Ahmet Qeriqi: Djalë petrit si Bardhok Biba nuk lind më Mirëdita

Bardhok Biba (1920- 1949) arsimuesi idealist dhe mësuesi hero

Bardhok Bina u lind në janar të vitit 1920. Shkollohet në Konviktin e Oroshit dhe pastaj në gjimnazin e Shkodrës. Atje bie në kontakt me idetë komuniste, me Emin Duraku, Branko Kadia, Sadik Bekteshi, Hajdar Dushi, kosovarin Xheladin Hana, Nazmi Rushiti, Tom Kola e të tjerë. I ndikuar nga këto ide e qëndrime, përjashtohet nga shkolla dhe i shoqëruar me xhandarë dërgohet në Orosh. Është koha kur ai qëndron gjysmë ilegal për disa kohë, deri sa përfshihet në vorbullën e Luftës, fillimisht në Shkodër dhe më pas komisar i çetës Pukë-Mirditë, duke përhapur idetë komuniste. Pas çlirimit të vendit, në vitin 1947, zgjidhet deputet i Mirditës në Kuvendin Popullor. Më 23 dhjetor 1948 emërohet sekretar politik i Partisë Komuniste për rrethin e Mirditës. Është periudha kur ai merret gjerësisht me Mirditën e varfër dhe e vendos më së miri në vëmendje të qeverisë, piketon qytete të reja dhe strategji të zhvillimit, ndërkohë që para ’44-ës kishte arritur që përmes një kuvendi unikal të pajtimit të gjaqeve, të krijohej mundësia e faljes së mbi 500 gjaqeve. Pikërisht në një nga detyrat që po kryente në zonën e Oroshit dhe të Kaçinarit, planifikohet të ekzekutohet nga “Komiteti i Maleve” por sipas deklaratave te Ndue Gjon Markut ish Kryetar i Komitetit te maleve qe e kishte dhe kushëri Bardhok Biben thotë se ky i fundit nuk është vrare nga Komitetit i Maleve.

Me datë 7 gusht 1949, Bardhok Biba i shoqërua nga 2 të tjerë pasi kishte kaluar malet e Kaçinarit, po zbriste drejt bregut të Fanit të Madh për t’iu ngjitur të përpjetës së Shpalit, ku gjendej edhe qendra e lokalitetit. Sapo i afrohen një maje kodre e ecin në një rrugë në formë ulluku për të arritur në Qafë-Valmiri qëllohen nga 3 anëtarë të Komitetit të Maleve që u kishin zënë pritë. Bardhok Biba mbeti i vrarë i qëlluar me 2 plumba. Atentatorët, pasi kanë këqyrur nga afër dhe janë bindur saktësisht se “i pari i Mirditës” kishte dhënë shpirt, kanë lënë një pusullë në gëmushat ku kishin zënë pritën me mbishkrimin : “Në emër të Komitetit të Maleve !”

Ndër drejtuesit më të lartë të shtetit të kohës, sipas dokumenteve historike dhe dëshmitarëve, në shtëpinë e të vrarit Bardhok Biba, ishte Mehmet Shehu. Në ngushëllim, Shehu i thotë babait të Bardhokut : “Do ia dërgoj 100 kriminelë tek koka tët biri!”. Marka Biba iu përgjigj: “Mos mer më qafë të pafajshëm”. Më 9 gusht 1949, vetëm dy ditë pas vrasjes së Bardhok Bibës, Brigada e Mbrojtjes së Popullit e dislokuar në Qafë-Shtamë, nën komandën e Medi Bilbili dhe kolonel Zija Kambo, hyn natën në Mirditë dhe arreston rreth 300 vetë. Rreth 300 familje grumbullohen dhe vendoset internimi i tyre në Tepelenë. Njëzetegjashtë të arrestuar vendosen në burgun e improvizuar të Rrëshenit për t’iu nënshtruar gjyqit ushtarak. Trupi gjykues, i ngritur me shumë shpejtësi, vendosi që 14 prej tyre të ekzekutohen, ndërkohë që prokurori Misto Bllaca kishte kërkuar që ky numër të ishte 20 persona. Vendi i ekzekutimit u caktua në Qafë-Valmiri, atje ku ishte vrarë edhe sekretari politik i Mirditës. Për afro 41 vjet Bardhok Biba do të mbetej simbol i Mirditës, deri sa pas këtij viti, busti i tij, i Pal Mëlyshit, Ndrecë Ndue Gjoka, katër heroinave do të shkatërroheshin. (Vikipedia)

Ahmet Qeriqi: Djalë petrit si Bardhok Biba nuk lind më Mirëdita

 

Ky ishte vargu i rapsodit popullor, që jehoi brigjeve e maleve të Mirditës dhe kudo nëpër  trojet  shqiptare, për ta dhënë kumtin  e kobshëm të vrasjes në pritë e pabesi, të partizanit dhe mësuesit të popullit,  Bardhok Biba, në gusht të vitit 1949.   Ishte po ashtu si kumti për vrasjen pas shpine të Ndrec Ndue Gjokës, Mrika Tarazhit dhe afër 100 burrave e grave mirditore, që kishin bërë përpjekje për ta çliruar vendin, jo vetëm nga prangat shekullorë të robërisë, por edhe nga mentaliteti bajraktar e fisnor i kohës së feudalizmit dhe nga trashëgimia reaksionare, e cila kishte zvetënuar e deformuar dhe e kishte mbajtur peng nga qytetërimi  këtë trevë emblematike të Shqipërisë.

 Bardhok Biba ishte në mesin e atyre idealistëve, të cilët kanë fituar përjetësinë, në radhë të parë me dashurinë e zjarrtë për njerëzit, për njerëzoren, për arsimimin e mirditorit dhe çdo bashkëkombësi, idealin e çlirimit dhe luftën kundër reaksionit e prapambetjes, rrugën drejt zhvillimit dhe mirëqenies së popullit dhe emancipimit kombëtar. Përpjekja e tij për ta mbjellë “Pemën e jetës”, për ta shkëputur traditën e zvetënuar dhe për ta arsimuar popullatën gati krejtësisht analfabete, ishte vënë në shënjestër nga forcat e territ, nga ajo pjesë e reaksionit dhe klerit fanatik që donte të ruante sundimin, ta shfrytëzonte djersën e popullit, duke u thirrur në një ideal “mijëra vjet të vjetër” e në “idhuj pa krena”.  Nuk ishte vetëm një luftë idesh, një luftë e së resë kundër së vjetrës, të cilët i kishin hyrë ta bënin Bardhok Biba me idealistë të tjerë, por ishte një luftë për ta ndërprerë një trashëgimi mijëvjeçare, një lubi shekullore që kishte kafshuar pa pikë mëshire trupin e shqiptarit të degdisur nëpër shekuj nga sundimi i perandorive më mizore të botës, nga Roma e Bizanti, nga Sllavi e Turku, nga Italian e Gjermani. Ishte hera e parë në historinë e Atdheut, që vegjëlia po vendoste për fatin e vet, që shumica nuk po pranonte të jetonte nën dhunën e pakicës, ishin vetë ligjet e jetës që kishin ardhur në shprehje, në kohën kur tërë bota përparimtare  ndiente thellë në qenie afshin dhe aromën e lirisë, pasi kishte varrosur  lubinë fashiste.

 Entuziazmin e lirisë më së shumti e kishin dashuruar idealistët si: Bardhok Biba, Ndrec Ndue Gjoka, Ismet Sali Bruçaj, Mrika Lokja, Fazli Graiçevci, Shaban Shala, Xhemajli Berisha e shumë të tjerë, të cilët ishin përjetësuar për atë ideal, me rrezet e dritës së lirisë, për arsimimin dhe edukimin e shqiptarëve, me ç’ rast ishin  bërë burim frymëzimi për brezat çlirimtarë e përparimtarë.

 Bardhok Biba nuk ishte vetëm entuziast proletar dhe komunist idealist, ashtu sikur shumica e bashkëkohësve të tij. Ai mbi të gjitha ishte një i ri idealist, i cili së bashku me idealistët si Ndrec Ndue Gjoka,  Mat Doda,  Mhill Doçi, Gjon Gjonaj, Bardhok Ndue Prendi, Gjon Froku e të tjerë ishin nisur në rrugë që pas luftës fitimtare ta çlironin tërë Mirditën edhe nga vargonjtë shekullorë të prapambetjes dhe  “Kanunit të Maleve”, që ndër shekuj kishte mbajtur dhe mbante nën robërinë idhujtare mirditorët e mirditoret, kanun i cili gruan e trajtonte se “shakull për të bajtur”, kanun i cili urdhëronte t’i jepej nën këmbë kafeja, mikut që nuk kishte arritur ta merrte hakun, kanun, të cilit që moti i kishte perënduar koha, por që ende gjallonte e përhapej me të rënë terri i natës mbi Mirditë dhe mbi shumë treva shqiptare.

 Lufta kundër kanunit, lufta kundër njerëzve të natës që vrisnin madje edhe gra shtatzëna, lufta për ta nxjerrë në dritë tërë një popull të zhytur mijëra vjet në robëri, ishte luftë e titanëve, pavarësisht si i quajmë ata, pavarësisht pretendimeve të reaksionarëve të sotëm, të cilët heqin rrënjë nga ajo e kaluar e zezë dhe e damkosur e tyre. Bardhok Biba me shokë e shoqe ishin idealistë, për kohën edhe komunistë, mbi të gjitha realistë dhe dinjitarë, njerëz të thjeshtë të dalë nga gjiri i popullit, njerëz pa paragjykime, por me zemrën plot mirësi, jo vetëm për vetveten e tyre, por për mbarë popullin, Mirditën, të cilën e kanë skuqur me gjakun e tyre dhe ku u pushojnë të qetë eshtrat e tyre, ndërsa amaneti i veprës dhe jetës së tyre është përhapur në të gjitha trevat e Shqipërisë,  ku bukës i thonë bukë e ujit, ujë.

Kolë Ndreka: Lufta vetëmohuese e Bardhok Bibës kundër fashizmit, analfabetizmit dhe gjakmarrjes

Në gushtin e vitit 1949, grupe terroriste, nga më të egrat që ka njohur Mirdita, të komanduara nga dy bijtë e një kushuri i Gjon Mark Gjonit, bënë atentatin më të bujshëm kundër pushtetit në shkallë Republike, duke vrarë kushëririn e tyre: Bardhok Bibën, Sekretar Politik i Partisë së Punës në këtë rreth e deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë. Po këta banditë në kundërshtim me zakonet karakteristike e normat kanunore e fetare, për 10 vite me radhë terrorizuan shumë fshatra, dogjën shkolla e shtëpi dhe vranë 99 njerëz: burra, gra, të rinj e të reja, duke plagosur dhe tri foshnja në shirin e nënave të pushkatuara brenda shtëpisë së tyre në mes të natës. Terroristët ishin mbeturinat e fundit të Gjonmarkëve dhe disa bajraktarëve gjakatarë, në perëndimin e kohës së tyre.

Në luftë

Bardhok Biba ishte bir i fisit të Gjonmarkëve, lindur e rritur në vatrën e Markolajve, degë me zë të mirë e këtij fisi, kundërshtare e lidhjeve e bashkëpunimit të Gjon Mark Gjonit me pushtuesit e huaj. Asnjëherë Markolajt nuk u bënë palë me feudalin në ngatërresat e trazirat brenda sarajeve e me popullin e Mirditës. Pranoi babai i Bardhokut, Bib Marku internimin larg Atdheut, por kurrë nuk e deshi pushtuesin e huaj të shkeli në krahinën e tij. Bard- hoku si në shkollën fillore të Oroshit dhe në gjimnazin e Shkodrës u shqua për përvetësim të mësimeve. Në Shkodër i takoi të vihej në provën e parë më serioze të jetës së tij, si i ri antifashist, i rreshtuar përkrah djemve si: Qemal Stafa, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi, Vaso Kadija, Vasil Shanto, Tom Kola etj. Por vepra e tij e parë do të shihet në fundin e vitit 1943. Gjon Mark Gjoni, duke pasur pranë vetes disa nga bajraktarët e veriu dhe i gjendur nën urdhrat e nazistëve mori zemër e u betua se nuk do ta lëshonte i gjallë Mirditën në dorën e Ushtrinë NAÇL. Rreth vetes mbante 2000 milicë. Po ashtu dhe gjermanët kishin 2000 forca që mbanin nën kontroll tri pikat kyçe të Mirditës. Bardhok Biba e njihte mirë gjendjen dhe garantoi Komitetin Qarkore të PK dhe Komandën e forcave partizane në Shkodër, se Gjon Marka Gjoni nuk e ka popullin me vete dhe forcat e tij do të shkatërrohen duke e braktisur. Për ta bërë të mundur këtë kthesë në Mirditës në favor të Frontit NÇL, ai mori detyrën më serioze dhe të rrezikshme për ta përshkuar zonën në çdo fshat e të sqaronte popullin se çfarë përfaqësonte Fronti NAÇL. Ky mision i djaloshit 20 vjeçar ndërmerrej kur në Mirditë nuk ekzistonte asnjë celulë e PKSH. Bardhoku e nisi vetë i tretë rrugën drejt vatrave të Mirditës, përballë pritave të Gjon Mark Gjonit, por u bë me shumë burra e djem të familjeve të dëgjuara, që donin sa më parë të shporrej pushtuesi. Të tillë ishin: Mat Doda, Ndrec Ndue Gjoka, Mhill Doçi, Gjon Gjonaj, Bardhok Ndue Prendi, Gjon Froku etj. Bardhoku mori zë si askush më parë për kuvendet e shtruara, fjalët e mençura e bindëse e u mirëprit kudo. Djaloshi guximtar i dha përgjigje me “Po” të madhe pyetjes: Nga kjo luftë a do t’i vinte fundi sundimit të Kapidan Gjonit?

Pas çlirimit

Bardhok Biba garantonte njerëzit në kuvendet e odave, oborreve të shtëpive se pas çlirimit në vendit do të ngrihej pushteti popullor me këshillat të zgjedhur po nga populli, me ligje e rregulla të barabarta për të gjithë. Do të falen gjaqet e do ndalohen vëllavrasjet e gjakmarrjet. Në çdo fshat do të hapen shkolla për fëmijët e kurse analfabetizmi, e do të ketë mjek për të ndihmuar në rruajtjen e shëndetit. Do të fillojë puna në minierën e Rubikut dhe në disa pika të tjera për të zbuluar bakrin në nëntokën e Mirditës. Fjala e këtij përfaqësuesi të ri të luftës hapi qiellin e zymtë të Mirditës, për një kohë të re, të zhvillimit te qytetërimit. Është rast unik ajo që Bardhok Biba, Ndrec Ndue Gjokka dhe Gjin Marku mblodhën kuvendin më historik të Mirditës në Shënpal 22 ditë para se të çlirohej Shqipëria, në të cilën përuruan çlirimin nga nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e tyre. Në atë kuvend për herë të parë pas 4 shekujsh u nënshkrua dekreti për faljen e gjaqeve, gjithsej 517, dhe ndalimin e gjakmarrjeve. Ishte po Bardhok Biba që fali i pari gjakun e të vëllait të vrarë nga Gjonmarkët në gusht 1944 kur i dogjën shtëpinë në Orosh. Ky fakt madhor i lënë në heshtje apo i përmendur shkarazi nga ata që kanë shkruar për Mirditën, nuk mund të zvogëlohet, ai është treguesi më i saktë se ky politikan i ri shihet larg dhe ishte njeriu më i përkushtuar për ti shuar sherret dhe pajtuar njerëzit. Pra e vuri melhemin në plagën më të leqe të Mirditës që rrodhi gjak në shekuj. Ai me cilësinë e drejtuesit të Mirditës, dhe deputetit të Popullit, hyri edhe midis bandave dhe reaksionit kundër pushtetit, kuvendoi me të arratisurit, u komunikoi faljen të shumtëve prej tyre duke i bindur të dorëzonin armët dhe të ktheheshin në familjet e veta.

