Dëshmori, tani i shpallur hero, Jetë Aziz Hasani ishte njëri ndër luftëtarët më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai ka ndihmuar ushtrimin e një grupi të rinjsh në Tiranë, në vitin 1993. Ka qenë i maltretuar fizikisht nga Policia serbe e Shtimes, në vitet 90-të. Gjatë luftës së UÇK-së, me shembullin e tij heroik ka ndikuar në forcimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, fillimisht në pikën e Krojmirit, pastaj edhe në pikat e tjera. Ishte ndër të parët që ka zënë Grykën e Caralevës, më 14 qershor të vitit 1998. Ka rënë në krye të detyrës, më 16 tetor 1998, në rrugën, Shalë Magurë.
RKL: Mirë se vini në valët e Radios Kosova e Lirë e nderuara Mervete, bijë e dëshmorit të kombit Jetë Aziz Hasani
Miervete Jetë Hasani: Mirë se ju gjej, faleminderit për mundësinë.
RKL: Mervete e nderuar, ju e mbani mirë në mend babanë Tuaj. Në kohën e luftës me krejt familjen keni qëndruar në Krojmir. Cilat momente ju kujtohen gjatë asaj kohe?
Mervete Jetë Hasani: Po e mbaj mend mirë babin tim. Ashtu është siç e cekët edhe Ju. Babai im Jetë Aziz Hasani ka qenë shembull për heroizmin, për luftimet e pa shoqe, për veprimtarinë e Tij si para luftës por edhe në luftë. Gjatë kohës kur kemi qëndruar në Krojmir me familjen time, ka ekzistuar krenaria përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe sidomos vullneti e përkushtimi i veçantë i babit tim, Jetë Hasani. Ndër të tjera kemi kaluar nëpër rreziqe që na kanoseshin nga armiku. Krojmirin e kujtoj me shumë mall e krenari sepse aty fillimisht ishte varrosur Babi, për herë të parë, pasi kishte rënë në krye të detyrës.
RKL: Cilët kanë qenë bashkëluftëtarët e tij gjatë ilegalitetit dhe në fillimet e luftës. Natyrisht se nuk i njihini të gjithë, por me cilët ka zhvilluar më shumë aktivitet luftarak?
Mervete Jetë Hasani: Bashkëluftëtarët dhe shokët e tij në ilegale ishin të shumtë sepse Babi ka pasur aktivitet të gjerë dhe ka lëvizur gjithandej për çështjen e kombit e atdheut. Ka vepruar në Kosovës por edhe në Shqipëri. Po veçoj me këtë rast disa prej atyre me të cilët ka mbajtur më shumë kontakte si para ashtu edhe gjatë luftës: Ata janë: Elez Durmishi, Sylë Qeriqi, Ahmet Qeriqi, Ali Gashi, Ramiz Qeriqi, e disa të tjerë.
RKL: Rënia në krye të detyrës e babait Tuaj, Jetë Hasani ishte humbje e madhe për UÇK-në, por edhe për familjen. Ku keni qenë asokohe dhe kush ju ka mbështetur më shumë?
Mervete Jetë Hasani: Është e vërtetë se ka qenë humbje e madhe për Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe për familjen, meqë ne me kohë ishin larguar nga fshati dhe ndodheshim në zonat luftës. E kujtoj mirë atë moment sepse ka qenë jashtëzakonisht i rëndë edhe për ne familjen. Ne asokohe kemi qëndruar në Krojmir, ku kemi pasur mbështetje dhe përkrahje nga bashkëluftëtarët e tij, të cilët e kanë dashur, e kanë nderuar dhe respektuar.
RKL: Ku jeni tani ju bijat e bijtë e dëshmorit, Jetë Hasanit a studioni, a punoni?
Mervete Jetë Hasani: Ne jemi 7 fëmijë, unë Mervetja, Avniu, Valdetja, Zyrjeta, Naimi, Mirjeta, Arbenita. Jemi shkolluar e arsimuar. Disa jemi duke punuar disa ende studiojnë.
RKL: E nderuara Mirvete, cili është mendimi i Juaj, lidhur me trajtimin e familjeve të dëshmorëve nga qeveritë e pasluftës?
Mervete Jetë Hasani: Trajtimi i pasluftës mendoj se nuk ka qenë në nivelin e sakrificës që kanë dhënë familjet e dëshmorëve. Ato kanë dhënë kontribut paraluftës, sikur është rasti i babait tim, i cili krahas obligimeve në familje, ka dhënë kontribut edhe për shkollën shqipe, ka lëshuar falas lokalin në Shtime, ka ndihmuar materialisht një grup bashkëveprimtarësh gjatë stërvitjeve në Shqipëri. Për ndihmën që u ka dhenë flasin edhe sot bashkëluftëtarët e tij, tani veteranë e invalidë të luftës,
RKL: Cila është përkrahja konkrete që keni marrë nga shoqëria dhe nga institucionet e vendit dhe a mjafton ajo?
Mervete Jetë Hasani: Nuk kemi pasur asnjë përkrahje, as prej shoqërisë dhe as prej institucioneve, por na ka mbajtur dhe vazhdon të na mbaj vullneti, sepse babai im, Jetë Hasani tërë jetën ia ka kushtuar çlirimit të Kosovës, ia ka kushtuar Kosovës së lirë e të pavarur të cilën sot po e gëzojnë të gjithë.
RKL: A mendoni se shoqëria po bën sa duhet për të quar në vend amanetin e dëshmorëve?
Mervete Jetë Hasani: Marrë në përgjithësi mendoj se nuk është bërë sa duhet, por shpresoj se në të ardhmen do të bëhet më shumë.
RKL: E nderuar Mervete, të falënderojmë se u bëre pjesë e intervistave në Radion Kosova e Lirë. Suksese dhe shëndet!
Mervete Jetë Hasani: Faleminderit edhe Juve që kujtoni çdo ditë Dëshmorët në Ditë Rëniet e Tyre. Faleminderit.