leoni

Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi: Shtetin e uzurpuar t’ ia kthejmë ligjit

Nuk kam si mos të pajtohem plotësisht me mikun tim, ambasadorin, O’Connell, i cili  paska shkruar: “Protesta është e drejtë fondamentale demokratike dhe unë jam i gëzuar se protesta e sotme u përmbyll paqësisht. Shpresoj se kjo gjë përfaqëson një vendim të opozitës për ta braktisur dhunën. Shpresoj se Qeveria do t’i përgjigjet brengave të qytetarëve për korrupsionin dhe sundimin e ligjit. I bëj thirrje që të dyja palëve që të gjejnë zgjidhje rreth dallimeve të tyre politike. Secili hap pozitiv i marrë nga politikanët e Kosovës mund të ndihmojë në ndërtimin e një kulture demokratike në këtë shtet të porsalindur”. Kështu dhe akoma më me përgjegjësi do të duhej te flisnin dueti, Mustafa – Thaçi. Se përgjegjësia e tyre është për te qeverisur vendin me urti e jo me kërcënim e frikë. Vërtetë, qeveritarët duhet t’ju përgjigjen brengave te qytetarëve! Po, sa i dinë qeveritaret tanë brengat e tyre? Madje, ata e kanë humbur sensin e komunikimit si njerëz me njerëzit.

Por, kushdo që ka dëgjuar Kryeministrat në Konferencën për medie pas protestës, nuk e ka pasur vështirë që t’i vërej sesa ata ishin të çekuilibruar nga masa e qytetarëve në sheshet e Prishtinës. Mua me erdhi keq për ta, për gjuhën që folën për protestuesit e shumtë që ishin në sheshet e rrugët e Prishtinës, për “heroizmin” që treguan qeveritaret në emër të forcës së shtetit të mbajtur nga paraja publike edhe nga parat e protestuesve. Thua se protestuesit ishin aty për të luftuar?! Në fakt Ata ishin aty për t’ju thënë ikni se nuk e  keni as idenë se çka është të qeverisurit! Nuk është ndonjë mëkat mos të dish, por është marre mos ta pranosh se nuk dinë.

Pretenduesi për President tha: “Opozita iku me bisht nën shalë”! Me shqetëson gjendja e tij shpirtërore dhe me shqetëson shumë, e them seriozisht pasi e kam bashkëkombës dhe e kisha bashkëluftëtar. Për shqiptarët me bisht, vite më parë kanë folur akademiket serbë?! Prej kah kjo ecje në atë rrugë? Populli ynë nuk e meriton të ketë drejtues kaq idhnak e finok njëkohësisht. Populli ynë ka një urti të dëshmuar, ai edhe të zotin e shtëpisë e ka bërë më të urtin, më të drejtin, atë që dinë me drejtuar dhe ruajtur familjen nga rreziqet. Kryeministrave u kishte mbetur merak që “ nuk i kishin pritë protestuesit (aty kishte vetëm bashkëluftëtarë e bashkëkombës të tij), jo me kafe, por me ua dhënë përgjigjën e merituar”. A thua përgjigjja ishte me plumba, kështu disi e la që të nënkuptohej. Kjo nuk ishte vetëm trishtues, por ishte më shumë se trishtuese. Trishtuese ishte nga vendi që thuheshin gjerat e tilla nga Kryeministrat e Kosovës. Madje ata ditë më parë ata kishin paralajmëruar edhe vrasje të policëve?! Çka është kjo çmenduri, e njerëzve më përgjegjës të lartë të shtetit? Ne një shtet normal, me drejtues normal, që kanë certifikata mjeku për gjendje normale fizike e psikike, këta njerëz do të duhej të jepnin dorëheqje të pa revokueshme. Pasi psikikisht janë të pa aftë ta drejtojnë shtetin.

Këta njerëz që mendojnë se janë historia, së me ta fillon historia se na e paskan bërë atë, populli ynë duhet t’i çon ke shtëpia. Ketë duhet ta kenë në mend si ata që duhet të shkojnë e ndoshta më shumë ata që duhet të vijnë, se populli nuk han “sapun për samun”. Edhe populli është si kërbaçi, i ka dy anë, të bie dhe të heq nga pushteti.

Nga fjalori që dëgjuam në Konferencën e Kryeministrave, ndoshta Hashimi e Isa, kanë pas dëshirë që të ketë dhunë nga protestuesit, për t’ju përgjigjur me armen e shtetit! Kjo do të thotë se ata ishin përgatitur për t’i larë me gjak rrugët e Kryeqytetit. Kjo duhet të jetë dëshpëruese për deputetet e koalicionit, të cilët duhet t’ua tregojnë vendin shefave të tyre. Ata duhet të dëshmojnë se nuk janë vetëm numra në Kuvendin e Kosovës. U pa qartë, shefat e tyre ishin tejet të shqetësuar, pse protestuesit nuk ua dhanë rastin për të përdorë bijtë e popullit kundër popullit që ishte dalë në mbrojtje të sovranitetit të shtetit. E frikshme kjo apo jo? E sejmenët, le tua numërojnë “meritat” shefave të tyre finok e të egër?!

Unë kam besim se jo vetëm ambasadori O’Connell, por edhe të tjerët do ta ndjekin rrugën e tij, për t’ju thëne qeveritarëve të shqetësuar (për fatet e tyre e jo për fatin e popullit e të shtetit), se duhet seriozisht t’i marrin shqetësimet e qytetarëve.  Ndërkombëtaret, kërkesat e tyre për dalje nga kriza e thellë politike e institucionale duhet t’ia drejtojnë koalicionit qeverisës. Kryeministrat janë bërë merak për fatet e tyre e jo për të nxjerr mësimin e duhur nga Protesta e qytetarëve.

Konferenca tregoi, se Kryeministri nuk është Kryeministër dhe se nuk mund ta çoj atë pozitë. Ndërsa kandidati për President tregoi, se gjuha e tij është tepër helmuese për t’i besuar, pozitën e të parit të shtetit. Ajo është gjuhë e një despoti aziatik e assesi e një pretenduesi për tu bërë i pari i vendit i cili duhet të jetë unifikues i kombit. Me raportet politike që ai ka krijuar jo vetëm me opozitën, kriza politike do të thellohet nëse ai zgjidhet Kryetar (President)! Ketë duhet ta kenë parasysh deputetet e Kuvendit të Kosovës.

Është në duart e qytetarëve të Kosovës, që të gjithë atyre që e përdorin gjuhën e nepërkës, të kërcënimit a të mohimit të të arriturave të qytetarëve tanë, nëpër vitet e lavdishme e tragjike, duhet t’i qes jashtë rendit të ditës. Gjuhën kërcënuese, kushdo që e përdor, është gjuhë e rrugës dhe atë gjuhë duhet izoluar kudo, kurdo dhe në cilëndo anë që shfaqet.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …