Skender Demaliaj

Dr. Skënder Demaliaj: Spastrimet etnike ishin mjeti kryesor për të realizuar programin për një “Serbi të Madhe”

(PËRGATITJA PSIKOLOGJIKE E STRUKTURAVE PARAUSHTARAKE DHE USHTARAKE SERBE PËR TË REALIZUAR ME SUKSES GJENOCIDIN NDAJ SHQIPTARËVE TË KOSOVËS)

Për shtetin serb spastrimet etnike ishin mjeti kryesor për të realizuar programin për një “Serbi të Madhe” dhe “të pastër etnikisht”. Vetëm të bashkuar, me dhunë, me gjak, me metodat më antihumane, të ngjashme me ato të regjimit hitlerian për shfarosjen e hebrenjve do të realizonin pastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Simboli i tyre ishte: një kryq dhe 4 shkronja S: “Samo sloga Srbina sprasova” (Vetëm bashkimi i shpëton serbët).

Foljen “Oçestiti”, me pastrue, emri – të pastruarit e ka përdorur Vuk Karaxhiç për të treguar shfarosjen dhe dëbimin e popullatës joserbe. Konventa për parandalimin dhe dënimin e krimit të gjenocidit, adoptuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 9 dhjetor 1948, përcakton veprimet të cilat përbëjnë krimin e gjenocidit. Sipas saj, (neni 2) gjenocid konsiderohet cilido nga veprimet e mëposhtme, i kryer me qëllim që të zhduket plotësisht ose pjesërisht një grup kombëtar, etnik, racor ose fetar. Këtu bën pjesë:

vrasja e anëtarëve të grupit;

lëndimi i rëndë fizik ose mental i anëtarëve të grupit;

vënia e grupit qëllimisht në aso kushte të jetës që duhet të sjellin zhdukjen e plotë fizike ose të pjesshme të tij;

ndërmarrja e masave drejtuar në pengimin e lindjeve brenda grupit; dhe

transferimi i dhunshëm i fëmijëve nga një grup në tjetrin.

Pra gjenocidi është shkatërrimi i grupeve të njerëzve për shkak të racës, fesë, kombësisë dhe prejardhjes etnike.

Në Fjalorin sociologjik gjenocidi përkuzohet si “shkatërrim strukturor” dhe “sistematik i njerëzve të pafajshëm nga një aparat burokratik shtetëror”.

Konventa mbi Pengimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit e vitit 1948, gjenocidin e përkufizon në mënyrë të hollësishme dhe teknike si krimi kundër të drejtës ndërkombëtare duke pranuar se “në të gjitha periudhat historike gjenocidi ka shkaktuar humbje të mëdha të njerëzve.

Gjenocidi përmbledh të tria të këqijat: racizmin, dhunën për shkak të ndryshimit mes palëve dhe dhunën si pasojë e mendjengushtësisë… Çfarë krimi mund të jetë më i tmerrshëm sesa gjenocidi? Nëse nuk e dallojmë zhdukjen e planifikuar të një populli si tmerrin e tmerreve, atëherë cili është qëllimi i shekullit të njëzetë?

Nisur nga përmbajtja e këtyre përkufizimeve dhe realiteti politik e historik në Kosovë në shekujt XIX dhe XX, arrijmë në përfundimin se pushteti serb ka ushtruar gjenocid ndaj shqiptarëve sistematikisht, me platforma politike me qëllim shkatërrimin e popullsisë shqiptarë në Kosovë.

Gjenocidi nuk mund të kryhet pa krijimin paraprak të një gjendje të caktuar të mendjes njerëzore. Që të arrihet një shpërngulje në masë, si kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme, e cila mund të krijohet në shumë mënyra. Në vazhdim të punimit do të japim shembuj të shumtë se si është realizuar.

Akuzat dhe fyerjet që u janë bërë shqiptarëve që nga shekulli XVIII e në vazhdim, janë të ngjashme me propagandën e Gebelsit, sipas së cilës “duhet ta diskreditosh oponentin deri në absurd”. Shqiptarët në Kosovë janë paraqitur nga propaganda serbe si: “popull që dhunon murgesha, që rrënon varre, dhunon martinoviça, dhunon sytë e vizatuar të Sinomidës nëpër manastire”. Historiani Hakif Bajrami tregon se “Në vitin 1983 erdhi në kabinetin tim një gazetar gjerman. U prezantua si Heiko Fillotau. Pyetja e parë e tij ishte: “Ku jetojnë shqiptarët që kafshojnë njerëz?”

Mbretëria e Serbisë, më 1899 kishte përgatitur një akuzë ndaj shqiptarëve të Vilajetit të Kosovës dhe atë e drejtoi në Gjykatën Ndërkombëtare në Hagë, për “terrorizëm”. Aty paditeshin shqiptarët për 132 “vrasje terroriste” me qëllim që të përgatitet opinioni europian që Vilajeti i Kosovës mund të “civilizohet” vetëm nëse e okupon Serbia. Stambolli ngriti një komision, në përbërje të të cilit ishin: ministri i Punëve të Brendshme, Valiu i Kosovës, dy nëpunës të nahisë, një prift serb dhe një serb vendas për të vërtetuar akuzat, por nuk gjetën asnjë provë se janë vrarë serbë nga shqiptarët. Gjykata Ndërkombëtare shkurt theksoi: “132 akuza – 132 rrena”. Ky dokument u botua më 1889 dhe u ribotua më 1989 me urdhër të Millosheviçit. U përsërit e njëjta akuzë, drejtuar Parisit, Moskës, Londrës etj.

Shqiptarët në Kosovë janë akuzuar nga pushteti serb se “kanë bashkëpunuar me fashizmin” gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe pse mbi 53 mijë kosovarë ishin në llogoret e luftës kundër fashizmit. Kurrë nuk është lejuar që të bëhen publike faktet se Serbia i ka likujduar 11000 hebrej deri më 1943.

Në konceptin e filozofisë perëndimore, natyra e njeriut është dualiste. Pranë Abelit, të mirës, tek ne jeton Kaini, dhuna dhe e keqja. Pa dyshim lufta bën pjesë në anën e errët të gjinisë njerëzore.

Luftërat e serbëve në Slloveni, Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, në Kosovë e dëshmojnë më së miri këtë.

Sociologë, politologë, politikanë kanë shpjeguar: “Të paktën kur veprojnë kolektivisht atyre (autorëve të gjenocidit) u nevojitet ideologjia për të legjitimuar sjelljen e vet, sepse pa këtë ata vetveten dhe njëri-tjetrin do të detyroheshin ta shihnin, ashtu, siç në të vërtetë janë: hajna të zakonshëm dhe vrasës”.

Sipas Norman Cigar: “Për realizimin e gjenocidit, zhvillimi i ideologjisë është veçanërisht i rëndësishëm në atë masë sa janë të nevojshëm udhëheqësi dhe arsyetimi”.

Ideologët serbë prej shekujsh kanë punuar intensivisht me platforma e objektiva të qartë e konkretë për të përgatitur psikologjikisht popullin e tyre e të gjithë strukturat shtetërore për gjenocidin ndaj shqiptarëve.

Publicisti serb, Mirosllav Filipoviçi shkruan: “Është e vështirë të gjendet institucion kombëtar që të jetë munduar ta ruajë popullin serb nga kryerja e krimeve. Në veçanti është e vështirë të gjenden institucione që nuk e kanë nxitur popullin serb të kryejë krime. Ku ka qenë Akademia e Shkencave, ku ka qenë Kisha, ku ka qenë Universiteti, ku kanë qenë partitë politike?” Për këtë qëndrim objektiv dhe kurajoz u dënua me 7 vjet burg nga Gjykata Ushtarake e Nishit.

Sipas Memorandumit të Akademisë së Shkencave të Serbisë theksohet: “Përfshirja në gjirin tonë e territoreve etnikisht të pastra, duke vënë në përdorim mjetet e luftës”.

Akademiku Dobrica Qosiç (President i Jugosllavisë) thoshte se “Krimet që janë bërë kundër nesh ne po u përgjigjemi me krime. Objektivi nuk është vetëm që të mbajmë serbizimin, por edhe të spastrojmë territorin që të mund të kemi një shtet etnikisht të pastër”.

Duke folur rreth mitit të Kosovës ai deklaron se “Kosova është vend i shenjtë serb që do të mbrohet nëse është nevoja, edhe me armë”.

Patriku Pavël, duke iu referuar Ungjillit iu drejtohet besimtarëve ortodoksë serbë me fjalët: “ Ka luftëra të drejta dhe të padrejta. Mbrojtja e Kosovës është luftë e drejtë, prandaj me çdo mjet dhe në çdo kohë duhet të dëbohet pushtuesi shqiptar”.

Murgu serb, Filloret, i cili para kamerave televizive dilte me një mitroloz të lehtë dhe mbante gjithmonë me vete simbolet e vdekjes. Të nesërmen që ra Vukovari, ku serbët maskruan kroatët, shfaqi keqardhje të madhe që “Nuk gjenden më shumë Sheshela dhe Arkanër për të mbrojtur interesat e popullit serb”.

Peshkopi serb Nikollaj Velimiroviç deklaronte me entuziazëm: “Meriton respekt prijësi i tanishëm gjerman (Hitleri), i cili ka parë se nacionalizmi pa fe është një anomali, një mekanizëm i ftohtë, jo i sigurtë”.

Mirko Dordeviç deklaron: “Vetë kisha jonë e ka krijuar nacionalizmin. Ishte kisha dhe klerikët e saj mit-krijues që mbajtën gjallë flakën e nacionalizmit serb gjatë shekujve të pushtimit osman, kur shteti i Serbisë pushoi së ekzistuari. Ishte kisha që i bëri luftëtarët shenjtorë. Kjo e kaluar e mitizuar dhe e lavdishme i ka inkurajuar serbët të shpresojnë për një Serbi të Madhe. Ishte ëndrra e kishës që të gjithë serbët të jetonin në një shtet të vetëm. Prandaj arrdhja në pushtet e Millosheviçit në fund të viteve 1980 u prit me aq entuziazëm”.

Që kur u dyndën drejt Gadishullit Ilirik, serbët patën si objektiv kryesor të shfarosin sistematikisht vendasit ilirë, arbër dhe shqiptarë, duke i vrarë dhe duke i dëbuar me forcë nga trojet e tyre. Patrioti Haxhi Kadriu thoshte: “Programi i Serbisë është me farue racën shqiptare”.

Garashanin (Ministër i Brendshëm i Serbisë), projektuesi i Serbisë së Madhe, më 1844 i përshkruan shqiptarët si fise të egra, si asimilues e vrasës të serbëve. Ai i rekomandonte shtetit të vet që të mos bënte asnjë aleancë mbi baza ta barabarta me shqiptarët. Teza e tij kryesore ishte: “Serbia duhej të bindej se është ende e vogël”.

Nënteksti: të rritej, të zmadhohej duke ua marrë tokat shqiptarëve.

Për princin Milan Obrenoviç: “Sa më tepër shqiptarë të largohen nga Sanxhaku i Nishit, aq më tepër do të mbeten meritat tuaja para atdheut”. Më tej e plotësonte mendimin e tij: “Serb i mirë dhe patriot është ai që ndjek më shumë shqiptarë”.

Autoritetet e larta shtetërore serbe në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, e presin serbin me pyetjen: “Ku je more trim, a preve mjaft koka të turkut e të shqiptarëve?”.

Ideja e Beogradit që në këtë kohë ka qenë: të kolonizojnë Kosovën me serbë, të zaptojnë qendrat më të mira të Shqipërisë së Veriut, të sjellin fëmijët e tyre, të blejnë mall dhe më në fund të bëhen vendas.

Sipas gjeografit serb Cvijiç (rektor i Universitetit të Beogradit) “Shqiptarët janë kombi më i rrezikshëm përderisa ata janë raca më e përhapur në Ballkan”. Dhe bën thirrje të hapur për gjenocid ndaj shqiptarëve: “Sa më shumë shqiptarë të vrisni, aq më shumë do të shtoheni ju serbët”.

Për serbët, shqiptari më i mirë do të ishte shqiptari i vdekur.

Nikolla Pashiçi (Kryeministër) porosiste: “Shteti serb nuk duhet të shpenzojë para për të lehtësuar jetën e shqiptarëve, por për t’i bërë të nisen sa më shpejt”.

Serbët me Pashiçin në krye parashtruan para Fuqive të Mëdha tezën se çështja shqiptare, kur ajo të ndahet në disa pjesë, nuk do të shqetësonte më Europën.

Pashiçi dëshironte dhe ëndërronte një Shqipëri të pavarur, por të dobët dhe me grindje të përhershme brendapërbrenda.

Ideja e tij antihumane antishqiptare ka qenë: “Ne do t’i serbizojmë shqiptarët dhe nëse nuk do të serbizohen, ne do t’i dëbojmë dhe nëse do të rezistojnë e nuk do të mundim t’i dëbojmë, ne do t’i vrasim ata”.

Mbreti i Serbisë, Petar I Karagjorgjeviç, pas betejës së Kumanovës, më 1912 iu drejtohet eprorëve të tij ushtarakë me fjalët: “Çfarë dobie paraqesin këta njerëz për mua? Duhet t’i mbysni, jo me pushkatim, sepse kjo do të jetë humbje e municionit, por me shpatë.”.

Në një kishë në Pejë janë të gdhendura me shkronja serbe fjalët: “O Zot! Na ndihmo të shfarosim shqiptarët!”.

Në muret e xhamisë në fshatin Mushishtit është shkruar në gjuhën serbe: “O Zot! Na ndihmo të shfarosim shqiptarët!” Kjo thirrje është e shkruar edhe në kisha, edhe në xhami.

Një oficer i lartë nga Dera e Petroviçëve mburrej kur thotë: “Brenda dy vjetëve asnjë njeri në tokat e pushtuara nuk do të guxonte të fliste atë gjuhë të ndyrë – shqipen”.

Komandanti i zonës së Tretë, gjeneral Cemerkiç kërkonte që në rajon, ku popullsia shqiptare përbënte 80-90% të banorëve si në Rahovec, Prizren, Dragush, Suharekë, Podujevë, Vuçiternë, Gjilan, Kaçanik të krijoheshin garnizone të reja ushtarake që të mund të zbatohej më mirë procesi i kolonalizimit sllav dhe shpërngulja e shqiptarëve.

Kur Krajl Aleksandri shkoi për vizitë në Istog të Pejës ai pyeti kryetarin e bashkisë: “Sa shqiptarë ka këtu?” Ai u përgjigj: “95%”. Krajl Aleksandri e pështyu 95 herë, duke i thënë: “Ç’ke bërë ti që këtu të mos ketë 95% shqiptarë, por 95% serbë dhe 5% shqiptarë?”. Akademiku kroat Josif Ham tregon: “Drejtori i gjimnazit në Prishtinë më tha: “Profesor Ham, në klasën tuaj, ku ju do të jeni kujdestar, janë edhe 2-3 nxënës arnautë (nënkuptohet shqiptarë). Ata, kurrsesi nuk duhet të kryejnë klasën pa marrë parasysh dijet e tyre. Këtë duhet ta kuptoni dhe ta zbatoni”.

Zbatimi pikë për pikë i Doktrinës së Pashiçit: “Torturoji, rrahi, mos i lër të mësojnë shqiptarët”.

Njohëse e mirë e psikologjisë së popullit serb, Edith Durham arrin në përfundimin: “Nuk ka dyshim se në zemrën e çdo njeriu është fshehur një bishë. Dhe ajo mund të flejë gjatë kohës së shumë brezave, por në barkun e sllavëve të Jugut të secilit prej tyre as që i ka shkuar mendja të kotet ndonjëherë”.

(Autori është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)

Kontrolloni gjithashtu

Sali ONUZI: BRIGATA E XXIV NE ÇLIRIMIN E TIRANËS DHE TË SHKODRËS

Sali ONUZI: BRIGATA E XXIV NE ÇLIRIMIN E TIRANËS DHE TË SHKODRËS

Brigata e 24 e UNÇSH u krijua  me 4 tetor 1944 në Bicaj  me 560 …