(Kushtuar dëshmores, Antigona Fazliu, luftëtare e lavdishme e UÇK-së, bijë e denjë e krahinës Dardane të Shqipërisë)
Në rënça në luftën për liri
ti ore vëllai im
Kokën vendosma nga drita
mbi një gur!
E di ..në kaloftë një shqiponjë diku
aty në fluturim
Nga flatrat e saj e gjaku im,
do të bëjmë një flamur!!!
…
Përqafoma nënën dhe.. kur të vijë
nuk dua të më qajë
Edhe babën që sa shumë desh
të më shihte nuse
Nuk ka gjë, nëse me të bardha
nuk e bëra dot një pajë
Më përcillni me armë e si vello
më hidhni kordelen e kuqe !
…
U thoni shokëve të mi luftëtarë
se i kam si yjet
Ne me plumb sëbashku qëlluam
mbi plumb të armikut
Me ta për liri rendëm me armë
dhe sulmuam qiejt
Për Mëmedhenë zemrat të gjitha i bëmë
barrikada prej çelikut !
PARA NJE PIKTURE
…
U ktheva në vite, por nuk munda
nuk munda dot dhe s’di se si !!
Pa frymë shtangur, gozhduar e pezull
më mbajtinjë e varur pikturë .
Sigurisht që dhe malet atë ditë,
do jenë çpuar keq nga plumbat
Mund të kish dhe shekuj që shkëmbenjtë,
me hekurin s’kishin folur kurrë
…
Janë ngritur mbi barrikada
komunarët e hershëm parizianë
Mbi bajoneta flamurin ngritën
dhe bota u trondit vërtet jo pak
Po nga ta dinte globi se në majë malesh
paskish të tillë borizanë?!..
Prej fytit shpuar nga plumbat u përzien
tingujt muzikës, lyer me gjak?
…
E kush mund ta dinte kët’ gjë, më shumë
se prej atyre luftëtarë ?!!..
Atyre, që dëgjuan për herë të fundit ,
piskamën e saj të çmendur
Notat e trompetès çpuar prej plumbit,
thirrjen japin nga një fyt i çarë
Kohë e lavdishme ! Trompetë në kanavacë
me frymë e gjak të ngjyer !