(Instervistë e Xhevdet Shehut me dr. Sabit Brokajn, botuar në “Dita”)
Me atë qetësinë dhe kthjelltësinë e admirueshme që e karakterizon, në këtë intervistë ekskluzive për DITA-n, Dr. Sabit Brokaj përcjell mendimin e tij për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe debatin që zhvillohet prej disa kohësh. Ai ka respektin më të madh për heronj e asaj lufte që i dha nder dhe dinjitet Shqipërisë dhe e konsideron të humbura davanë e ballistëve të djeshëm dhe të neoballistëve të sotëm. Pse mendon ai se truri i së keqes si në rastin e këtij debati për luftën dhe të një përplasjeje të mundshme civile është Sali Berisha. Doktor Brokaj shprehet se ideja she skenari i vitit 1991 për ta mërzitur dhe lodhurkëtë popull po kërkohet me ngulm nga Berisha të përsëritet tani me të vetmin qëllim që të vijë përsëri në pushtet…
– Doktor, këtë intervistë me ju dua ta filloj me një pyetje të drejtpërdrejtë: A jeni trembur ndopak nga kallëzimi penal që iu ka bërë Instituti për studimin e Krimeve të Komunizmit, për shkak të qëndrimit që keni mbajtur në favor të Luftës Antifashiste?
– Jam trembur dhe shumë madje! Kam vendosur të rrëmbej pushkën e të dal në mal për ta nisur luftën antifashiste me ballistët nga fillimi. Një gjë e them me bindje: unë dhe shokët e mi kemi për t’i mundur përsëri, ashtu si 75 vjet më parë bashkëpunëtorët e fashistëve.
– Ta lemë mënjanë humorin që mund ta bëjmë në një kohë më të përshtatshme. A ishte i nevojshëm ky debat që është hapur për luftën?
– Natyrisht që ishte i panevojshëm pas më shumë se shtatë dekadash të mbarimit të asaj lufte dhe kur historia është shprehur qartë për atë luftë. Por debati u provokua qëllimisht porta denigruar atë luftë pikërisht këtë vit nga një palo institut ballistësh dhe ne që gjithmonë jemi krenuar me atë luftë të madhe nuk mund të heshtnim. Kur pashë atë listë të turpshme të hartuar nga ai institut u lemerisa. Gjatë një interviste iu referova vetëm dy emrave: Baba Fajës dhe Mustafa Matohitit, heronj të luftës, aq shumë të respektuar e të dashur edhe sot e kësaj dite nga populli shqiptar. Është e tmerrshme t’i quash kriminelë këta dy heronj aq të nderuar e të respektuar nga një popull i tërë. Unë mund t’i merrja një për një të 265 emrat që përmendeshin dhe të argumentoja të kundërtën e asaj që mendon dhe shpall ky institut. Si mund të quash kriminel Myslim Pezën, komandantin e çetës së parë antifashiste në Europë, për të cilin u sakrifikua dhe u dogj Peza martire? Po kështu edhe të gjithë emrat e tjerë të asaj biçim liste. Por Tufa dhe tufa e ballistëve në atë institut nuk e bëjnë pa qëllim këtë. Ai është në sinkron të plotë me Sali Berishën që e themeloi atë institut dhe me ata që e sponsorizojnë aktualisht…
– Me ata që e sponsorizojnë aktualisht… Mos e keni fjalën për kryeministrin Edi Rama?
– Pa asnjë dyshim që për atë e kam fjalën. Ata u inkurajuan nga gjesti i turpshëm që bëri Edi Rama në nëtorin e kaluar duke nderuar e rehabilituar kryeballistin Mit’hat Frashërin dhe morën zemër. Menduan ata: Pse të mos shkojmë edhe më tej, t’i biem edhe Luftës antifashiste dhe ta bëjmë pluhur e hi e të dalim në dritë ne si heronj që na mundën dhe persekutuan komunistët? Dhe u hodhën në sulm. Por e kanë të humbur davanë njëherë e përgjithmonë!
– Pse mendoni se e kanë të humbur davanë? Ju sapo përmendët dy emra, Sali Berishën dhe Edi Ramën. A nuk është kjo një arsye e mjaftueshme që pinjollët e ballistëve të djeshëm të ndihen mirë në misionin dhe qëllimet e tyre?
– Ju keni të drejtë që e bëni këtë pyetje. Por unë jam plotësisht i bindur se ata e kanë të humbur davanë. Pse e them këtë? Po jua argumentoj. Ne që e kemi jetuar edhe kohën e regjimit komunist jemi në gjendje të bëjmë krahasimet me kohën që jetojmë. Të them të drejtën para vitit 1990 kam menduar gjithnjë se pas aq shumë vitesh që kishin kaluar nga lufta, dallimet mes partizanëve dhe ballistëve ishin bërë thuajse të padukshme. Fëmijët e ish-ballistëve shkolloheshin dhe punësoheshin njëlloj si bijtë e partizanëve. Mendoja se ajo përçarje që mbolli lufta ishte zhdukur njëherë e përgjithmonë. Mirëpo, ja, doli në skenë Sali Berisha dhe i gjeti me kokrra ballistët që kishin mbetur në mendësinë e vitit 1943, i mori me vete në PD, u dha pushtet dhe ngjalli frymën e përçarjes. Kjo ishte fryma e Berishës e vitit 1990-91. Në këtë frymë u krijua ai institut famëkeq që i ka hedhur benzinë zjarrit të përçarjes në vitin 2019. Më vjen keq për Edin që vazhdon të luajë symbyllazi me ta. Sepse ndërsa bën sikur mbron luftën, thotë se mos ma prekni Mit’hatin e Ballit. Është një qëndrim që nuk e nderon aspak një kryeministër socialist. Urojmë që Edi të ndryshojë dhe të mos i duken si shakara këto punë. Prandaj dhe thashë se ballistët dhe neoballistët e kanë të humbur davanë. Koha e tyre ka perënduar njëherë e përgjithmonë. Pavarësisht përkrahjes që gjejnë nga individë të veçantë, shumica dërrmuese janë kundër tyre. Në këtë kontekst, unë e quaj shumë të drejtë idenë që është hedhur nga deputeti Spartak Braho dhe të mbështetur edhe nga intelektualë, historianë dhe njerëz të mençur të tjerë për krijimin e një Instituti të Kujtesës së Luftës së Dytë Botërore. Dëshiroj të realizohet sa më shpejt kjo ide.
– Doktor jemi një ditë para një proteste të fuqishme të paralajmëruar nga opozita për nesër në Tiranë. Si e prisni këtë protestë, pasi janë dhënë shenja edhe për konflikt civil me bllokimin e rrugëve gjatë kohëve të fundit, por edhe nga deklaratat e krerëve të kësaj opozite?
– Pse e quani të fuqishme atë protestë? Ajo i ngjan debatit për Luftën. Kjo është një përplasje si e lepurit me elefantin dhe ekziston në mendjen e atyre që e kanë shpikur.
E kam fjalën për atë pakicë që përfaqëson kjo opozitë me pjesën tjetër të popullit që përfaqëson shumicën dhe që mbron si luftën ashtu dhe progresin. Ajo protestë nuk ka pasur kauzë që kur u nis disa muaj më parë. Është për të ardhur keq që opozita është katandisur në atë gjendje të mjerueshme. Kjo opozitë rrugaçe është kundër integrimit të vendit në BE, është kundër interesave të këtij populli. Në të vërtetë truri që i pjell dhe ëndërron konfliktet civile është ai i Sali Berishës.
Ai kërkon të realizojë planin e viteve 1991-92 kur e ëndërronteme çdo kusht pushtetin dhe vriste priste në të gjithë vendin, derisa një pjesë e madhe thanë: Pole ta marrin pushtetin që të biem rehat! Ata e morën pushtetin, por vendi dhe populli nuk gjeti qetësi asnjëherë nga ata, edhe kur ishin në pushtet, edhe kur janë në opozitë.
I njëjti skenar si në vitin 1991 po luhet edhe tani nga Berisha, që ta lodhë këtë popull deri sa të thonë: Aman, jepuni pushtetin se na nxinë jetën! Mendoj se skenari këtë radhë nuk do të funksionojë për dy arsye: E para kanë një popull të tërë kundër (unë nuk i konsideroj popull ca banditë që i shkojnë pas Berishës e Bashës) por kanë edhe ndërkombëtarët. Si asnjëherë tjetër ndërkombëtarët janë kundër sjelljeve të kësaj opozite mjerane dhe kanë dënuar të gjitha sjelljet e saj që nga dorëzimi mandateve e deri te aktet e dhunës në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. Prandaj kjo opozitë nuk ka të ardhme dhe do të shkërmoqet. Bashkë me të do të përfundojnë në hiç edhe ballistët e neofashistët që i fryjnë zjarrit të përçarjes kombëtare me vrerin që derdhin përditë kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe heronjve të saj.
– Megjithatë opozita përsërit vazhdimisht se nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor. Sa të vërtetë ka në këtë parashikim të saj?
– Nuk ka asgjë të vërtetë. Është një halucinacion i Berishës si konflikti civil ashtu dhe pengimi i zgjedhjeve. Kjo opozitë që vazhdon të ketë mendjen e Berishës, po shkon me shpejtësi të rrufeshme drejt një fundi të pashmangshëm të saj, pra drejt një tkurrjeje të paevitueshme deri në zhbërje. Pavarësisht se Berisha bërtet se tani është populli që vendos për fatet e tij, duke lënë të nënkuptohet se populli është bërë me opozitën që përfaqëson ai, e kundërta është e vërtetë.
Populli nuk i beson kurrë më këtij njeriu ogurzi dhe mbjellës fatkeqësish dhe i ka kthyer krahët njëherë e mirë. Populli kërkon korrigjimin e kësaj qeverisjeje, por kurrsesi rikthimin e gjëmëziut Sali Berisha. Ajo që mund të them me bindje tani për tani është kjo: Zgjedhjet do të bëhen dhe konflikt civil nuk do të ketë! Po kështu jam i bindur se nuk do të ketë as zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Zhvillime interesante mund të priten në kampin e opozitës tashmë jashtë parlamentare. Këto zhvillime kanë filluar të duken…