Dibran Fylli

Dibran Fylli: Dëshmorët kanë vetëm datëlindje

KËSHTU FILLOI FESTIVALI FOLKLORIK “I KËNDOJME LIRISË ”

Të kthehem para 19 viteve, që ta kujtoj themelimin e Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë”, nuk mund të mos e kthej kujtesën edhe më tej, shumë më përpara. Nuk mund të mos e kujtoj paraqitjen artistike dhe angazhimin maksimal të Mujë Krasniqit, në programin artistik me Trupën Artistike “Zogjtë e Shqiponjës”, të themeluar në vitin 1995, në Likofc. Nuk mund të mos e kujtoj këngën e bukur “Thërret Prizreni…”, të kënduar, me aq përkushtim, nga i madhi Mujë Krasniqi, po atë vit, në sallën e Shtëpisë së Kulturës, “Hasan Prishtina”, në Skënderaj.

Po, Muja, këndonte edhe atëherë kur kërkohej nga të gjitha anët prej pushtuesit serb. Ai, vinte sikur të mos ishte i shumëkërkuar nga policia serbe, e kryente punën e vet prej artisti të madh, dhe, kur argatët e shkaut e lajmëronin në polici prezencën e tij, Ai, zhdukej sikur të mos ishte. Një ditë, kur përgatiteshim për shfaqje, të cilën do ta shfaqnim në Drenas (ish Gllogofc), i pata thënë “Nipçe, po na bllokojnë sallën, e, të zënë, çka do të bëjmë pa Ty?…” Ai, buzëqeshi si përherë, mi hodhi dy duart rreth qafe dhe ma kthej “Jo, dajë, ne kemi edhe shumë punë për të bërë, mos e ke dert, vetëm kështu ua plasim zemrën armiqve!…”.

Mujë Krasniqi, ai trim që do të mbahet mend ndër shekuj. Kishte pamje e qëndrim burri, i rreptë në respektimin e asaj që thoshte, kishte zë të ëmbël artistik, qëndrim prej ushtaraku të rryer, oficer i lindur për luftë, i bindur se, një ditë do ta sjellë lirinë në trojet e copëtuara shqiptare… T’i kujtoj të gjitha këto, e, të mos e kujtoj Betejën e madhe të gushtit, te Topat, mbi fshatin Dush, është e pamundur. Edhe sot, kur po e shkruaj këtë shkrim, me duket se po e shoh e po e dëgjoj zërin e Komandant KAPUÇIT. Ai, sa gjuante në drejtim të pozicioneve të armikut, aq bukur i dëgjohej e dallohej edhe zëri i këngës që këndonte për Shqipërinë. Të gjitha më kanë ngelur të pashlyera në kujtesën time, por, atë që nuk do ta harroj kurrë, e, që, do ta marr me vete kudo që shkoj, edhe në banesën e përjetshme, do ta kam me vete përshpirtërisht, është thënia e Tij: “Dajë, ai që bie në fushë të nderit, i bën nder vetës, i bën nder Kombit e Atdheut, i bën nder Lirisë e Shqipërisë… Mos e harro, dajo, Dëshmorët kanë vetëm datëlindje!…”, dhe, lëshoi zërin e tij prej ushtaraku, bashkë me krismat e pushkës: “Ooooo, prite Adem Jasharin, more, o, heeeej!”…

Këtu, nga këto thënie të Mujës, i ka rrënjët edhe ideja për themelimin e Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”. T’i këndojmë lirisë me Mujën e për Mujën. Ta kujtojmë Mujë Krasniqin-KAPUÇIN, duke kënduar me Të e për Të, dhe, Festivali mbahet, pikërisht, në datëlindjen e MUJË KRASNIQI, më 06 qershor, sepse Ai vet e ka thënë “Heronjtë-Dëshmorët, kanë vetëm datëlindje!”. Dhe, kështu, në vitin 2000 nisën fillet e para për themelimin e Festivalit Folklorik.

-Ishte mesditë. Moti ishte i mirë, njerëzit kalonin rrugës sikur atë ditë, të mos kishte ndodhur asgjë. Unë, ecja udhës, me sy të përlotur, gjë që rrallë herë më ndodhë. Ecja dhe mendoja: Athua, e di Muja, për këtë që po ndodhë në Klinë… Jo, jo, nuk është e mundur, se, Ai, do të na thoshte: “Hej, mos keni gabuar, a e dini ju se më 6 qershor e kam datëlindjen?”.

Ecja, si të isha i humbur, pa e ditur se para Pallatit të kulturës, në Klinë, isha takuar me Idriz Berishën. Flisja, e s’e dija që po flisja me dikë; fliste, e s’e dëgjoja se më fliste dikush. Edhe kjo më ka ndodhur, është e vërtetë, por, ndoshta?, edhe mund ta besoi ndokush! Atë ditë, me Idriz Berishën biseduam gjer e gjatë . Biseda zhvillohej, kryekëput, për idenë time, që të themelohet Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë”, në Klinë, aty ku vetë Mujë Krasniqi i Madh, kishte dhënë kontribut të pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare. Me Idrizin, u dakorduam që t’i hedhja në letër të gjitha idetë, ta bëja një skenar, me qëllim që ta shohim sesi do të dukej, në aspektin teorik ky manifestim. Dhe, kjo ndodhi.

Dy ditë më vonë, në lokalet e Pallatit të Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, dyert e se cilës, pas largimit të forcave okupuese serbe, ishin mbyllur me “blomba të kuqe e me myhyr çetniku”, Pallat, që, gjatë sundimit serb, më shumë ishte përdorur si lokal politik e partiak, sesa si shtëpi kulture, vetëm se emrin e kishte: Pallati i Kulturës e që më 19 qershor 1999, ato dyer dhe ato blomba të kuqe, i hoqem me kazmë, pa ndihmën e askujt tjetër, përveç Hazir Racit, tani të ndjerë.

Aty, një vit më pas, po bëheshin diskutime, analiza e po përgatiteshin programe artistike… Në një zyrë të vogël, mbi tavolinë, i hodha të gjitha, që i kisha përgatitur për dhe rreth Festivalit. Tanimë, ishte prezent, përpos Idriz Berishës, edhe Ismet Krasniqi, e, më vonë, e ftuam edhe Gani Morinën, që të na ndihmonte për përgatitjen e një rregulloreje të punës, sipas rregullave, akteve e normave juridike.

Më vonë, në fillim vitin 2001, me iniciativën time, është thirrur një takim pune në Pallatin e Kulturës, që kishte të bënte me organizimin e Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”, në shenjë kujtimi pëe Komandantin e lavdishëm të UÇK-së, Mujë Krasniqi – KAPUÇI.

Në takimin e parë ishin të pranishëm: Idriz Berisha, Ismet Krasniqi, Prend Buzhala, Rrahim Gashi, Hysni Raci, Hashim Haliti, Ramadan Selimi, Gani Morina, Halit Gashi, Zef Prenaj dhe Skënder Gashi. Pas përfundimit të takimit, u mor vendim që të ftohen të gjithë ata që me dëshirë do t’i bashkëngjitën karvanit të organizimit të kësaj feste të bukur kombëtare, si dhe, u caktua takimi i radhës.

Në takimin e dytë, u caktua Këshilli Organizativ, u ndërtuan grupet punuese dhe u ndanë detyrat e secilit grup dhe individ.

Këshilli i parë Organizativ e kishte këtë përbërje: Dibran Fylli, kryetar, Idriz Berisha, skenograf, Ismet Krasniqi, zëvendës, Skënder Behramaj, dizajner, Rrahim Gashi, Hysni Raci, Hashim Haliti, Ramadan Selimi, Gani Morina, Zef Prenaj, Skënder Gashi, Halit Gashi, Prend Buzhala, Kamer Raci, Refki Krasniqi, Xilaje Hyseni, Skënder Raci, Brahim Fylli, Enver Marmullaku. Me propozimin tim dhe me miratimin e KO, u vendos që vendi i parë të nderohet me Çmimin “MUJË KRASNIQI”, si dhe të disenjohet Emblema, vula dhe Flamuri i Festivalit, pastaj, me propozime, sugjerime e ide të ndryshme, u vendos për ndarjen edhe të shpërblimeve të tjera, si: Vendi i dytë dhe Vendi i tretë, Grupi më i kompletuar, Veterani i festivalit, Teksti më i mirë, Veshja më autentike, Çmimi i publikut dhe Instrumentisti-ja më i-e mirë.

Puna intensive, e palodhshme dhe plot entuziazëm, e këtyre aktivistëve të kulturës, bëri që Festivali të mbahet pa pengesa, si për nga organizimi, pjesëmarrja e grupeve konkurruese, financimi e punë tjera, që u kryen dhe zgjatën plot pesë muaj, deri te fillimi i mbrëmjes se parë garuese.

PUNA DHE ANGAZHIMI VAZHDUAN

Në Festivalin e dytë, të vitit 2002 u bënë ndryshime pozitive. Në janar të atij viti, të gjitha vendimet e Këshillit Organizativ, Flamurin, vulën, skenarin dhe dokumentet zyrtare, i dorëzuam në Zyrën Komunale për Kulturë, te zyrtari i atëhershëm, z. Idriz Berisha, dhe, me një kërkesë, iu drejtuam Kuvendit Komunal të Klinës, për zyrtarizmin e Festivalit, gjë që, më 8 prill 2002, Kuvendi Komunal, në seancën e III-të, të rregullt, mori vendim për Zyrtarizimin e mbajtjes se Festivalit Folklorik, “I këndojmë lirisë”, në Klinë.

Pas zyrtarizmit, u caktua takimi i radhës dhe u raportua për punët organizative të grupeve punuese.

Dy ditë më vonë, u mbajt takimi, në zyrën e z. Asllan Krasniqi, për zgjedhjen e Drejtorit, Sekretarit dhe Arkëtarit të Festivalit. Me kundër kandidat, me vota të fshehta dhe me shumicë votash u zgjodhën organet zyrtare të Festivalit Folklorik “I këndojmë lirisë”, në këtë përbërje: Dibran Fylli, Drejtor, Ramadan Selimi, Sekretar dhe Xilaje Hyseni, Arkëtar. Pastaj, nga drejtoria e Festivalit, u vendos që të zgjidhen organet tjera, në përbërje të KO.

Në krye të Këshillit Artistik u zgjodh Ismet Krasniqi si dhe anëtarët e tjerë të Këshillit Artistik: Rrahim Gashi, Zef Prenaj dhe Nysret Kadriu,  po ashtu u ngritën edhe komisione e grupe punuese, si: ai për grumbullimin e mjeteve financiare, për pritjen dhe përcjelljen e mysafirëve, për ndërtimin e skenës që do të ndërtohej para Pallatit të Kulturës, për vendosjen e publikut gjatë mbrëmjeve garuese, si dhe shumë grupe të tjera punuese, dhe, që të gjithë e kryen detyrën me nder e me përkushtim të madh, ashtu siç do kishte dëshiruar edhe vetë Komandant Mujë Krasniqi, për Klinën e tij, që po frymonte lirshëm.

PËR FUND

Festivali u mbajt shumë vite, pa prezencën time fizike, në Klinë, (dihen shkaqet). U mbajt dhe u organizua falë përkushtimit të atyre që e dinin vlerën e festivaleve, të lirisë, të luftës çlirimtare dhe të komandantëve të saj.

Kështu, Festivali Folklorik “I këndojmë lirisë” nisi hapat drejt sukseseve, ky është krejt historiku i tij, e vërteta, pa rrena! Këtu e ka datëlindjen, këtu është ideatori e themeluesi dhe këta ishin nismëtarët e tij, të cilëve u printe fryma e lirisë, të cilën ua dhuroi gjaku i Komandant Mujë Krasniqit – KAPUÇIT dhe i shokëve të tij dëshmorë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …