Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë “ Agim Deva” në vitin jubilar të njëzetin (20) me radhë, mbajtën takime letrare me nxënësit e shkollave fillore “Afrim Buçaj“ në Lladrovc dhe “Ganimete Tërbeshi” në Astrazup të Komunës së Malishevës, ku edhe dhuruan libra për bibliotekat shkollore, kësaj veprimtarie iu bashkuan edhe Shtëpia Botuese “ Lena Grafik” , me pronare Hajdar Fejzullahun, si dhe SHKL “ Tafil Kelmendi” me poetin Mehdi Krasniqin. Karvani aktivitetin letrar e ka filluar në Ditën e Mësuesit, më 7 mars, që përkon edhe me Ditën e Shkollës Kombëtare- Shqipe të Korçës. Koordinatori i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë, Xhevat Syla, drejtuar nxënësve, mësimdhënësve, ndër të tjera tha “ Sot e njëzet vjet më parë i priu Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë, poeti më i dashur për fëmijët Agim Deva, ne, sot edhe pas njëzet vjetësh po e vazhdojmë porosinë e Agimit që të dhurojmë libra dhe të lexojmë bashkë me fëmijët për fëmijët poezi për atdheun, shkollën, dëshmorët, prindërit, për lirinë, librin, gjyshen e gjyshin” përfundoi Syla. Në pjesën e dytë poezitë i lexuan nxënësit e shkollave dhe shkrimtarët për fëmijë si: Ramadan Mehmeti, Ibrahim Kadriu, Avdi Shala, Skënder Zogaj, Xhevat Syla, Drita Syla etj. Karvani i Shkrimtarëve për Fëmijë do të vazhdojë aktivitetin letrar edhe në disa SHFMU të Malishevës, javët në vijim.