Kuvendi i Kosovës ka mbajtur sot seancë për masakrën në burgun e Dubravës. Deputeti Nait Hasani, që është edhe i mbijetuar i kësaj masakre, ka thënë se kjo masakër ka qenë e planifikuar nga shteti serb, derisa shton se këtë e dëshmon fakti që të burgosurit i kanë mbledhur nga burgjet e tjera dhe i kanë sjellë në Dubravë. “Aty ishim mbi 960 të burgosur, në këtë ditë nga bombardimet e NATO-s u vranë mbi 20 të burgosur. Pastaj, serbët masakruan mbi 120 shqiptarë. Një masakër që as në skenarët më të tmerrshëm nuk do të mund ta gjeni, ajo nuk mund të ketë krahasim as me Srebrenicën. Ishte një gjenocid”, tha ai. Hasani po ashtu ka deklaruar se aty ka qenë edhe Ukshin Hoti dhe se prej se e patën marrë nga burgu, nuk dihet për fatin e tij. Ai ka prezantuar edhe fotografi të mbledhura pas masakrës. Sipas tij deri më tani asnjë qeveri e Kosovës nuk ka kërkuar zbardhjen e kësaj masakre. “Me të nuk është marrë as Prokuroria e Pejës prej se e kemi bërë kallëzimin penal qe 12 vjet. Ne tani kërkojmë të dimë se përse u hesht ky kallëzim, përse nuk ka aktakuzë? Dikush duhet të japë përgjegjësi”, ka shtuar ai.
Kontrolloni gjithashtu
Isni Kilaj rikthehet në politikë si kandidat për deputet nga NISMA
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka prezantuar Isni Kilajn si kandidatin e ri për deputet …