Musliman dhe Katolik

Anakronizmat dhe testamenti i Shqiptarisë

  1. Anakronizmi laraman-shqiptar

 

Urrejnë islamin si fe agresive, por mbajnë emra myslimanësh.

Urrejnë mjekrat e myslimanëve por jo mjekrat e priftërinjve serbë e ortodoksë.

Urrejnë femrat e mbuluara me shami, por jo shamitë e murgeshave.

Urrejnë xhamitë, shprehin simpati për  kishat ortodokse serbe, ku ndër shekuj janë bekuar masakruesit e fëmijëve shqiptarë.

U pengon çdo xhami e re, po jo muri kinez i Patrikanës së Pejës, kishat ortodokse, me status të veçantë, apo manastiri i Deçanit që ka prona më shumë se krejt xhamitë e Kosovës.

Kishat serbe në Kosovë kanë deri në 800 hektarë tokë si prona të veta, xhamitë kanë disa ari, aq sa është vetë xhamia dhe oborri i saj.

Urrejnë femrat me shami në kokë, por jo ato gjysmëlakuriq.

Urrejnë turqit me shumë se serbët e grekët.

Fyejnë kuranin pa e lexuar fare, simpatizojnë biblën po ashtu pa e lexuar fare.

Urrejnë shkollat fetare islame, jo ato të krishtera.

Nuk falën, nuk kryejnë asnjë obligim fetar, por organizojnë iftare, për përfitime politike.

Kur shkojnë në Turqi, lavdërojnë shtetin dhe Erdoganin, kur shkojnë në Gjermani apo kudo në Evropë, lavdërojnë Evropën, shajnë Turqinë.

Nuk besojnë në asnjë zot, por kanë frikë të deklarohen ateistë.

Urrejnë shtetet islame, por ankohen pse ato nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.

E duan pa masë Izraelin edhe pse ai Shtet kurrë nuk do ta pranojë Kosovën.

E duan Vatikanin më shumë se Mekken, edhe pse Vatikani Kosovën e konsideron zemër të Serbisë.

E duan Evropën edhe pse ajo i mbanë në geto, të vetmin shtet të izoluar në kontinent.

Urrejnë ezanin, por jo kambanat e kishave.

U pëlqen laramania fetare, jo obligimet e asnjë feje.

Urrejnë faljen në xhami por nuk shkojnë të falen në Katedrale apo në kishat serbe.

E urrejnë Skënderbeun, por jo Gjergj Kastriotin.

E quajnë Kosovën tokë të pëlleshme të ISIS-it, edhe pse nuk u zbraz asnjë plumb i Xhihadit.

E urrejnë ISIS-in dhe Xhihadin por nuk luftojnë fizikisht kundër tyre.

Për 300 luftëtarë nga Kosova në Siri, e shpallin vendin tokë të Xhihadit.

E urrejnë fenë e islamin por e mbajnë dhe urojnë Ramazanin e Bajramin.

 

  1. Anakronizmi turko-otoman

 

Fe e shqiptarit nuk është shqiptaria, por islami dhe Turqia.

Ishim më mirë në kohën e Sulltanit, se tani në kohën e Erdoganit.

Skënderbeu nuk është heroi im, sepse ai ka vrarë turq.

Më shumë turq ka vrarë Kemankesh Mustafa Pasha dhe Kara Mustafa Pasha, sesa ka vrarë shqiptarë Turqia për pesë shekuj.

Letërsia shqipe me shkronja arabe është bastarde, apo me shkronja greke e latine është shqiptare.

Shkrimtari më i madh i realizmit shqiptar në shekullin 18-të, Hasan Kamberi quhet bejtexhi, ndërsa prifti katolik i kohës së tij, shkrimtar shqiptar, pa asnjë shkronjë apo fjalë shqipe.

Të gjithë shqiptarët, arnautët e shkolluar kanë qenë analfabetë, sepse kanë shkruar arabisht e turqisht, derisa nuk kishte alfabet unik shqip.

Hoxhallarët kanë qenë analfabetë, priftërinjtë e popat njerëz  të arsimuar.

Mësimi në mejtepe, prodhonte analfabetë, mësimi në kishë nxirrte  njerëz të arsimuar.

Gjuhët, arabe perse  e turke kanë prodhuar analfabetë, por jo  gjuhët sllave, greke e latine.

Poeti më i madh i Lindjes në kohën e tij që krenohej me origjinën shqiptare, Jahja beg Dukagjini, nuk mësohet në shkollat shqipe sepse ka shkruar turqisht.

Nuk duam ta dimë kush ka qenë poeti i madh i mesjetës, Mësihi i Prishtinës, por mësojmë pesë fjalë shqip si dokument të vjetër të kalorësit gjerman, Arnold Von Hahn.

 

  1. Anakronizmi i krishterë

 

Hiqjani Gjergj Kastriotit Skënderbeun, sepse e fyeni atë.

Gjergj Kastrioti ishte serb, jo shqiptar.

Gjergj Kastrioti ishte atlet i Krishtit, luftoi për Krishtin  e Papën dhe jo për Shqipërinë.

Shqiptarët myslimanë janë turq, aziatë, janë mohues dhe tradhtarë të fesë së vërtetë.

Më mirë qen se turk.

Shqiptarë të vërtetë janë vetëm krishterët.

Shqiptarët islamë janë fundërrinë turke arabe, duhet të zhduken nga Evropa.

Më mirë arvanitas e grek, sesa shqiptar e mysliman.

Më mirë ortodoks e maqedon,  sesa shqiptarë e mysliman.

Më mirë serb e i krishterë sesa shqiptar e mysliman.

Islami është fe e dhunës, duhet ndaluar atë, duhet djegur Kur’anin.

 

Testamenti i shqiptarisë

 

Këto dhe anakronizma të tjera që janë shumë aktuale në Kosovë sidomos në luftën e shpallur e të pashpallur kundër islamit, janë anakronizëm i llojit më të shëmtuar, i llojit të shpifur dhe të financuar nga Serbia e Greqia. Kjo gjendje e intolerancës fetare, të cilës po i fryjnë disa gazetarë mafiozë e kriminelë, disa sharlatanë e debilë ka për qëllim nxitjen e urrejtjes fetare dhe dëmtimin e tolerancës, si bazament të kulturës e qytetërimit autentik shqiptar.

Pavarësisht nga kjo, trashëgimia kulturore fetare gjithëshqiptare, po qëndron si digë e fortë e tolerancës fetare, atdhedashurisë, respektit të ndërsjellë fetar dhe harmonisë shekullore të qytetërimit tonë autentik.

Kjo fushatë e paguar shtrenjtë nga Beogradi e Athina, nuk po arrin ta dëmtojë tolerancën shekullore, nuk po arrin ta degradojë moralin kombëtar e fetar të shqiptarëve, andaj është bërë shumë agresive, abuzive, e ligë dhe e poshtër, e  përdalë dhe qyqare, putane e bizantine.

Bazamenti që i vuri moralit kombëtar e fetar të Rilindjes, Vaso Pasha, me testamentin e shqiptarisë: “Mos shikoni kisha e xhamia se feja e shqiptarit është shqiptaria”, është bazament i qenies dhe ADN-së ideologjike shqiptare, islame dhe krishtere, sepse ai nuk ka thënë mos shkoni në kisha e xhamia, nuk ka thënë mos ndërtoni kisha e xhamia, ( sikur propagandojnë ateistët vulgarë, jo ata shkencorë) por  e ka thënë të qartë  si dritën e diellit, mos lejoni  t’ iu përçajë kisha e xhamia, duke rrahur gjoks se unë jam turk, unë jam grek, shka apo vllah. Kjo porosi filozofike, etike, kombëtare e fetare është bazamenti i shqiptarisë, andaj lufta ndërfetare në mesin e shqiptarëve është mision i pamundshëm, që nuk jep rezultatin, të cilin e kërkon Vatikani, Stambolli, Athina e Beogradi.

Pavarësisht se dikush çmeritet e çartet kur sheh duke u ndërtuar ndonjë xhami apo kishë, pavarësisht se dikush paguhet shumë shtrenjtë, për të hequr gurë nga kështjella shqiptare e mirëbesimit vëllazëror, kombëtar, fetar e gjuhësor, pavarësisht se dikush urren lindjen apo perëndimin, Shqiptaria është vetë Lindja e Perëndimi, “Flamur që lind Shën Konstandinin, pajton Islamin e Krishterimin”, Flamur i kuq, e shkabë zi, Flamur për një Shqipëri…

 

Ahmet Qeriqi

26 maj 2019

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …