Ahmet Qeriqi: Si mbijetoi popullata e zhvendosur në zonat e luftës së UÇK-së 20-vjet më parë, deri në Ditën e Çlirimit I

Ahmet Qeriqi: Si mbijetoi popullata e zhvendosur në zonat e luftës së UÇK-së 20-vjet më parë, deri në Ditën e Çlirimit I

(Ahmet Qeriqi: Mbijetesa fizike e shqiptarëve në Kosovë, gjatë luftës së UÇK-së në vitet  1998-1999)

 Kjo kumtesë është paraqitur në Konferencën shkencore, të cilin e kishte organizuar dhe mbajtur Instituti i Kulturës Popullore i Tiranës dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës. Tryeza është mbajtur në Prishtinë, prej  14 deri më 16 dhjetor të vitit 2000.

Teksti i plotë

Të nderuar organizatorë dhe ju të pranishëm!

Që në fillim iu njoftoj se kumtesa ime me këtë rast nuk përputhet me titullin Që i keni dhënë kësaj Konference shkencore: Kosovë ’99-2000, Mbijetesë kulturore.

Në radhë të parë nuk më duket i drejtë përkufizimi, por kjo është punë e juaj  ndërsa përmbajtja e kumtesës sime është  “Mbijetesa në zonat e luftës”. Unë do të flas me fakte për këtë qëndresë e mbijetesë, të pjesës më të madhe të popullit tonë, e cila as pas terrorit me përmasa gjenocidi nuk u dorëzua, nuk u largua nga Kosova, por qëndroi në gryka malesh, duke qenë logjistikë e UÇK-së, por edhe barrë tejet e rëndë për luftën   e saj, e cila një pjesë të madhe të kontingjentit të vet luftarak e kishte angazhuar pikërisht në mbrojtje të kësaj popullate dhe përfundimisht ia ka arritur edhe pse me shumë sakrifica.

Disa nga vendqëndrimet ku ka mbijetuar popullata e zhvendosur deri në mbarim të luftës në qershor të vitit 1999

Të gjitha vendqëndrimet ku ka qenë e strehuar popullata gjatë tërë kohës së luftës, kanë qenë nën përkujdesje dhe kontroll të personelit përgjegjës civil-ushtarake nën Drejtorinë për Administrim Civil dhe Marrëdhënie me Publikun,  që ishte pjesë e SHP të UÇK-së.

Në raste të veçanta kur ndokush ka vendosur të largohet vetë apo me familje nga vendstrehimi paraprak, nuk ka qenë i penguar të zhvendoset në një ambient tjetër, në kampe të zhvendosurish apo në fshatrat e Rrafshit, të cilat nuk i kishte përshkuar lufta. Në disa zona të cilat i mbante vijimisht nën kontroll Ushtria Çlirimtare e Kosovës, zhvendosja e popullatës ishte më numerike dhe kishte krijuar kushte më të organizuara strehimi.

Në shumë vendstrehime ishin ngritur edhe tenda të tipit kasollë, të punuara nga druri, të lyera me llaq dhe deri diku të izoluara për t’i bërë ballë temperaturave të ulëta të Dimrit. Tendat kryesisht ngriheshin në formë gjysmëharku, sipas modelit të serave. Ana sipërore mbulohej me najlon të fortë apo edhe me shtresa plasmasi, në raste kur mungonte najloni mbulohej me dushk, me batanije, apo me mbulesa të tjera të rastit.

Shtroja, për të fjetur  pothuajse e përgjithshme ishin sfungjerët, qilimat, batanijet, kush si kishte arritur të largohej nga fshati.

Nuk ishin të pakta rastet e të zhvendosurve që nuk kishin arritur të tërhiqnin asgjë nga shtëpitë, nga droja se mos binin në duar të vrasësve e masakruesve serbë. Ushqimi përgatitej në shporet, në stufa, në gurë prushi dhe forma të tjera. Buka kryesisht gatuhej në furra, në saq apo në shporet. Higjiena personale, në ato vende ku kishte ujë të mjaftueshëm ka qenë e nivelit mesatar. Në të gjitha vend-strehimet kanë qenë të hapur edhe puset septikë, të dezinfektuar me gëlqere.

Është me interes të theksohet që në fillim se kujdesi mjekësor, kujdesi dhe mobilizimi i popullatës, përmbajtja rigoroze e doktrinës luftarake, ka bërë që edhe pse në kushte krejtësisht jo normale të ekzistencës, nuk janë shfaqur epidemi, madje as epidemia e zgjebes, as sëmundje të lëkurës, as forma të tjera epidemike, të cilat kanë qenë të përhapura në kohën e luftës, në Kroaci dhe Bosnje. Është kjo çështje me interes të veçantë dhe është një fenomen i llojit të vet që duhet të studiohet për të parë dhe për t u bindur se deri ku mund të arrijë një popull në luftën e tij titanike, për të mos u dhënë dhe për të gjurmuar e zbuluar mjete për mbijetesë.

Në Grykën e Krojmirit, fshat i komunës së Lypjanit, ku ka ekzistuar një bazë  e hershme e UÇK-së, pas fillimit të bombardimit të NATO-s, numri i popullatës së zhvendosur kishte arritur shifrën afër tridhjetë mijë, nuk është shënuar asnjë rast i ndonjë sëmundje epidemike, që do të kërcënonte tërë atë popullatë. Nën tenda apo edhe nën qiell të hapët janë kryer më shumë se 100  lindje, në një periudhë të shkurtë kohore, dhe 99% e të lindurve, kanë mbijetuar. I vetmi shqetësim për mjekët dhe krejt popullatën e zhvendosur  kanë qenë të plagosurit nga mesi i popullatës që pësonin nga granatimi nga goditjet me armë zjarri, si dhe ushtarët e plagosur shumica syresh rëndë. Jetesa disa muaj nën tenda najloni, në kushte tejet të rënda atmosferike, sikur i kishte mobilizuar të zhvendosurit. Ata i besonin fitores sidomos pas intervenimit të NATO-s, dhe, krejt angazhimi i tyre ishte i orientuar, me qëllim për të  krijuar kushte për mbijetesë, duke u kujdesur për sigurimin e ushqimit dhe të artikujve elementarë për ekzistencë.

VENDSTREHIMET MË MASIVE TË POPULLATËS SË ZHVENDOSUR NË ZONAT E LUFTËS

Historiku i fillimit të të zhvendosurve në male, nis me rastin e sulmit të bandave gjakatare serbe në Likoshan, Çirez e Prekaz qysh në shkurt të vitit 1998. Qysh nga ajo kohë, sa herë që vëzhguesit e UÇK-së hetonin pikësynimet e armikut për ta sulmuar ndonjë fshat, i bëhej apel popullatës të zhvendosej maleve dhe të gjithë ata ushtarë që nuk ndodheshin në front, apo në detyra të tjera të veçanta, dhe të tjerë nga radhët e shtabeve civile kishin obligim t’i ndihmonin popullatës që të zhvendosej nëpër vende të caktuara. Janë me qindra luftëtarët që kanë rënë  në fushën e nderit e të atdheut, duke mbrojtur popullatën, duke u mbrojtur shpinën nga depërtimi i këmbësorisë armike. Vetëm kur ndodhte të mos kishte ushtarë pranë, kur paraprakisht ishte shpenzuar municioni, kriminelët serbë kishin depërtuar në popullatë, të cilën pastaj e kishin trajtuar mizorisht, duke e përdhunuar, plaçkitur, duke i vrarë anëtarët e familjeve para më të dashurve të tyre dhe duke ushtruar mbi ta mizori sodomie të paparë e të padëgjuar.

Është me interes të veçohen edhe fakte që tregojnë se në shumë vende të zhvendosjes në zonat e luftimeve, nuk ka arritur të shkelë këmba armike.

Është i papranueshëm supozimi se serbët kanë depërtuar deri atje ku kanë pasur synim të depërtojnë.

Po radhisim më këtë rast disa vendstrehimet më të njohura, ku ka mbijetuar popullata e zhvendosur dhe ku nuk ka arritur të shkelë këmba e gjaksorit serb, duke u bazuar në lëndën arkivore që e ka ruajtur Radio-Kosova e Lirë gjatë luftës, sidomos prej janarit deri në qershor të vitit 1999.

 

  1. Në Rrafshnaltën e Maleve të Berishës, të Fshatit të Ri, të Divjakës, të Kleçkës, (përveç në gusht të vitit 1998) madje, të Javurit, të Luzhnicës.
  2. Në Grykën e Krojmirit, ku në muajin e fundit të luftës, nga maji deri më 15 qershor, kanë qenë të strehuar afër 30 mijë banorë, pjesa më e madhe nga fshatrat e Drenicës Qendrore, por edhe nga fshatrat e rrethit të Lypjanit, të cilat nuk ishin të përfshirë në luftë, por kishin ndonjë luftëtarë në radhët e UÇK-së dhe frikësoheshin me të drejtë nga dhuna që mund të ushtronin serbët sapo të zbulonin rastet e tilla.
  3. Në Grykën e Maleve të Shalës, ish Sedllar, nga ku shkohet në fshatin Kleçkë rë Rrafshnaltës së Drenicës
  4. Në Malet e Baicës së Kolshit, disa qindra të zhvendosur.
  5. Në dy grykat malore të Nekovcit, në Përroin e Thatë dhe në Luginën malore të lumit.
  6. Në Grykën e Kizharekës dhe të Berishës ku ka pasur një përqendrim shumë të madh të popullatës nga mbarë Drenica, me siguri rreth 12.000 të zhvendosur nga fshatrat e Drenicës e më gjerë.
  7. Në disa fshatra përreth kompleksit pyjor të BLINAJES, si në Krojmir, në Varigoc, në Ribar të Madh, në Zllakuqan në lugina pyjore të Risinocit, por edhe në Leletiq, afër Magurës. Në Blinajë, një rezervat malor me rreth 7,000 hektarë, të rrethuar me tela, në gryka e pllaja të ndryshme ka pasur të zhvendosur kohë pas kohe, në raste të luftimeve. Edhe në këtë pjesë të pyjeve, janë strehuar mijëra banorë, por gjithnjë kanë lëvizur nga një pjesë të malit në tjetrën.
  8. Në malet e pyjet e Kozmaqit, Abri, Tërdec, Krajkovë, Domanek, Shtrubullovë e fshatra të tjera në Drenicën Qendrore. Pastaj në malet e Brusit në veri të Drenicës ku ka qenë e strehuar popullata e Tërnacit, Prekazit, Broboniqit, Çubrelit dhe e shumë fshatrave të tjera të Drenicës.
  9. Në pjesën perëndimet të Rrafshnaltës nga fshati Llapushnik, Arllat, Lladrovc, Senik, Bajë, Bllacë, Ngucat.
  1. Pastaj në disa fshatra të Malishevës si Burim, Pagarushë, Turjakë,
  2. Në Malet e Zatriqit ku ishte vendosur një pjesë e popullatës nga fshatrat e Rahovecit, Malishevës e fshatrave të tjera.
  3. Po kështu një pjesë e popullatës ishte zhvendosur edhe në malet rreth Pashtrikut, në Has, Plane, Vlahne e vende malore përgjatë vijës kufitare me Shqipërinë.
  4. Një pjesë e popullatës ka mbijetuar deri në fund të luftës në disa fshatra të rrethit të Therandës, ish Suharekë
  5. Në disa gryka malesh të Qyqavicës, ku popullata ka qenë ndër më të rrezikuarat në Kosovë, si në Krasmiroc, Gradicë, Vasilevë, në malet e Artakollit,
  6. Në Tunel, në malet e Rezallës, Kopiliqit e të Tushilës, Llaushës ku deri në fund të luftës ka qëndruar një pjesë e madhe e popullatës civile.
  7. Në fshatra të Shalës, në Bajgorë, Zmiq, Kaçanoll.
  8. Në Malësinë e Marecit, të Gallakut të Prapashticës, Keqekollës, Mramorit, Busisë dhe të disa vendeve të tjera malore. Në malet e Zhegocit dhe Malësisë së Kadakut
  9. Në Malësinë e Jezercit, të Budakovës, të Graiçecit të Topillës, Reçakut, të Mollapolcit, pastaj Rancës, Duhles, ku popullata kishte depërtuar nga një grykë në tjetrën deri në fund të luftës.
  10. Në Malësinë e Kaçanikut, në Puset e Nikës, Gajre, Kotlinë, Rakoc, Nikaj, në malet e Hani të Elezit.
  11. Në disa fshatra të Llapushës dhe në malet e Zatriqit, ku kanë qenë të strehuar mijëra të zhvendosur të cilët kanë jetuar në kushte drastike sidomos në mungesë të ujit të pijshëm.
  12. Në fshatrat e Vërrinit, të Hasit e të Zymit, të Istogut, e të tjerë.
  13. Në rajonin e Dukagjinit, popullata e zhvendosur ka qenë e përqëndruar në lugina malesh por edhe në fshatra, duke u dyndur nga një fshat në tjetrin apo edhe duke kaluar kufirin për të Shqipëri.
  1. Në Malet e ZMIQIT, ku deri në fund të luftës kanë qenë të strehuar me mijëra shqiptarë të ikur nga Mitrovica dhe fshatrat përreth.
  1. Një pjesë e madhe e popullatës gjatë luftës ka qëndruar edhe në qytetet e vendit sidomos në lagjet periferike, duke vëzhguar dhe duke përcjellë manovrimet dhe lëvizjet e policisë dhe ushtrisë serbe.
  1. Në shumë nga zonat e përfshira në luftë, ka pasur popullatë të zhvendosur në numër të vogël. Po ashtu në shumë fshatra të Rrafshit të Kosovës prej Mitrovicës, Vushtrrisë, Lypjanit, Ferizajt deri në Kaçanik ka pasur familje që nuk janë larguar nga Kosova, po ashtu ka pasur edhe banorë nga zonat e përfshira në luftë, por që kanë qëndruar ilegalisht te të vetë, miqtë e të njohurit. Kjo masë e madhe e të zhvendosur nuk është studiuar as është gjurmuar fare, por iu ka dhënë rëndësi ikjes për në Maqedoni e Shqipëri duke e cilësuar si “ekzod biblik”…
  1. Popullatë të zhvendosur ka pasur edhe në disa zona që nuk kanë qenë të përfshira direkt në luftime, por nga frika dhe syçeltësia janë strehuar nëpër lugina e pyje si preventivë nga sulmet e mundshme të masakruesve serbë. Një pjesë e popullatës shqiptare nuk është larguar as nga qytetet ose janë larguar disa anëtarë familjesh dhe të tjerët janë strehuar ashtu si e kanë parë të arsyeshme.

