leoni

Isuf Dragaçina: 33 vjet nga lirimi prej burgut, 20 vjet pas çlirimit të Kosovës dhe ende pa asnjë punë, kjo ndodh vetëm në Kosovë

Isuf Dragaçina: 33 vjet nga lirimi prej burgut, 20 vjet pas çlirimit të Kosovës dhe ende pa asnjë punë, kjo ndodh vetëm në Kosovë

Në një bisedë në studion e TV-Diellit, i burgosuri politik i viteve 80-të, Isuf Mustafë Dragaçina nga fshati Bujan i komunës së Lypjanit, ka folur për kohën kur ishte arrestuar për herë të parë, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak, në Lubjanë të Sllovenisë dhe ishte dënuar me burg, së bashku me 14 shqiptarë nga Kosova, në mesin e tyre: Abedin Bala nga Korratica e Drenicës, i cili edhe është vrarë në burgun Qendror të Beogradit, pastaj Hasan Kurti, Murat Babalia, Feriz Veliqi e të tjerë. Ata ishin akuzuar se, “përveç indoktrinimit, forcimit dhe masovizimit të radhëve të tyre, kanë planifikuar, kanë shprehur gatishmëri, kanë propaganduar, kurse disa edhe kanë përgatitur aksione më ekstreme në njësi, vrasje të eprorëve ushtarakë, helmimin e ushqimit dhe të ujit, diversione, sabotime, thyerje të depove dhe vjedhjen e armëve, ekscese grupore nacionaliste nëpër njësi, kurse grupet më ekstreme kanë shqyrtuar variantet e rebelimit të armatosur dhe shkuarjen në Kosovë me gatishmëri luftarake për t’iu bashkuar fazës së armatosur të kundër-revolucionit, me të cilën llogaritet”.

Isuf Dragaçina dhe të gjithë të arrestuarit e tjerë kishin mohuar veprat e tilla, të inskenuara nga organet e drejtësisë jugosllave të kohës, por kishin pranuar se kanë biseduar për situatën në Kosovë, por nuk kishin biseduar as i kishin kryer veprimet për të cilat akuzoheshin. Pavarësisht nga kjo dhe në mungesë të fakteve apo ballafaqimit me to, ata i kishin dënuar me burg të rëndë dhe i kishin maltretuar fizikisht e psiqikisht.

“Ata përmes dhunës fizike dhe kërcënimeve kërkonin të pranonim se kishin bërë plane të tilla, por nuk kishin arritur t’ i realizonim ato, sepse gjoja na kishin zbuluar me kohë. Edhe mua ashtu sikur shokët e tjera na kanë torturuar fizikisht me qëllim për të pranuar se kemi pasur qëllime të tilla që na përshkruheshin në akuzë. Qëllimi i vetëm i tyre ishte të na shpallnin fajtorë dhe të na dënonin ashtu sikur edhe kishin arritur.  Pas arrestimit,  në korrik të vitit 1981, grupin prej 15 ushtarëve shqiptarë e kishin mbajtur nën hetime për tetë muaj dhe në pranverë të vitit 1982, ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar prej tri deri në 13 vjet burg.

Në mesin e këtij grupi ishte edhe, militanti,  Abedin Bala nga Korratica e Drenicës, të cilin e kishin torturuar mizorisht derisa edhe e kishin mbytur në tortura. Isufi tregon një moment kur policët po e përcillnin në hetime, ai e kishe parë atë për herë të fundit në korridorin e Burgut Qendror, në Beograd, të lidhur me pranga duar e këmbë për një radiator. (Ishte një moment prekës, të cilin ai e kujton  me emocione të veçantë  dhimbje e pikëllimi).

Pastaj, ka rrëfyer për qëndrimin në burgun e Lubjanës, të Postonjës në Slloveni, në Burgun Qendror të Beogradit, në Burgun e Prishtinës dhe vitet e fundit në Burgun e Gjurakocit, në Kosovë.

Prej kohës kur është liruar nga burgu, në vitin 1986 e deri tani në virin 2019, Isuf Dragaçina ashtu sikur edhe mijëra të burgosur politikë shqiptarë në Kosovës kurrë nuk ka gjetur punë. Pas daljes nga burgu nuk kishte arritur t’ i vazhdojë studimet sepse i duhej të punonte në bujqësi e ndërtimtari  për ta mbajtur familjen me shumë anëtarë.

Për vitet e para luftës, nuk kam pse ankohem sepse të gjithë të burgosurit politikë, jo vetëm që nuk i pranonin askund në punë por edhe merreshin në pyetje maltretoheshin, madje edhe vriteshin nga regjimi okupator serb, por ankohem me të drejtë për periudhën e pas luftës. Ka pasur mundësi që shoqëria e institucionet të shprehin mirëkuptim, për kontributin që i kemi dhënë kombit e atdheut, secili sipas mundësisë”.  33 vjet nga lirimi prej burgut 20 vjet pas çlirimit të Kosovës dhe ende pa asnjë punë, kjo ndodh vetëm në Kosovë, mjerisht ndodh në Kosovës e çliruar nga regjimi serb.

Kjo nuk i bën nder shoqërisë e cila krenohet për suksese dhe mirëqenie sociale të kategorive të rrezikuara, thotë Isuf Dragaçina.

Të shtojmë me këtë rast se Branko Mamulla, asokohe sekretar Federativ i Mbrojtjes të APJ-së, i cili në Komitetin e LKJ-së, më 27 shtator 1987, kishte arsyetuar veprimet e AJ-së dhe politikën e LKJ-së kundër shqiptarëve në përgjithësi e në veçanti në APJ. Ai duke u lavdëruar për punën në ndjekjen e ushtarëve dhe eprorëve shqiptarë kishte deklaruar: “Në periudhën e viteve 1981-1987 në APJ janë zbuluar 216 grupe të organizuara ilegale në të cilat ishin kyçur 1435 pjesëtarë të APJ-së të kombësisë shqiptare”.

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …