Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ditë më parë ka dal me një rekomandim për institucionet e vendit që me ligj të ndalojnë përdorimin e burkës në vendet publike dhe gjykata. Kjo ide ka gjetur mbështetjen të ligjvënësve, teksa Avokati i Popullit vlerëson se mbajtja e simboleve fetare mund të përcaktohet vetëm me ligj e jo ndryshe. Kryetari i KMDLNj-së, Behxhet Shala ndalesën e burkës në vendet publike e arsyeton duke thënë se duan që t’i ruajnë nga stigmatizimi gratë që mbajnë një mbulesë të tillë. Shala thotë se Këshilli ka dal me këtë mendim me qëllim që të mos rrezikohen gratë dhe vajzat që bartin burkën, duke i ditur edhe paragjykimet e shoqërisë ndaj tyre. Përkrah nismës, ka dal edhe anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, Teuta Haxhiu e cila thotë se mbajtja e burkës nuk e tregon traditën dhe kulturën tonë. Deputetja e AAK-së deklaron se siguria është mbi të gjitha, prandaj, sipas saj, është tejet e rëndësishme të dihet se kush fshihet prapa asaj veshje.