaj të madhe. Më vjen shumë mirë që keni botuar librin me titullin shumë interesant “Portrete me penë” në përurimin e të cilit po më ftoni të marr pjesë. Me keqardhje duhet t’ju them se unë kam pasur një grip të rëndë nga pasojat e të cilit ende po mjekohem prandaj nuk do të mund të marr pjesë në përurimin e librit tuaj. Shpresoj të jem i mirëkuptuar. Duke ju dëshiruar përurim sa më të suksesshëm, Ju, zonjën tuaj dhe gjithë anëtarët e Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria ju përshëndes me përzemërsi të përkushtuar.
Juaji vëllazërisht,
Rexhep Qosja
Nga fjala e Akademik Rexhep Qoses:
REFLEKSIONE NGA AKADEMIKU PROFESOR REXHEP QOSJA PËR KRIJIMTARINË E PROFESOR AGO NEZHËS
“Ago Nezha është profesor universiteti, por profesor i cili nuk është pajtuar që të jetë gjithnjë vetëm profesor. Dhe, nuk është pajtuar që të jetë gjithnjë vetëm profesor, për shkak të bindjes se obligimet e tij shoqërore, politike, etike, më në fund kombëtare ndaj popullit të vet do t’i plotësojë më gjithanshëm, në qoftë se do të merret edhe me një veprimtari tjetër: në qoftë se do të merret edhe me shkrime publicistike. Ago Nezhën e kanë bërë publicist, madje publicist posaçërisht të angazhuar, në radhë të parë, të këqijat e quajtura politike, partiake, pushtetore, vërtet të shumta dhe vërtet shumë të ndryshme,që po e shënojnë njëmendësinë e sotme shqiptare. Me dallim prej shumë intelektualëve të tjerë shqiptarë në Shqipërinë shtetërore dhe në Kosovë, Ago Nezha nuk ka mundur të mbyllë sytë e të mos shohë dhe të mbyllë gojën e të mos flasë për ato të këqija të shumta e të shumëllojshme. Nuk ka mundur të mos flasë për to, sepse duke i shikuar në vazhdimësi, është bindur se sa dëm ia sjellin jetës së popullit, jetës së atyre për të cilët edhe është krijuar organizimi shoqëror i quajtur shtet dhe për shkak të cilëve krijohen përbërësit e atij shteti të quajtur parti dhe institucione shtetërore. Shkrimet publicistike të Ago Nezhës u krijojnë bindjen lexuesve të tyre se shumë të këqija politike në jetën tonë sot janë dhe vazhdojnë të mbahen si pasojë e heshtjes së elitës sonë mendore. Pse jo? Kur të parët e shkencës, të kulturës, të arteve, të arsimit nuk reagojnë si duhet e kur duhet më lehtë “lulëzojnë” shfytyrimet, papërgjegjësitë, keqpërdorimet në strukturat partiake dhe në institucionet shtetërore. Në artikujt, sprovat dhe në vështrimet e tij të shumta, të botuara kryesisht në shtypin e Tiranës, Ago Nezha do të shkruajë prandaj për padrejtësitë e shumta, që e cenojnë drejtësinë, për përshtrirjen gjithnjë e më të dukshme të pabarazisë sociale, që cenon kohezionin shoqëror, për korrupsionin e pandalshëm që cenon idenë e moralit politik dhe demokracisë, për nepotizmin me të cilin favorizohen të paaftit dhe cenohen të aftit e të merituarit, për militantizmin, klientelizmin dhe popullizmin, që ia hapin rrugën autokracisë në parti e në shtet, për lokalizmat e ndryshme, që e cenojnë njësinë e përtashme dhe historike kombëtare. E të tjera e të tjera. Nuk ka dyshim se të këqijat e sipërtreguara e kanë nxitur Ago Nezhën të thotë e të shkruajë: Ishim më mirë, kur ishim më keq! Dhe, nuk ka dyshim se të këqijat e sipërtreguara e kanë nxitur Ago Nezhën të krijojë togfjalëshin e shumëkuptimshëm kritik Shqipëria dhe krahinomania. Prej të këqijave politike e të tjera mund të shpëtojmë vendin dukë i bërë të dukshme ato të këqija, kurse duke i bërë të dukshme nxisim njerëzit që të mos pajtohen me to, që të kërkojnë mënjanimin e tyre prej jetës dhe mënjanimin e prodhuesve të tyre prej pushtetit.
Përshëndetja e Akademik Qoses u prit me duartrokitje.
Më pas moderatori Ruka ja dha fjalën shkrimtarit, publicistit e poetit erudit, “Mjeshtrit të Madh” Moikom Zeqo, i cili u shpreh se ka një njohje miqësore me autorin prej mbi 50-vjetësh. Në fjalën e tij Zeqo theksoi rolin dhe rëndësinë e librit në shoqërinë e sotme shqiptare, për rolin që ka libri për diturinë. Midis të tjerave ai theksoi se: Naim Frashëri poeti i madh i kombit dhe figura qendrore e letërsisë shqiptare të Rilindjes, ai që u bë shprehës i aspiratave të popullit për liri e përparim theksin e vinte tek dituria.
Më pas ai u ndal tek rëndësia e librit të Prof. Ago Nezhës, të cilin e vlerësoi si një risi në publicistikën Shqiptare, që është shkruar me dashuri, mjeshtëri dhe profesionalizëm. Pas Dr. Moikom Zeqos moderatori Ruka ja dha fjalën aktorit të madh Mirush Kabashi, i cili interpretoi disa poezi nga krijimtaria e Profesor Agos, marrë nga vëllimi i fundit “Pse Vrapoj”… Me një zë të bukur, potent, plot temp dhe muzikalitet, ai e elektrizoi sallën te “Plaza”. Në fund ai theksoi dhe punën e Prof. Agos si Kryetar i Shoqatës “Labëria” i cili me punën e tij, vullnetin, këmbënguljen dhe fantazinë, ka zhvilluar aktivitete që si organizon dot as shteti. Gjatë gjithë interpretimeve dhe fjalës ai u përcoll me duartrokitje të shumta. Pas aktorit Kabashi fjalën e mori Profesor Pëllumb Xhufi. Në fjalën e tij Xhufi foli për rëndësinë e këtij libri, për stilin, për punën e madhe këmbëngulëse, për mënyrën e organizimit të librit. Sipas Xhufit ky libër ka vlera sa historike aq dhe letrare pasi kjo është një gjini e vështirë dhe një ndërthurje e publicistikës me letërsinë. Në të ka portrete personalitetesh nga të gjitha trevat e Shqipërisë, Çamëria, Labëria, Korça, Myzeqeja, Kosova, Minoriteti, Shqipëria e Mesme dhe Veriu i Shqipërisë. Kjo tregon për vlerat intelektuale të shqiptarëve por dhe për unitetin që ka mes tyre. Sipas Profesor Xhufit autori me mjeshtëri dhe përgjegjësi ka mundur të sjell portrete të vërteta nga të gjitha profesionet dhe grupmoshat që është shumë e vështirë. Pas profesor Xhufit në sallë u kalua në një tjetër emocion pasi nxënësja e dashuruar me aktrimin Anxhelina Zholi, recitoi një poezi të Prof. Agos që ja ka dedikuar nipit të tij Elias.
BUZËQESHJA E ELISË
Buzëqeshja jote – një rreze drite
Që vjen në zemër e më ngroh,
Mua, Gjyshit më bën mbret të kësaj dite,
O Elia i bukur, o ylli që shoh.
Dhe ditët rrëshqasin, ikin vitet
Si zogj fluturojnë, pa i kuptuar,
Si gonxh’ i freskët Elia rritesh,
Zbukurohesh nga syth i ëmbëlsuar.
O Elia, o shpirt i vogël i gjyshit tënd,
O muza e poezisë në moshë të bardhë,
Si Isidën e Karlon, nga Qielli i nëntë
Si gjerdan margaritari na ke ardhë…
Nga gjysh Ago NEZHA
Tiranë, 12. 09. 2017
Anxhelina recitoi me ndjeshmërinë e një fëmije, plot buzëqeshje dhe mirësi dhe interpretimi i saj u duartrokit nga të pranishmit. Pas saj fjalën e mori Prof. Bardhsoh Gaçe i cili e vuri theksin tek domosdoshmëria e lidhjes me librin të brezit të ri, Sipas Gaçes, duhet të punohet më shumë në shkolla, në familje që libri të marrë rëndësinë e tij si burimi më i veçantë i diturisë së saktë. Madje theksoi Prof. Gaçe ka dhe nja handikap në jetën e sotme, pasi shumë pedagogë në vend ti nxisin studentë të kapin librin, i frenojnë ata me mitmarrje, i ngelin në klasë enkas për të përfituar. Kjo ka bërë që disa studentë në fshatrat e Vlorës të shesin kopetë e bagëtive të baballarëve për të marrë provimet. Është e vërtetë se njeriu është ai që e krijoi librin, por edhe libri e krijoi njeriun! – ka thënë Hegel. Dy fjalë vlerësimi i shprehu dhe Profesor Shezai Rrokaj, që theksoi njohjen e hershme me autorin dhe dinamikën e krijimtarisë së tij të pashtershme. Fjala e fundit nderuese për Profesor Ago Nezhën, erdhi nga Profesoreshë Migena Arllati nga Gjakova, që në shenjë mirënjohje për përfshirjen e saj në këtë libër ajo i dhuroi një pamje në bakër të qytetit të Gjakovës.
Përshëndetja e Profesor Ago Nezhës
Në fund të takimit sigurisht do të fliste i zoti i “dasmës” Profesor Ago Nezha. Ai falënderoi të gjithë të pranishmit që ishin në këtë promovim, madje që kishin ardhur dhe nga Kosova si Berat dhe Labëri Luzha, Migena Arllati nga Gjakova si dhe nga Vlora, Gjirokastra, Shkodra, etj, dhe pse ishte ditë me shi, njëkohësisht falënderoi dhe zotin Behar Manaj, për nderin që i bëri duke i dhënë ambiente komode të hotel “Plaza” Autori e vuri më shumë theksin tek rëndësia e librit por edhe tek roli i mediave. Ai falënderoi mediat në këtë promovim si një risi që marrin pjesë në këto aktivitete pasi “nëse flet një politikan diku në rrugë një fjalë pa rëndësi, mediat vrapojnë aty dhe jo tek libri” -theksoi ai. Ne lebërit kemi një krenari që s’para flasim për gratë, por sot e ndjejë si detyrim që të them edhe një fjalë për bashkëshorten time Lilin e cila ka qenë redaktorja e 5 librave të fundit dhe ma ka lehtësuar shumë punën theksoi autori. Këtë libër ja dedikoj dashurisë diellore, nipit tim të shtrenjtë, Elias. Kur të rritet e të lexojë librin e gjyshit “Portrete me Penë” të frymëzohet dhe të nxitet nga jeta e këtyre personaliteteve të shquara të Kombit Shqiptar, e t’u ngjajë atyre, që një ditë edhe ai të dritësojë në kostelacionin e galaktikës njerëzore.
Ky libër u mundësua me kontributin e Ardian Hamza Resulit, që e falënderoj përzemërsisht për fisnikërinë dhe altruizmin e tij të veçantë, njëkohësisht falënderoj dhe piktorin e Popullit, “Mjeshtrin e Madh”, Skënder Kamberi për kompozimin e kopertinës dhe botuesin cilësor të shtypshkronjës “Triptik” Fredi Markon dhe faqosësin Jani Gusha. Autori Ago Nezha, hap një parantezë ku shkruan se: Në librin “Portrete me Penë”, janë përfshirë disa personalitete të artit, kulturës, shkencës dhe ekonomisë shqiptare, që janë perla në gjirin e shoqërisë. I mblodha këto portrete një nga një në lëmin e krijimtarisë time disavjeçare dhe vendosa ti “strehoj” në një libër për të qenë së bashku në familjen intelektuale, pa dallime parësore, krahinore, partiake apo fetare. Në pemën e jetës së këtyre personazheve, unë kam parë lulet dhe frutat, por jo gjembat, edhe pse pema i ka të gjitha organet vegjetative në trupin e saj.- përfundoi autori.
Epilog
Kur largohesh nga promovime të tilla të duket vetja më i paqtë, më krenar, më i lehtësuar, më bujar dhe më vizionar. Në këtë promovim morëm një mesazh se libri është i vetmi kopsht që mbillet për të tjerët dhe se bota pa libra do të ishte botë e egërsirave! Kur largohesh nga një promovim i tillë model duket sikur ke parathënien e të madhit Sami Frashëri : “Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, andaj kujdesu të shkruash mirë, sepse një faqe e keqe e ndyn gjithë librin”! Në libra, njerëzit e mençur gjejnë ngushëllim nga vështirësitë që i sjell jeta! Ka thënë shkrimtari i madh francez Viktor Hygo.
Albert Z. ZHOLI