Edhe pse mungon ndonjë statistikë e përgjithshme lidhur me dyndjet, zhvendosjet dhe dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, me të dhënat të cilat janë publikuar nga vendkalimet kufitare në Maqedoni, në Shqipëri, Në Mal të Zi dhe në Serbi, mund të konkludohet, se, luftën në Kosovë e kanë mbijetuar mbi 900 mijë shqiptarë. Kësaj popullate e cila ka qëndruar në Kosovë i shtohet edhe numri i të vrarëve, të masakruarve, numri i dëshmorëve të lirisë dhe i të gjithë pjesëtarëve të UÇK-së. Popullata e Kosovës e ka mbijetuar luftën duke e ruajtur substancën kombëtare sidomos në zonat e luftimeve, në luginat malore të Kosovës e të Dukagjinit.

Ende nuk disponojmë të dhëna dokumentare për të zhvendosurit në Zonën e Dukagjinit, meqë atje popullata ka lëvizur nga fshati në fshat, por edhe një pjesë e madhe prej tyre kanë kaluar kufirin dhe janë vendosur në Shqipëri.

Ata që qëndruan dhe luftuan në Kosovë asnjëherë nuk e kanë mohuar ndihmën, që luftës sonë të drejtë i ka dhënë bota përparimtare, e sidomos Aleanca ushtarake Veriatlantike, ashtu sikur e dinë mjaftë mirë kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë të armatosur kundër armikut që kishte epërsi në armatim, por nuk kishte moral lufte dhe si e tillë ajo kishte degjeneruar duke masakruar shqiptarë, fëmijë gra pleq e burra.

Ata që në rrethana të caktuara u përcaktuan sipas motos ,” Më fal Prishtinë, se më shumë e desha jetën, se vdekjen për lirinë”, mund të mos e pranojnë kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për dëbimin e forcave serbe, mund të mendojnë se, vetëm zoti dhe NATO e kanë çliruar Kosovën, por mos të harrojnë, se kanë ikur në mënyrë masive nga Kosova, pikërisht atëherë kur NATO, kishte sulmuar dhe ishte zotuar se do ta nënshtrojë makinën vrastare serbe. Ata nuk i kanë besuar NATO-s, dhe shumica syresh besoj, se nuk i besojnë as fitores,  por vetëm përfitimit, interesit dhe jetës së rehatshme, të cilën e kanë filluar aty ku e kishin lënë me rastin e ikjes në atdheu.

 

Fëmijet e luftës

Fëmijet e luftës në Grykën e Shpëtimit, Krojmir, 1999

Gepostet von Radio Kosova e Lire am Sonntag, 13. August 2017

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Nga 500 uniformat që kanë arritur në Shtab, vetëm 50 janë ndarë për ushtarët e Batalionit Ruzhdi Salihu (E mërkurë 18 nëntor, 1998)

Sot qysh në mëngjes kam filluar ta hartoj një rrëfim jetëshkrues për Jetë Hasanin. E …