Bardhoku veshi gruan partizane dhe e çoi në hekurudhë

 Bardhok Biba me Ndrec Ndue Gjokën janë të parët që në janar të vitit 1945 shtruan para këshillit të frontit të rrethit çështjen madhore të hapjes së shkollave fillore në çdo fshat. Në atë kohë krahina pati vetëm 6 shkolla me 300 nxënës. Të hapësh 50 shkolla pa pas ndërtesa, pa arsimtarë, pa libra e fletore, vërtet ishte një ëndërr përtej reales, por që u bë realitet nga Bardhoku e Ndreca falë mikpritjes e gatishmërisë shembullore të popullit të Mirditës. Ato që kishte premtuar Bardhok Biba si punë të pushtetit të ri pas çlirimit, populli i pa me sytë e tij dhe njohu për herë të parë dorën dhe kujdesin e atij që quhej shtet, duke bërë dallimin e qartë me sundimin e Markgjonajve e bajraktarëve si sjellje krejtësisht pa asnjë të mirë në shërbim të popullit, në kushtet e një jete mizerabël siç e pat përshkruar në poemën e mjerimit Migjeni i madh. Ishte këmbëngulja dhe shembulli vetjak i Bardhok Bibës për ta çliruar nga burgu i fanatizmit dhe injorancës gjysmën e popullit të krahinës, gratë mirditore, të mirënjohura por botën e tyre të madhe si nëna e motra, trimëresha që kanë lindur e rritur trima. Bardhok Biba i pari e veshi gruan partizane në ditët e luftës, pas asaj u rreshtuan në brigadën e 7-të S të ushtrisë partizane kushërira e Bardhokut, Prena Përkola. Ky ishte një veprim simbolik që do të thoshte se edhe Mirëdita pati nga bijat e saj luftëtare për çlirimin e atdheut. Koha e lirisë kërkonte të ecej përpara me çdo sakrificë në emancipimin e gruas mirditore dhe në këtë luftë me të vjetrën e prapambetur Bardhok Biba dha shembullin i pari duke rreshtuar bashkëshorten e tij të parën vullnetare në hekurudhën e parë të Shqipërisë, ajo që la në djep vajzën disa muajsh. Pas nuses së Bardhokut, në hekurudhë do të shkonin edhe 4 vajza të tjerë, ato guxuan të tejkalonin gardhet e kanunit të egër dhe mentaliteti jashtë kohës duke i paguar këtë hap me jetën. Dy prej tyre u therën nga banditët me thika dhe dy të tjerat u vranë me pushkë. Në këtë dënim me vdekje të komitetit terrorist të maleve, të katër këtyre bijave u qe shënuar si mëkat i pafalshëm dhe puna në hekurudhën e komunistëve. Kështu, Mirditës i takoi të ishte e vetmja krahun e Shqipërisë me katër vajza vullnetare të para në aksione e rindërtimit të vendit që janë shpallur heroina të popullit.

Heroi pa monument

Të 6 vitet e Bardhok Bibës në shërbim të atdheu e drejtpërdrejt të çështjes për një Mirditë të re, mbajnë mesazhin e një drejtuesi me një vullnet e forcë gati mbinjerëzore, shembull referimi për të gjithë ata që dalin në pushtet për të sakrifikuar për popullin. Ai ishte dhe mbetet në kujtesën e atyre që e njohën, drejtuesi njerëzor i pakapur nga sëmundja e mendjemadhësisë dhe urrejtjes për të tjetër. Ai nuk i llogariste mirditasit sipas ndarjeve, të majtë e të djathtë, për atë tregues ishte sjellja dhe punët, përjashtim bënte vetëm shkelësi i ligjeve që bën krime. Ai e urrente hapur luksin e shpifur. Personalitetet si ai shkojnë më larg se rendet politike të kohës dhe i shpëtoj klasifikimit tendencioz që bën ndarje krahësh, të majtë dhe të djathtë. Ai kishte lindur për një Mirditë të re dhe ra për ardhmërinë e saj. Padrejtësi e imponuar. Trashëgimtarët e atyre që bënë krimet më të zeza në Mirditë dhe disa politikanëve pa karakter, pa ideale demokratike, të shitur is antikomunistë, kanë vepruar dhe veprojnë sa munden për tua fshehur mirditorëve të rinj, figurën dhe veprën e Bardhok Bibës. Ai ishte shoku dhe bashkëluftëtari i Heroit të Popullit Qemal Stafa, të dy patën të njëjtën përplasje fatale me të njëjtët armiq. Qemali u vra në Tiranë nga fashistët italianë, Bardhoku u vra në krye të marshimit të popullit për të ndërtuar një Mirditë të re. Qemali përjetësohet me emrin në gjimnazin më në zë në Tiranë, në disa rrugë e disa monumente, ndërsa Bardhok Biba përmendet në një rrugë të kryeqytetit. Për fat të keq në vendlindjen e tij ia prishën e fshehën simbolet e përjetësimit, i ndaluan dhe këngët e popullit në radio e televizion. Sigurisht koha e heshtjes e imponuar ka protestuar e proteston fuqishëm: Vëreni përmendoren e Bardhok Bibës në vendin ku e ka merituar. Nëse populli e ka në zemër edhe populli i Mirditës duhet ta ketë në qendër të saj, në Rrëshen, aty ku ai vuri themelin e parë, të qytetit të parë të Mirditës. Kënga thotë: Mirdita e Bardhok Biba nënë e bir/ si mali me lartësinë nën një qiell.

Kontrolloni gjithashtu

Lasgush Poradeci (1899 - 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Lasgush Poradeci (1899 – 1987), poet, shkrimtar dhe përkthyes i talentuar

Llazar Gusho u lind në Pogradec, më 27 dhjetor të vitit 1899. Ka vdekur në …