Në Malishevë, ka qëndruar Ministri i Ministrisë për Tregti dhe Industri, Endrit Shala, i cili është pritur nga Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Kjo vizitë, me karakter pune, është realizuar me qëllim të inaugurimit të punimeve në ndërtimin e Inkubatorit të Bizneseve në Malishevë, projekt që është duke e realizuar Ministria për Tregti dhe Industri. Në këtë vizitë, bashkë me ministrin Shala, ishte edhe zëvendësministrja e MTI-së, Arbëreshë Krasniqi, zëvendësministri i Ministrisë së Bujqësisë, Vesel Krasniqi, kurse në takim, bashkë me kabinetin qeveritar të Malishevës, ishin edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti dhe Haxhi Shala, të cilët kanë biseduar për dy projektet me rëndësi në Komunën e Malishevës, atë të Parkut Ekonomik për Bizneset nga Diaspora dhe Inkubatorit të Bizneseve. Në takimin e mbajtur në zyrën e kryetarit të komunës, si dhe më pas, me rastin e përurimit të punimeve në Inkubatorin e Bizneseve, ministri i MTI-s-, Endrit Shala, ka thënë se Parku Ekonomik dhe Inkubatori, janë mundësi të mira për Malishevën, pasi pritet të ketë investime dhe hapje të bizneseve të reja, e krahas kësaj edhe rritje të punësimeve. “Ne si ministri kemi nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Diasporës dhe Unionin e Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, për “Parkun Ekonomik për Bizneset nga Diaspora në Malishevë”, dhe jemi duke ndërtuar edhe Inkubatorin e Bizneseve, dhe këtu tani ju si komunë e keni këtë përparësi, pasi parku ekonomik, është në qendër të Kosovës dhe kyçet në autostradë, e po ashtu edhe në inkubator, krahas hapjes së bizneseve të reja, do të punësohen edhe një numër i konsiderueshëm i punëtorëve”, ka thënë ministri Shala. Ai ka thënë gjithashtu, se shumë shpejt do të fillohet edhe ndërtimi i infrastrukturës në Parkun Ekonomik. Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka thënë “se ndërtimi i parkut ekonomik është një e mirë për Malishevën, pasi ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, e gjithashtu edhe inkubatori i bizneseve, e ka rolin e saj, dhe të dy këto janë investime të Ministrisë për Tregti dhe Industri, andaj në emër të Komunës së Malishevës, ju falënderoj për këto investime me vlerë të madhe për Malishevën”.