Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka përkujtuar marrëveshjen e Kumanovës. Kurti ka thënë se me atë marrëveshje kanë përfunduar bombardimet e NATO-s. Sipas tij, edhe pse Kosova është çliruar ka ngelur një shtet i dobët, pa drejtësi minimale dhe me papunësi maksimale. “Kur Serbia i ka okupuar trojet shqiptare para më shumë se një shekulli në Luftën e Parë Ballkanike, festën e ka rezervuar atëherë kur e ka pushtuar Kumanovën. Sot janë mbushur 20 vjet nga Marrëveshja Tekniko-Ushtarake midis Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë (KFOR) dhe qeverive të Federatës Jugosllave dhe Serbisë e nënshkruar në Kumanovë. Me atë marrëveshje përfunduan bombardimet e NATO-s, sepse, në njërën anë, u vendos që të gjitha forcat serbo-jugosllave (ushtarake, policore e të tjera) do të tërhiqen nga Kosova deri më 20 qershor 1999, ndërkaq, nga ana tjetër, u vendos Zona e Sigurisë Ajrore prej 25 km dhe Zona e Sigurisë Tokësore prej 5 km rrotull kufirit të Kosovës me Serbinë ku ndalohet hyrja e forcave të kësaj të fundit. Një dekadë pas suprimimit të autonomisë, Kosova u çlirua. E, dyfish më shumë se kaq që prej çlirimit, Kosova ngelet shtet i dobët, pa drejtësi minimale e me papunësi maksimale. Edhe dy vjet nuk janë pak, kurse 20 vjet janë tejet shumë për një popull të mbetur nën sundimin e një dyzine mujsharësh e tajkunësh”, ka shkruar ai.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …