Mediat serbe janë alarmuar nga pjesëmarrja e Ushtrisë së Kosovës në stërvitjen e NATO-s “Immediate Response 19”, nikoqire e së cilës është Kroacia. Gazeta serbe “Veçernje Novosti” shkruan se ftesa për pjesëmarrje Ushtrisë së Kosovës i është dërguar nga selia e Aleancës Veriatlantike, në Evropë, kurse ushtrimi është i koordinuar nga komanda e forcave të SHBA-së në Evropë. Autoritetet në Serbi ankohen pse nuk është bërë e ditur se në bazë të cilave kritere janë ftuar pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës në këtë stërvitje. Nga ushtria kroate dje nuk është komentuar pjesëmarrja e ushtarëve të Kosovës, por ata edhe ashtu nuk u kanë dërguar as ftesat forcave të armatosura të vendeve të tjera për pjesëmarrje në stërvitje. Kroacia gjatë këtij muaji dhe muajin e ardhshëm, do të organizojë tri stërvitje të madhe ushtarake të NATO-s.
“Immediate Response 19″,” Astral Knight 19″ dhe “Swift Response 19” janë emërtimet e stërvitjeve në organizim të Komandës të Forcave Tokësore për Evropë (USEUCOM) që në koordinim me anëtaret e NATO-së dhe vendet partnere do të mbahen në Kroaci, ka njoftuar Ministria Kroate e Mbrojtjes në faqen e saj në internet. Stërvitja e parë “Immediate Response 19”, me të cilën Ushtria e Kroacisë shënon 10 vjetorin e hyrjes së Kroacisë në NATO, filloi më 10 maj dhe zgjat deri më 6 qershor në territorin e Kroacisë, në hapësirën e Sllovenisë dhe Hungarisë. Në këtë stërvitje marrin pjesë 1,600 pjesëtarë të forcave të armatosura të Kroacisë, Sllovenisë, Hungarisë, BeH, Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, SHBA, Polonisë, Francës, Britanisë, Lituanisë, Maqedonisë së Veriut, Italisë dhe Gjermanisë.