Skender Demaliaj

Skënder Demaliaj: Pajtimi i Kosovës me Serbinë nuk mund të bëhet sipas modelit franko-gjerman

 Dinakëria, dhuna, terrori i egër, të gjitha format e krimit, kanë qenë, veçoritë e shtetit serb, në një periudhë 600-vjeçare për asgjësimin dhe asimilimin e plotë të shqiptarëve. Shqiptarët e Kosovës gjatë gjithë këtyre shekujve, asnjëherë nuk u frikësuan, nuk u trembën, nuk u thyhen, nuk u mposhtën. Siç shkruan një poet kosovar: “Jetuan duke luftuar / Vdiqën duke kënduar”. Kanë kaluar plot 20 vjet nga shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serb, por as strukturat e larta shtetërore të Serbisë, as Akademia e Shkencave të Serbisë nuk kanë kërkuar falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës. As nuk janë ndëshkuar urdhëruesit dhe ekzekutorët. Pikërisht gjeneralët vrasës, oficerët gjakpirës, ushtarët dhunues, paraushtarakët e droguar, plaçkitës e zjarrvënës u rritën në përgjegjësi dhe u dekoruan me motivacionin “Shembuj të Heroizmit e Patriotizmit”. Kur mungon institucioni i faljes duhet bërë kujdes dhe duhet treguar vigjilencë e lartë, sepse pasardhësit e Millosheviçit, të Sheshelit, të Arkanit po t’u jepet mundësia përsëri ushtrojnë gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Atje e kanë mendjen… Barku që e polli nacionalizmin e çmendur e të sëmurë të Millosheviçit ende nuk është shterpëzuar. Është po ajo klasë politike në Serbi sot që ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në dekadën e fundshekullit XX. Udhëheqja e lartë shtetërore serbe vazhdon avazin e vjetër, duke mbrojtur tezën e vjetër se Kosova është zemra e Serbisë dhe kosovarët janë shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut të tyre. Janë shumë domethënëse thirrjet e fuqishme në kor të tifozëve serbë në ndeshjen e basketbollit para 4 viteve, të ekipit të Crvena Zvezda me Gallatasaraj: “Ubij, zakolji, da Siptár ne postoji” që në shqip do të thotë: “Vrit, prej që shqiptari të mos ekzistojë”.

Edhe deklarata e Patriarkut të Serbisë Irinej në Top Chanel në Tiranë e përforcon idenë se serbët nuk kanë hequr dorë nga Kosova dhe nuk janë penduar për krimet atje: “Kosova dhe Serbia për ne serbët janë pjesa më e shenjtë, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Numri i madh i shenjtorëve që ne nderojmë në kishën tonë është nga kjo krahinë.

Me të drejtë është theksuar dhe po këmbëngulet nga studiues, politikanë, historianë se pa njohjen e përmasave reale të gjenocidit në Kosovë dhe pa ndëshkimin e kriminelëve të implikuar në këtë krim, ndërtimi i urave të bashkëpunimit Kosovë-Serbi është vetëm një iluzion.

Nuk mund të ketë bisedime e marrëveshje për paqen midis Kosovës dhe Serbisë, pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, pa e hequr nga Kushtetuta e Serbisë paragrafin e betimit të Presidentit: “Betohem se do të ushtroj të gjithë fuqinë që më jep Kushtetuta për ruajtjen e sovranitetit të tërësisë territoriale të Serbisë, përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë thelbësore përbërëse e saj”.

Kënga serbe “ Vitin tjetër në Prizren”, e cila u përhap në muajin tetor 2018 në të gjitha hapësirat serbe është thirrje për luftë, jo për paqe:

“Kosova është fara prej së cilës unë kam mbirë,

Burimi dhe shtrati prej të cilit populli ka rrjedhur…

Betimi i Kosovës, i cili do të zgjatë për gjithmonë…

Zemra e atdheut tim, esenca e personalitetit tim…

Shpirti ytë i lënduar,

Tokë e shenjtë prej Qiellit e blerë.

Lulëkuqet do të  na ringjallën,

Kremten, vitin tjetër në Prizren”.

 Më 15 nëntor 2018 mediat raportuan se kryeministrja serbe Brnabiq nuk e dinë apo nuk donë ta dinë se çka është gjenocidi. Sipas saj: “Gjenocidi është kur ju jeni… duke vrarë gjithë popullsinë, gratë, fëmijët dhe kjo nuk ka ndodhur”. Si po duket asaj nuk po i mjaftojnë, pse politika serbe nuk ka arritur ti vranë të gjithë boshnjakët në Bosnje e Hercegovinë, të gjithë shqiptarët në Kosovë e kroatet në Kroaci e që pastaj udhëheqësit e Beogradit ta quanin gjenocid. Qëllimisht hiqen sikur nuk e dinë ç ’është gjenocidi për të mos e dënuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Gjithashtu aspirojnë dhe e kanë në planet e tyre krijimin e Serbisë së Madhe. E tha edhe presidenti Vuçiç në takimin me serbët në Mitrovicën e Veriut: “Serbia do të jetë më e madhe”. Edhe këto ditë presidenti Aleksandër Vuçiç deklaron se nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës.

Pajtimi i Kosovës me Serbinë nuk mund të bëhet sipas modelit të Francës me Gjermaninë. Për shumë arsye:

Pajtimi realizohet midis dy shtetve të pavarura, sovrane, që e njohin reciprokisht njëra-tjetrën. Serbia akoma nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur. Franca dhe Gjermania janë pajtuar si dy shtete të pavarura.

Franca dhe Gjermania në periudha të ndryshme historike i kanë marrë njëra-tjetrës territore dhe i kanë kthyer ato. Nuk i kanë njëra-tjetrës asnjë pëllëmbë tokë. Kosova nuk i ka marrë asnjëherë territore Serbisë, përkundrazi Serbia i ka marrë dhe kërkon t’i marrë përsëri. As nuk e vë në diskutim rikthimin e tyre…

Gjermania i ka kërkuar falje Francës për pushtimin hitlerian. Serbia akoma nuk i ka kërkuar falje Kosovës për gjenocidin, veçanërisht në vitet 1998-1999. Nuk ka kthyer akoma trupat e të zhdukurve. Nuk ka dënuar e ndëshkuar drejtuesit dhe persekutorët e shqiptarëve të Kosovës, pjesë e strukturave  më të larta shtetërore të Serbisë.

Gjermania i ka paguar dëmshpërblime Francës, kurse Serbisë as nuk i shkon ndërmend diçka e tilë. Ajo po e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtare, në sistemin energjetik  ndërkombëtar. I ka marrë tapitë e tokave, dokumentacionin për pensionet dhe dokumente të tjera të rëndësishme, që e pengojnë Kosovën të jëtë një shtet normal dhe funksional. Pra duhen plotësuar disa kushte nga Serbia, fajtorja dhe përgjegjësja kryesore dhe e vetme e konfliktit të përgjakshëm në Kosovë, nga i cili shqiptarët e Kosovës patën humbje të mëdha të jetëve njerëzore dhe dëme të pallogaritshme në ekonomi, për t’u normalizuar marrëdhëniet Kosovë – Serbi e për të jetuar në paqe të përhershme tani e tutje. Deklaratat e fundit të krerëve më të lartë të shtetit serb dëshmojnë se Serbia nuk ka predispozicionin më minimal për t’i realizuar këto kushte dhe nuk ka nxjerrë mësime nga e kaluara e saj.

 

(Autori i shkrimit është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë).

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …