Nysret Ramadan Halili ( 17.6.1956 – 3.5.1999)

Hana Nysret Halili: Nga babai mësues-dëshmor, trashëgova ditarin, vëllai trashëgoi armën, tani ushtar i Kosovës

(Intervistë me Hana Halilin, bija e dëshmorit të kombit, Nysret Ramadan Halili)

 

RKL: Mirë se vini në Radion Kosova e Lirë, e nderuara,   Hana Nysret Halili

Hana Nysret Halili: Ju përshëndes dhe ju falënderoj për ftesën.

 

RKL: Për dëgjuesit e tanë çka mund të veçoni nga aktiviteti i Babit Tuaj për çështjen kombëtare dhe lirinë e vendit ?

Hana Nysret Halili: Babai im kontribuoi për çështjen kombëtare dhe lirinë e vendit në edukimin e shumë brezave si mësues dhe si atdhedashës, ku mësoi nxënësit se si duhet të duan Atdheun , për çlirimin e tokave  të okupuara shqiptare. Ai ishte shembull për shumë gjenerata për atdhe dhe shumë breza të tjerë, për humanizëm e solidarësi. Në luftë i ka shpëtuar jetën nxënësit të tij, luftëtar,  dhe i shpëtoi jetën nxënësit të tij të plagosur rëndë, në Betejën e Shtuticës.

 

RKL: Rënia dëshmor e babait Tuaj ishte humbje e madhe për UÇK-në, por edhe për familjen, e bashkëluftëtarët, a mbani kontakte me shokët e Tij?

Hana Nysret Halili: Po i mbajmë kontaktet me krenari me bashkëluftëtarë  e babait, sepse ata janë dëshmia e gjallë që flasin për jetën, veprën dhe rënien heroike te tij, prandaj gjithmonë ndihemi krenar me shokët e tij, që janë vlera më sublime e luftës sonë për liri

 

RKL: Ku jeni sot Ju fëmijët e dëshmorit, a studioni, a punoni?

Hana Nysret Halili: Dëshmori Nysret Halili ka lënë pas vete bashkëshorten dhe 5 fëmijë. Te martuar janë tre. Teuta, Liridona dhe Agroni janë të pa punë.  unë Hana kam ndjekur rrugën e Babait, rrugën e tij me ditar në dorë,  jam mësuese, vëllai Remziu ndoqi luftën e babait, tani  mbanë uniformën e Ushtrisë së Kosovës.

 

RKL: E nderuara Hana Halili  cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës? 

Hana Nysret Halili: Jemi deri diku të kënaqur, mirëpo ka mundur të bëhet më shumë duke u ofruar punë bijve dhe bijave të tyre.

 

RKL: Po nga OVL e UCK, dhe nga Presidenca po shpalljen tituj e grada për dëshmorët, ata po selektohen kush dëshmor e martir e dikush hero, cili është mendimi Juaj?

Hana Nysret Halili: Unë mendoj se pse gjithë Dëshmoret duhet të shpallen Heronj nga Presidenca, e që ky titull i mungon babait tim tash e 20 vite Gjithashtu edhe nga OVL e UQK –së duhet të punohet më shumë për këtë kategori.

 

RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo? 

Hana Nysret Halili: Ne si familje e Dëshmorit nga shoqëria jemi të kënaqur me përkrahjen dhe respektin që e gëzojë nga ta, nga institucionet e vendit si familje e Dëshmorit bëhen 20 vite nga rënia e babait dhe kurrë nuk është bërë një organizim për jetën dhe veprën e Dëshmorit Mësues, Nysret Ramadan Halili.

 

 RKL: Dëshmorët Jetën, luftën e rënien e bënë bashkë, por fatkeqësisht tani për interesa politike edhe po i ndajnë

Hana Nysret Halili: Duhet të reagojmë sepse fatkeqësisht dhe babai ynë është anashkaluar dhe nuk është bërë asgjë në lidhje me jetën dhe veprën e tij mësues dhe edukator i shumë brezave arsimor, por edhe luftëtar i lirisë me armë në dorë, madje edhe  krahu i djathtë i Komandant Ilaz Kodrës.  Kërkoj me këtë rast që institucionet tona të mos i lejojnë këto raste.

 

 RKL: A mendoni se po bëjmë mjaft për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?

Hana Nysret Halili: Duhet që të bëjmë dhe më shumë dhe të jemi të bashkuar për të dërguar amanetin e dëshmorit në vend.

 

RKL:E nderuar Hana Halili të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet!

Hana Nysret Halili: Ishte kënaqësi që të jem në Radion Kosova e Lirë, sepse ju ishit dhe jeni zëri ynë, prej luftës e deri me sot, dhe faleminderit për mundësinë që më keni dhënë. Lavdi gjithë Dëshmorëve të Kombit.

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …