Dokumenti nr.88, letër e dërguar nga Apatini (qytet në Serbi) për Millosheviçin, në vitin 1988 vërteton planet e kahershme të udhëheqësve të lartë serb për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova. Ky dokument është i mbushur me propozime për një luftë kundër shqiptarëve, me propozime për t’i vrarë dhe për ti dëbuar për në Shqipëri. Janë propozuar metoda të tmerrshme për “pastrimin etnik” të Kosovës nga elementi shqiptar. Letra është lexuar nga Millosheviçi dhe në anën e prapme të saj është shkruar mbështetja për këtë plan ogurzi.
Qëllimi final i Millosheviçit ishte zhdukja e popullsisë shqiptare nga trojet e veta mijëvjeçare me synimin: “Serbët e Bosnjës e të Kroacisë, që ishin larguar nga luftrat serbo-boshnjake-kroate të zinin trojet, shtëpitë, qytetet dhe fshatrat e shqiptarëve të larguara me dhunë”. Pastrimi etnik nuk është veprim i improvizuar. Sadako Ogata, Komisionere e Lartë e OKB-së për Refugjatët, më 8 prill 1999 në Kukës deklaronte: “Dëbimi i shqiptarëve nga shtëpitë e tyre nuk bëhet spontanisht nga ndonjë grup njerëzish ushtarë, paramilitarë, a ku ta di se çfarë, por dëbimi po kryhet me urdhërin e Beogradit dhe ne kemi mjaft prova për këtë”. Pra nuk është kryer vetëm nga paraushtarakët, por nga ushtria serbe e organizuar me urdhëra nga eprorët më të lartë.
Gabriel Garsia Markes në veprën “Vjeshta e patriarkut” shkruan: “6 koka të prera do të lindin 60 armiq të rinj e po qe se do të priteshin edhe 60 koka, do të lindnin edhe 600 armiq të tjerë, kurse nga kokat e tyre të prera do të dalin 6000, pastaj 6 milion, kështu që armiqtë kurrë nuk do të shfarroseshin”. U shtuan në progresion gjeometrik torturat, djegiet e shtëpive, përdhunimet e vajzave dhe grave shqiptare në Kosovë, vrasjet, por u shumfishua urejtja ndaj pushtuesit serb dhe qëndresa heroike e shqiptarëve.
Në Prishtinë, u grumbulluan fillimisht nën kërcënimin me armë shqiptarët, të cilët u morën me forcë në rrugë dhe në shtëpitë e tyre. Disa prej tyre, të plaçkitur dhe të dhunuar në këtë proces, u dërguan në drejtim të jugut për t’i hedhur në kufi me Maqedoninë. Mike Jakson vlerësonte se kishte më shumë se 40 mijë refugjatë në pjesën veriore të rrugës kryesore, që vinte nga Prishtina. Në fillim të prillit (3 prill 1999) shifrat tona tashmë flisnin për 540 mijë persona të zhvendosur brenda Kosovës apo refugjatë, përfshirë këtu edhe mbi 100 mijë në Shqipëri dhe gati 50 mijë në Maqedoni.
Forcat paramilitare dhe ushtarake serbe u drejtoheshin shqiptarëve, duke i urdhëruar: “Ikni prej këtu sa s’iu kemi hedhur trurin në erë! Shqipëria është vendi juaj, jo Kosova! Ju kërkuat NATO-n, shkoni t’iu mbrojë NATO! Lëshojeni Kosovën!” Urdhërat ishin “Shkrepsa!” (digjej i tërë fshati), “Gomë!” (fshati të shtypet e të mos mbetet asgjë prej tij, sikur të ishte fshirë me gomë nga toka), “Në rrezitje!” (do të thotë të vriteshin të gjithë banorët). 70% e personelit koordinues e ushtrisë serbe ishte marrë nga njësitë që kishin kryer krime në Kroaci e Bosnje-Hercegovinë dhe nuk kishin alternativë tjetër veç angazhimit në luftë për të siguruar ekzistencën e familjeve të tyre. Grupi i oficerëve më të rrezikshëm ishte me prejardhje nga jetimoret, njerëz të shthurur dhe kriminelë.
Edhe në kohën e dëbimit të shqiptarëve nga Toplica u përdorën kuadrot e papunë e të çmobilizuar, “gjysmë-ushtarët”, komandantë bandash të uritura, të pajisura me një armatim modern.
Së pari, është ushtria që arrin zbraz fshatrat dhe qytetet, kryesisht fshatrat. Pastaj paraushtarakët që masakrojnë. Më pas në të shumtën e rasteve ciganët të kthyer në varrmihës. Automjetet e blinduara rëndë rrethonin shtëpitë dhe fshatrat. U jepej një paralajmërim për t’u larguar, duke hedhur granata në një shtëpi dhe duke vrarë njerëzit që qëllonin të ishin aty. Pasi skadonte koha e paralajmërimit serbët sulmonin fshatin. Lëvizja e forcave serbe krijonte panik tek banorët, të cilët iknin me vrap në fusha apo në pyjet aty pranë.
Mark Danner, gazetar amerikan shkruan: “…në derë qëndronin trupa të armatosura rëndë të Ministrisë së Brendshme, me armë automatike, thika të gjata, bereta të kuqe, ndërsa maska të leshta u mbulonin fytyrat…njerëzit ishin ngjeshur si kafshët nëpër makina pasagjerësh dhe kamionë të gjësë së gjallë. Paratë dhe dokumentat ua kishin vjedhur…Trupat serbe talleshin lidhur me faktin se refutgjatëve po u ofroheshin udhëtime falas për në Maqedoni në këmbim të shtëpive dhe plaçkave të tyre”.
Serbi e ka prerë fëmijën e nënës dhe e ka hedhur në tenxheren që po ziente. Ushtarët serbë kanë dhënë urdhëra për të shkelur mbi kufomat e njerëzve. U kërkonin shqiptarëve marka për të shpëtuar dhe për të patur të drejtë me marrë me vete një zetor për t’i vendosur rrobat në të.
Teza e Çubrilloviçit: “T’u vihet zjarri në fshehtësi fshatrave dhe rrethinave të qyteteve shqiptare, kjo është praktika e përdorur me sukses pas vitit 1878” – i tejkaloi parashikimet e mundshme. Ushtria serbe dogji fshatrat e qytetet në sytë e të gjithëve, pa iu dridhur dora dhe pa iu trembur syri. Me mllef e me urrejtjen më të madhe se nazistët gjermanë, kur dogjën Borovën, në krahinën e Kolonjës e Bytyçin në Malësinë e Gjakovës.
Së dyti, në Kosovë e përreth saj pushtuesi serb kishte përqendruar forca të mëdha ushtarake dhe të armatosura deri në dhëmbë me armët më moderne. Sipas dokumentave të CIA-s, të emërtuara “Forcat e armatosura shqiptare të papërgatitura për konflikt me Serbinë”, i hartuar më 1993: “Në rast kryengritje nga shqiptarët Beogradi do të mund të reagonte brenda disa orësh. Krahas 25 mijë pjesëtarëve të MUP-it, ushtria jugosllave ka së paku edhe 10 mijë ushtarë të pajisur me rreth 200 tanke, 160 automjete luftarake dhe 160 topa. Ka edhe 26 mijë ushtarë vetëm 50 km larg Kosovës dhe rreth 75 mijë serbë të moshës 15-59 vjeç në Kosovë dhe qindra njësite të organizuara paraushtarake”.
Në qershor 1998, fuqia policore serbe e dislokuar në Kosovë ishte 30-40 mijë personel i armatosur rëndë (me pajisje ushtarake që ia kalonte një ushtrie pushtuese). Dendësia “normale” e policisë për një shtet demokratik është afërsisht 1: 300-400 banorë, pra një forcë prej 5500 policësh do të ishte e duhura dhe e mjaftueshme në Kosovën e paraluftës.
Ky numër shumë i madh policësh nuk ishte instaluar në Kosovë pa një objektiv të qartë, afatmesëm dhe afatgjatë. Afatmesëm për të ndihmuar ushtrinë në “spastrimin etnik” nga shqiptarët. Afatgjatë për të përfunduar kolonizimin e Kosovës me serbë.
Së treti, siç del edhe nga dokumentet sekrete serbe, për shpërnguljen masive të shqiptarëve nga Kosova, kërkoheshin përveç forcave policore dhe të ushtrisë së kazermës, forca të tjera. Është kjo arsyeja e mobilizimit të rezervistëve serbë që në muajin shkurt 1999 dhe e armatosjes së tyre. Në këto dokumenta gjejmë thirrje për mobilizim “Fshehtësi ushtarake”.
Dokumenti nr. 71, datë 19.02.1999, nënshkruar nga kolonel Tomosllav Mitiç bën thirrje për mobilizim (Jashari, 2013:38). Dokumenti nr. 29, datë 28.02.1999, nënshkruar nga Tomisllav Mitiç bën thirrje për mobilizimin e 410 ushtarëve dhe 8 oficerëve nga përbërja rezervë në Prizren. Dokumenti nr. 11, nga Komanda e Armatës së Tretë, datë 18.04.1999 për shpërndarjen e armëve popullsisë civile thotë së shumë vullnetarë e quajnë veten “Djemtë e atdheut”. Në dokumentin nr. 33, datë 24.02.1999, nënshkruar nga koloneli Zhatko Shemiç gjendet regjistri i ushtarëve dhe i familjeve serbe që kanë kundërshtuar thirrjet për mobilizim të bijve të tyre. Nisur nga ky kundërshtim kemi një kërkesë të Komandës së Lartë për mobilizim të dhunshëm, e cila gjendet në dokumentin nr. 34, datë 26.02.1999.
Së katërti, shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova u realizua nga bashkëpunimi i plotë ushtri-polici-sigurimi i shtetit dhe të gjitha organet e tjera të shtetit serb. Njësitë paramilitare ishin pjesë e projektimit shtetëror serb dhe këto njësi vepronin direkt nën kontrollin dhe dirigjimin e tij.
E vetmja mënyrë dhe i vetmi mjet për shpërnguljen masive është forca brutale e një pushteti të organizuar shtetëror. Si kusht i parë është krijimi i një psikoze të përshtatshme, e cila mund të krijohet në shumë mënyra: me goditje, me përdhunime, me vrasje, me dëbime masive, me gjymtime fizike, me presione psikologjike, me djegie shtëpish e pasurish. Pra t’u helmohej sa më shumë jeta shqiptarëve në ish-Jugosllavi, t’u shtohej ndjenja e fortë e pasigurisë, t’u bëhej i pamundur qëndrimi në Kosovë.
Spastrimet etnike u realizuan nga ushtria e policia serbe, pa mëshirë, me zjarr e hekur. Paramilitarët serbë dhe kriminelët e liruar nga burgjet për këtë qëllim ishin bërthama e ushtrisë serbe, që realizonte spastrimet etnike. 10% të vlerës së përgjithshme të vjedhjeve dhe të grabitjeve në shtëpitë kosovare e mbanin ata për vete. Një eksponent serb, pesëmarrës aktiv në operacionet e spastrimeve etnike pohon: “Unë nuk e çaja kokën për shqiptarët… Unë isha indiferent për ata që vdisnin… Ka raste kur në thikën tënde bie edhe ndonjë foshnjë. Kjo është Lufta”. Shteti kriminal serb gjithçka e bëri me vetëtdije. Vetëm e vetëm që Kosova të shfarosej nga shqiptarët dhe vëndin e tyre ta zinin serbët.
Pra, përgjegjësia për dhunimet, vrasjet dhe shpërnguljet masive të shqiptarëve nuk është individuale, siç deklarojnë sot drejtuesit më të lartë të shtetit serb, por e shtetit serb të asaj kohe.
Bekimin e kësaj lufte e kishte bërë dhe vazhdonte ta bënte Kisha Ortodokse e Serbisë. Këtë e vërteton edhe thirrja nga Kisha drejtuar popullit serb për të mos njohur asnjë marrëveshje ndërkombëtare me qëllim të dominimit policor e ushtarak të popullit serb mbi popullin e pambrojtur të Kosovës. Dokumenti nr. 57, datë 25.10.1998, nënshkruar nga Episkopia Rashkë- Prizren dhe Lëvizja e Rezistencës Serbe për Kosovë.
Prishtina, sipas Hashim Thaçit (i cili qëndronte në ilegalitet) ngjante me një qytet të vdekur. Stacioni i vjetër hekurudhor ishte tejmbushur me mijëra njerëz të shpërngulur nga vatrat e tyre, një skenë kjo e ngjashme me ato të filmave që tregonin Europën e pushtuar në Luftën e Dytë Botërore.
Polici Petar Gjorgjeviç tregon: “Tek fshati Obrije e Epërme, në afrësi të Prizrenit ishte një numër i madh i civilëve, disa mijë. Ishin në largim e sipër kur u paraqitën dy civilë të rinj të moshës rreth të 20-ave. Nenad Stojkoviç ia dorëzoi Dejan Mihailloviç Çebës civilët, i cili i zhveshi lakuriq. Mori një thupër të hollë dhe me të i godiste sa mundte. Ishin krejtësisht të përgjakur. Komandanti Nenad Stojkoviç e përgëzoi Çebën dhe i tha : “Kjo është mirë, bravo!” I nxitur nga lavdërimi i komandantit i rrihte edhe më me zell. Në fund të dy i vrau me pushkë. Çebe vriste edhe nëpër stalla… Para të gjithëve i vriste me plumba të pistoletës së kalibrit të vogël në lule të ballit… Çebe ishte i njohur edhe për atë se për çdo shqiptar të vrarë ka bërë një gravurë në kondakun e drurit të pushkës. Ai lavdërohej se ka 80 gravura të tilla që do të thotë se aq njerëz ka vrarë… Në fshatin e minierës Staritërg e lidhën një plakë 70 vjeçare për një dru. Njërën dorë ia lidhi me kamion. Pastaj e shqyeu me kamion. Kufoma mbeti aty, kurse më pas kamionët policorë dhe ushtarakë kalonin mbi kufomën. Pas largimit të policisë serbe nga Kosova, Çebe u caktua komandant policor në rrethinë edhe pse kishte vetëm shkollën e mesme. Nenad Stojkoviçi nga komandant i çetës u bë kryeshef i Drejtorisë së Policisë, përkatësisht i 12-ti apo i 13-ti njeri në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë”.
Në Kosovë pushteti serb përdori narkomanë dhe alkoolistë për të prerë e vrarë shqiptarët.
Ja deklarimi i një robi të kapur nga UÇK-ja në fushën e luftimeve, Tahiroviçi nga Nishi: “Unë jam i garnizonit të Pejës. Mbaj mend komandantin, nënkolonelin Shubkonoviç, njeri i egër, që drejtoi operacionin në Pejë për dëbimin e shqiptarëve dhe për djegien e qytetit. Zbatuesi më i afërt i planit të tij ishte kapiteni Miliçkov. Në Pejë, forcat paraushtarake i nxirrnin banorët nga shtëpitë, i grumbullonin, i nisnin për diku, pastaj urdhërohej artileria të gjuante mbi ta. Kam parë mure të tëra me kufoma, gra dhe vajza të përzgjedhura për seks, fëmijë që u merret me dhunë gjaku për të plagosurit e frontit etj”.
Nga studiues serb edhe të huaj (të blerë e të paguar prej serbëve me flori) janë bërë përpjekje dhe vazhdohet të bëhet për të vënë shenjën e barazimit midis shqiptarëve dhe serbëve në krimet ndaj njëri-tjetrit. Çka nuk është e vërtetë, për vetë statusin që kishin në raport me shtetin serb të dy palët, por edhe për cilësitë e ndryshme dhe objektivat e strategjitë e palëve. Sa i pavërtetë, dashakeqës dhe cinik është arsyetimi se “Serbët i presin në fyt një numër të madh shqiptarësh. UÇK-ja në shenjë hakmarrje i pret në fyt disa serbë. E më pas serbët në një gjendje të hidhërimit, nën ethe bërtasin: “Shihni, shihni! Ata shqiptarët zuzarë po na presin në fyt…”.
Gjakatarët serbë dogjën barin, bereqetet, kullat. Vranë fëmijë e pleq, përdhunuan gra e vajza të reja, shkretuan fshatra e krahina të tëra… nuk u ngopën me gjakun e njerëzve… ua thyen krahët zogjve. Ua ndalën fluturimin. Ua prishën foletë. Ua ndalën këngën. Jo përjetësisht… përkohësisht… Në tokën e çliruar të Kosovës, të vaditur me gjak do të shpërthejë gjelbërimi e do të çelin lulet nga të gjitha anët. Zogjtë do të këndojnë më ëmbël e më me forcë. Kullat do të rindërtohen. Njerëzit do t’ia thonë fuqishëm këngës, do të martohen e do të gëzojnë. Do të lindin fëmijët e lirisë dhe të shpresës.
( Autori është Shef i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë)