Rrugëtimi i Kosovës deri te pavarësia në ballë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmën nga ajri të NATO-s

           Rruga deri te Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë e gjatë e mundimshme dhe e përgjakshme. Ishte një rrugëtim historik i shqiptarëve për të realizuar një aspiratë më shumë të programit Kombëtar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Vilajeti i Kosovës, me qendër në Shkup, ka qenë Vilajeti më i madh ndër katër vilajetet e Rumelisë apo të Aranutistanit kryengritës të kohës së Perandorisë Osmane. Sot territori i Kosovës së pavarur nuk përfshin as dy të tretat e Vilajetit të dikurshëm, megjithatë Kosova ka ruajtur substancën e fuqishme integriste, kombëtare, që rrezaton edhe në pjesët e tjera të Vilajetit në Maqedoni në Kosovën Lindore në Sanxhak e në Mal të Zi.

Shpallja e Pavarësisë 8 vjet më parë, më 17 shkurt 2008 ishte rezultat i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i derdhjes  së gjakut të mijëra dëshmorëve në krye me Legjendarin Adem Jashari, i dhjetëra mijëra të viktimizuarve nga regjimi fashist serb, por edhe rezultat i ndihmës së pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe forcave përparimtare të botës, që ndihmuan këtë luftë dhe goditën regjimin më kriminal dhe më fashist të Evropës, sikur ishte regjimi serb i Milosheviqit.

             Me përfundimin e luftës së UÇK-së dhe hyrjen e trupave të para të çlirimtarëve në Prishtinë më 11 qershor 1999 mori fund regjimi kolonialist shumëvjeçar  serb dhe nga Kosova njëherë e përgjithmonë u dëbuan  forcat e territ, të mizorisë e barbarisë njerëzore, forcat ushtarake e policore serbe, të cilat gjatë viteve 9o të shekullit të kaluar vranë, masakruan e viktimizuan sllovenët, kroatët boshnjakët myslimanë dhe shqiptarët.

             Të pakënaqur me bombardimin e Serbisë, Shtetit xhandar të Evropës nga  NATO-ja, Aleanca më e fuqishme ushtarake e botës, një segmenti i diplomacisë ndërkombëtare në vazhdimësi ka bërë dhe po bën përpjekje ta devalvojë dhe ta diskreditojë këtë pavarësi. Për këtë qëllim instalimi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK, më vonë edhe i misioneve të tjera si OSBE, EULEX kanë bërë dhe po bëjnë përpjekje ta diskreditojnë edhe këtë pavarësi të mbetur peng nga politikat  e një segmenti të  Bashkimit Evropian.

              Kosova sot feston Pavarësinë por edhe proteston kundër pretendimeve për ta devalvuar këtë pavarësi, për hir të Serbisë apo të BE-së

             Kjo datë, shqiptarëve liridashës të vendit e më gjerë  u sjellë në kujtesë kohën kur tetë vjet më parë, më 17 shkurt 2008, në Kuvendin e Kosovës, në një seancë solemne, u lexua deklarata e Pavarësisë dhe Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran.  

            Ishte kjo një ngjarje e shënuar për të gjithë shqiptarët, për sa e sa breza që kishin luftuar, kishin derdhur gjakun e tyre rrëke, kishin kaluar shekujt të tërë në burgjet e Jugosllavisë e Serbisë dhe më në fund falë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës së botës përparimtare demokratike, ishte realizuar edhe një aspiratë e popullit më të nëpërkëmbur,  por edhe më qëndrestar të Ballkanit dhe Evropës.(RKL)

Kontrolloni gjithashtu

Hykmete Bajrami: Buxheti i 2025-ës është anti-Kushtetues

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka konstatuar se buxheti për …