leoni

Mehmet Bislimi

Mehmet Bislimi: Bujanoci, Medvegja dhe Presheva, janë ndarë padrejtësisht nga Kosova

Duam apo nuk duam ta pranojmë, kjo është e vërteta: Bujanoci, Presheva dhe Medvegja janë ndarë padrejtësisht nga trungu i vet Kosova. Në kuptimin klasik janë pushtuar, siç ishte pushtuar edhe vet Kosova dikur nga ish pushtuesit Serb.

Këto tri Komuna me mbi 300’000 mijë banorë shqiptarë u shkëputën nga Kosova diku në vitin 1953 – ‘54, me qëllim të balancimit të banorëve brenda territorit të Kosovës- në dëm të shqiptarëve. Atë kohë ish pushteti çetnik-komunist, dalë nga lufta e dytë botërore, me një urrejtje patologjike kundër popullit shqiptarë, kishte ushtruar masa gjenocidi deri në përmasat e shfarosjes së shqiptarëve si: pushkatime pa gjyq që kishin kryer në Gjilan, Drenicë, Tetovë, Llap, Gollak e Dukagjin e kështu me radhë. Sipas dokumenteve të shumta, vetëm pas LBD-së, diku mbi 20 mijë shqiptarë janë ekzekutuar pa gjyq, janë dëbuar- shpërngulur për në Turqi mbi 300 mijë shqiptarë dhe kjo shpërngulje ka vazhduar në heshtje deri në fillim të viteve të shtatëdhjeta! E tëra kjo, me prapavijë të thellë politike, më qëllim të dëbimit dhe zvogëlimit të numrit të shqiptarëve në Ballkan, në veçanti në Kosovë! Në këtë kontekst, Kosovës ia shkëputen këto tri komuna, pra u shkëmbyen tri komuna shqiptare me tri fshatra serbe, dhe kjo në mënyrë krejt arbitrare me urdhër e diktat të ish diktaturës së UDB-së, kamufluar nën petkat e LKJ-së dhe farsën e bashkim-vëllazërimit!

Atë kohë, ky këmbim territoresh u bë nën masa të dhunshme, pa i pyetur dhe përfillur shqiptarët dhe vullnetin e tyre politik, duke ia bashkangjitur ato pjesë Republikës së Serbisë. Në këto tri komuna, më pastaj, aparati shtypës i pushtetit të Serbisë, kishte filluar me spiralen e dhunës sistematike mbi popullatën shqiptare të atyre anëve, duke i likuiduar shqiptarët fshehtas, duke ushtruar dhunë fizike mbi ta, dhunë psikike, morale, materiale, diskriminim në shkollim, në punësim, në jetën e tyre sociale, në gjendjen e tyre ekonomike etj. Duke i burgosur e persekutuar ata, duke i shpërngulur dhunshëm ata për në Turqi, Kosovë, Maqedoni, Shqipëri etj. Duke i arrestuar e marrë në biseda informative, me një fjalë duke përdorur të gjitha masat e terrorit psikologjik e fizik, në mënyre që tek banoret shqiptarë të atyre tri komunave të krijojnë pasiguri, për t’i shpërngulë ata nga atje. Si pasojë e tërë kësaj, numri i banorëve shqiptarë në këto tri komuna tanimë ka rënë dukshëm.

Dikush duhet ta ngritë zërin për t’i mbrojtur shqiptarë atje në tokat e veta, në të drejtën e vet për të jetuar ata të lirë e sovranë. Para së gjithash, kjo i takon popullit shumicë, me këtë rast Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës, pa dyshim edhe elitës sonë politike. Kjo është domosdoshmëri, është obligim qytetarë, kombëtarë, Kushtetues dhe historike! Të kërkosh mbrojtjen dhe të drejtat e tyre për vetëvendosje dhe bashkimin e tyre me Kosovën, nuk është tradhti, përkundrazi është akt atdhetarizmi, obligim burrështetasish dhe aspiratë që kërkon të realizohet!…  Përfundimisht, kërkesa për bashkimin e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës me Republikën e Kosovës, nuk është tradhti, as përulësi, as gabim e çmenduri politike, përkundrazi: kjo është një e drejt e patjetërsueshme,  është guxim e vendosmëri, është obligim yni kombëtarë e kushtetues.

Pa varësisht terminologjisë së përdorur si: këmbim, përmirësim, shkëmbim, ridefinim, demarkim, bashkim, bashkëngjitje etj. kjo duhet të thuhet qartë e shkoqur, kjo duhet të thuhet edhe para qarqeve ndërkombëtare, kjo duhet të thuhet e mbrohet çdo ditë, këtë duhet ta thonë prijësit e institucioneve tona një zërit e pa ngurrim- ashtu siç po e thotë Presidenti Thaçi.

Ai që mendon se bashkimi i këtyre tri komunave me Kosovën është gabim, se hapë kutinë e Pandores, se Hashim Thaçi e ka për përfitime politike, mendoj se e ka gabim. Përfundimisht; bashkimi i këtyre tri komunave me Republikën e Kosovës është një e drejt e patjetërsueshme dhe pikë. Për këtë, populli shqiptarë atje, në vitet e nëntëdhjeta, kishte bërë edhe një referendum ku ishte përcaktuar në mënyrë plebishitare që këto tri komuna t’i bashkohen Republikës së Kosovës! Kush nuk e përkrah këtë i mungon guximi qytetarë – mendoj unë, dhe jo e kundërta.

Nga ana tjetër, pavarësisht se kush e thotë këtë: të kuptohet një herë e përgjithmonë se me Serbinë duhet të definohet kufiri, ta njohim njëri- tjetrin si shtete sovrane, të zhvillohet fqinjësi e mirë reciproke, dhe përfundimisht Madvegja, Presheva dhe Bujanoci t’ i bashkohen Republikës së Kosovës, pra të përmirësohet padrejtësia historike që i është bërë këtyre tri komunave. Koj domosdoshmërish duhet të shtrohet në tryezat e bisedimeve dhe mos të frikohemi nga ajo që na takon, ta themi këtë me guxim e mos të presim se e thonë të tjerët.

Me u bashkua shqiptarët dhe tokat e tyre të pushtuara nga pushtuesit tanë shekullor, nuk është tradhti, përkundrazi është guxim, krenari, obligim kombëtar, kushtetues dhe shtetëror.

Bashkimi i Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës me Republikën e Kosovës është një e drejtë e patjetërsueshme!

 

 

21.05.2019

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …