Prezantimi i fotove të krimeve serbe në Kosovë, nuk shkel dinjitetin e asnjë viktime, por tregon me fakte mizorinë e barbarinë, që kanë kryer serbët mbi popullatën e femrat e pambrojtura gjatë luftës. Sulmi që po i bëhet, deputetes Flora Brovina, për shkak të publikimit të fotove, ku dokumentohet një apo raste të tjera gjatë dhunimit është një sulm i çmeritur, sidomos kur drejtohet nga gratë qofshin deputete, qeveritare apo edhe vetë të përdhunuara.
Pse u dashka të fshihen krimet serbe nga syri i opinionit?
Çuditërisht edhe një grua madje dikur kryetare e Kosovës e zgjedhur nga një zarf i një ambasadori amerikan, me fjalët më të çoroditura godet deputeten Brovina. Ja si shprehet tani kryetarja e dikurshme e zarfit, Atifete Jahjaga. Ajo konsideron të gërditshme e të neveritshme veprimin e deputetes Flora Brovina, e cila publikoi një fotografi ku shihej një grua derisa po dhunohej seksualisht nga forcat serbe. Sot ajo shfrytëzoi pikërisht godinën e Kuvendit për të publikuar para mediave një fotografi që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit të një gruaje shqiptare nga tre ushtarë serbë”, shkruan Jahjaga.
Gjykimi hipotetik i kësaj zonje me konstatimin “që thuhet se dokumenton aktin e dhunimit”, në radhë të parë shpreh dyshim në dhunimin e dokumentuar dhe duket se merr në mbrojtje dhunuesit, sepse edhe ata vetë apo familjet e tyre po u ndjekan keq.
Ky paragjykim naiv i kësaj zonje tregon nivelin e saj arsimor, pedagogjik, edukativ, politik, diplomatik. Kjo, sipas saj do të thotë që femra e dhunuar duhet të hesht dhe nuk guxon në asnjë mënyrë të tregojë e ta demonstrojë të vërtetën me dëshmi konkrete. Ku jeton kjo kokë gruaje, në Kosovë apo në botën e saj virtuale?