FSK-ja tetë vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës e shënoi me homazhe në Memorialin e Komandantit Adem Jashari në Prekaz dhe me parakalimin e kuadrateve të FSK-së në Sheshin Nënë Tereza dhe Zahir Pajaziti në Prishtinë.Ministri i FSK-së Haki Demolli së bashku me komandantin e FSK-së gjenerallejtënantë Rrahman Rama dhe stafin e lartë të Ministrisë dhe FSK-së, shënimin e tetë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës e nisen me homazhe në Memorialin e komandantit legjendar Adem Jashari në Prekaz, të cilët në shenjë nderimi vendosën kurora me lule të freskëta dhe bënë homazhe.
Ndërsa manifestimi qendror u mbajt në sheshin Nëna Terezë dhe Zahir Pajaziti. Në manifestim morën pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Atifete Jahjaga, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, zëvendës kryeministri Hashim Thaçi, ministri i FSK-së, zoti Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ministra, zëvendëskryeministra, ambasadorët dhe atashetë e akredituar në Kosovë, deputet dhe qytetarë të shumtë të Kosovës.
“Kjo është dita më e shënuar e historisë së Kosovës që përmbledh sakrificën, mençurinë e përkushtimin për ta jetësuar idealin e gjeneratave të tëra për një shtet” tha në fillim të fjalës së saj, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, për të shtuar se: “Tetë vjet që prej shpalljes së pavarësisë ne përkujtojmë idealet që na bëjnë bashkë, përkushtimin për lirinë dhe për zhvillimin e vendit tonë, për demokracinë që ndërtohet çdo ditë dhe njëkohësisht edhe për paqen”. Presidentja Jahjada, përshëndeti edhe FSK-në për punën që po bënë në ndërtimin e një force të re. “Sot është festë për ju pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që keni përmbledhur me sukses prej shumë muajsh punën tuaj në ndërtimin e një force të re mbrojtëse e që po prisni, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e tjerë, ta realizoni ëndrrën tuaj. Forca e Armatosur e Kosovës është e ardhmja e juaj, e ardhmja jonë e përbashkët, e ardhmja e shtetit të Kosovës”. Në fund, presidentja e Kosovës vlerësoi se pavarësia e Kosovës është garantuese e pagës, stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore.
Ndërsa kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, në fjalën e tij, në përvjetorin e shënimit të 8 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës përmbledhi të arriturat e përgjithshme të Republikës së Kosovës. “Kjo ditë është kurorëzim i aspiratës për liri, pavarësi dhe demokraci, është ditë e përkujtimit të sakrificës së shumë gjeneratave që u flijuan për këtë ide dhe dëshmorëve e martirëve të vendit të bekuar. Këto 8 vjet, ne kemi demonstruar përkushtim për ta bërë Kosovën një vend të denjë për të jetuar. Kemi dëshmuar përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jemi përpjekur të njohim e zbatojmë obligimet tona ndaj fqinjëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Përmbyllja e shënimit të përvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës u bë me parakalimin e kuadrateve të FSK-së dhe të njësive të Policisë së Kosovës.